Treni, i cili ditën e shtunë u nis nga Beogradi për në Mitrovicë të veriut, ishte provokim që barte urrejtje, nacionalizëm dhe tentim për destabilizimin e Kosovës, vlerësojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.
Treni me ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe me freska ortodokse serbe, u ndalua në Rashkë nga autoritetet serbe, për shkak të reagimit të autoriteteve të Kosovës dhe institucioneve të sigurisë së vendit.
Faton Abdullahu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se reagimi i autoriteteve të Kosovës ishte i drejtë, i matur mirë dhe konsekuent.
“Krejt këto, gjithsesi që e largojnë Serbinë nga ajo çfarë ajo pretendon se është evropiane, në kuptimin më të mirë gjeopolitik të kësaj fjale. Ajo çfarë është më e keqja, është se vet komuniteti serb që mund të pësojë nga këto ndërhyrje skandaloze të institucioneve të Serbisë. Por, Qeveria e Kosovës është konstruktive dhe gjithsesi e matur, por edhe e palëkundshme në atë që të vazhdojë me politikat e saj për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallime se çfarë etnie janë, çfarë feje apo në çfarë pjese të territorit janë”, theksoi Abdullahu.
Njohësi i zhvillimeve politike, Artan Muhaxhiri, ligjërues në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se zhvillimet e muajve të fundit në veri të Kosovës, e sidomos provokimi me trenin i autoriteteve të Serbisë ndaj Kosovës, është, siç e quan ai, alarm për nevojën që Qeveria e Kosovës ta mendojë sërish formatin e dialogut me Serbinë.
“Është krejtësisht e palogjikshme që të vazhdohet me këtë format të dialogut, me një Serbi, e cila është kaq hipokrite, sa që është në gjendje t’i bëjë krejtësisht të kundërtat prej atyre për të cilat zotohet në Bruksel. Treni ka qenë një alarm, një vijë e kuqe, prej të cilës më nuk mund të vazhdohet më siç ka qenë deri më tash”, tha Muhaxhiri.
Njohësi i zhvillimeve politike, Rangjel Nojkiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se liria e lëvizjes është një nga kushtet për integrime evropiane për Kosovën dhe për Serbinë. Megjithatë, sipas tij, rezultati i situatës së krijuar me trenin që ishte nisur nga Beogradi për në Mitrovicë të veriut, ka qenë i parashikueshëm.
“Ky akt, tashmë e ka komplikuar situatën e përgjithshme dhe gjithçka mund ta kthej në fillim, aty ku shqiptarët dhe serbët paguan çmim të lartë për të lëvizur lirshëm. Prandaj, e gjithë kjo nuk është e mirë. Nuk janë të mira as porositë që janë dërguar qoftë nga Prishtina, qoftë nga Beogradi. Mendoj që lufta dhe konfliktet janë pas nesh dhe në atë mënyrë nuk duhet të reagojmë. Me duket se në këtë mënyrë po e komplikojmë situatën dhe më tej dhe për ta zgjidhur atë do të jemi të varur nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, gjë që do të ketë çmim të lartë, sepse zgjidhjet nuk janë të thjeshta”.
Në anën tjetër, pas situatës të cilën e ka krijuar çështja e trenit, autoritete serbë kanë reaguar duke i akuzuar autoritetet e Kosovës se e kanë sjellë situatën në prag të konfliktit.
Madje, kryetari i Serbisë, Tomisllav Nikoliq, deklaroi se “është i gatshëm të dërgojë trupa në Kosovë për të mbrojtur shtetasit serbë, nëse kjo është e nevojshme”.
Por, zëdhënësi i ekzekutivit, Abdullahu, thekson kërcënimet nga autoritetet serbe janë vlerësuar në përpjesëtim me atë se sa janë ato të rrezikshme, për të vepruar në përputhje me këto vlerësime.
“Kështu është vepruar me trenin dhe kështu do të veprohet me të gjitha provokimet e kësaj natyre, duke i kalkuluar realisht të gjitha këto, duke pasur parasysh obligimet tona ndërkombëtare dhe gjithmonë duke bashkëpunuar me faktorin ndërkombëtar, por edhe bazuar gjithmonë në Ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës”.
Njohësit e zhvillimeve politike, serbë dhe shqiptarë, kanë vlerësuar se kërcënimet që kanë ardhur nga kreu i shtetit të Serbisë, përmbajnë retorikën e viteve 90. Por, sipas tyre, kjo retorikë më shumë është për nevojat e brendshme në Serbi, për shkak të zgjedhjeve presidenciale që pritet të mbahen së shpejti.
Megjithatë, ata vlerësojnë se hapësira për përdorimin e retorikës së tillë nga autoritetet e larta serbe, është si pasojë e mosreagimit të mëhershëm të Brukselit dhe Prishtinës, në mënyrë që të mos arrihej deri te situatat e këtilla.
Sidoqoftë, e gjitha kjo situatë, siç thonë njohësit e zhvillimeve politike, i ka dëmtuar jashtëzakonisht marrëdhëniet e brishta fqinjësore Kosovë - Serbi apo tentimin për normalizimin e këtyre marrëdhënieve. (REL)
Facebook Forum