Ndërlidhjet

Prishtina akuzon Beogradin për destruktivitet


Prishtinë, Janar 2017
Prishtinë, Janar 2017

Autoritetet e Kosovës e kanë akuzuar Beogradin zyrtar për, siç thonë, “qasje destruktive jo vetëm në raport me dialogun, por edhe në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve”

Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve ranë në nivelin më të ulët që prej fillimit të dialogut për normalizim të marrëdhënieve me lehtësim të BE-së, posaçërisht pas ndalimit në Francë të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe këmbënguljes së Serbisë për ekstradim të tij.

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri
Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, në një pergjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, tha se “Serbia mund të izolohet në mendësinë e saj të vjetër që nuk sheh përtej Moskës, nëse nuk dëshiron fqinjësi me Kosovën”.

"Kosova ka një raport të qartë ndaj Serbisë, e që ka për bazë parimin tonë themelor që vetëm njohja e ndërsjellë mes dy shteteve sjellë paqen dhe normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore. Ky dialog që po zhvillohet ne Bruksel ka këtë si qëllim final dhe është në kuadër të këtyre qëllimeve", është përgjigjur Tahiri.

Autoritetet në Prishtinë i bënë të qartë autoriteteve serbe se do të mund të përgjigjen, siç thonë, “me masa reciprociteti” nëse, siç thanë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, “ajo nuk heq dorë nga përndjekja e qytetarëve të Kosovës”.

Qeveria i ndaloi hyrjen në Kosovë presidentit serb Tomisllav Nikoliq në Ditën e Krishtlindjeve Ortodokse, duke arsyetuar veprimin me ‘mosrespektim të procedurave’.

Shefi i Zyres së Serbisë në Kosovë Marko Gjuriq dhe ministrja e Drejtësisë e Serbisë, Nella Kuburoviq.
Shefi i Zyres së Serbisë në Kosovë Marko Gjuriq dhe ministrja e Drejtësisë e Serbisë, Nella Kuburoviq.

Por, Qeveria e Serbisë në një mbledhje të saj urgjente, ditën e premte, pas vendimit të një gjykate në Francë për lirim me kusht të Ramush Haradinajt, deri në shqyrtimin e kërkesës për ekstradim, ka bërë të ditur se nuk heq dorë nga kërkesa e saj për dorëzimin e Haradinajt në Serbi, për siç thuhet, ‘përballje me drejtësinë’

“Serbia nuk do të tërhiqet nga kërkesa për ekstradimin e Ramush Haradinajt“, tha ministrja e Drejtësisë në qeverinë serbe, Nela Kuburoviq.

“Ne shpresojmë që Franca do të sillet në mënyrë profesionale dhe në harmoni me aktet ndërkombëtare për ekstradimin e Ramush Haradinajt për faktin se ne i plotësojmë të gjitha kushtet që kanë të bëjnë me kërkesën tonë për ekstradim“, ka thënë Kuburoviq, duke nënvizuar faktin se përveç tjerash, organeve franceze u është prezantuar fakti “se në në aktakuzën e zgjeruar ndaj Haradinajt nga prokuroria serbe, janë përfshirë edhe 30 dëshmitarë”.

Prokuroria serbe për krime lufte pretendon se Ramush Haradinaj ka kryer krime lufte në Kosovë gjatë periudhës së viteve 1998-99, pavarësisht se ai, mbi akuzat e njëjta, ishte gjykuar dhe shpallur i pafajshëm në dy raste, në proceset që janë zhvilluar nga Tribunali i Hagës.

Rasti Haradinaj ngriti edhe më tutje dilemat nëse, siç thonë njohësit e rrethanave, se ‘të dyja palët janë të interesuara që të ndërtojnë marrëdhënie të mira fqinjësore”.

Ky proces ndërkaq, u vlerësua të jetë cenuar në disa raste, para ndalimit të zotit Haradinaj, përmes ndërtimit të murit në veri të Mitrovicës, zvarritjes së zbatimit të marrëveshjeve të arritura në dialog, paralajmërimit të Beogradit për themelimin e njëanshëm të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Analistët në Kosovë thanë se rasti Haradinaj duhet të shërbejë “si një alarm që institucionet e Kosovës se duhet ndryshuar qasjen ndaj Serbisë”.

Analisti politik Artan Muhaxhiri, i tha Radios Evropa e Lirë se është e qartë se Kosova si vend fqinj me Serbinë, gjithmonë ka qenë konstruktive në drejtim të përmirësimit të raporteve mes dy shteteve.

"Qeveria e Kosovës duhet të jetë me e zëshme në Bruksel, shumë më serioze dhe t'i vendos disa pika të kuqe përtej të cilave nuk mund të kalojë. Pra, cenimi i dinjitetit të qytetarëve dhe mungesa e vullnetit të plotë për aplikimin në realitet të të gjitha marrëveshjeve që janë realizuar deri me tash e bën absurde dhe të pakuptueshme secilin vazhdim të bisedimeve", tha Muhaxhiri.

Ai tha se Qeveria e Kosovës po ashtu duhet të këmbëngul që zyrtarët në Bruksel që janë lehtësues të dialogut të jenë garantues serioz i marrëveshjeve të arritura.

"Nëse pala kosovare nuk e bën publik zemërimin me të gjithë ngjarjet që kanë ndodhur deri më tani me procesin e Brukselit, atëherë një qasje e tillë do të vazhdojë sepse as Brukseli as Serbia nuk kanë vullnet që të ndryshojnë. Mirëpo, pala kosovare e ka të drejtën morale që ta ngris zërin dhe të këmbëngul në ndryshimin e qasjes sepse është pala që ka bërë më së shumti dhe e ka këtë të drejtë", tha Muhaxhiri.

Sidoqoftë, marrëdhënia ndërmjet dy palëve, thonë njohësit e rrethanave, do të mund të acarohet edhe më shumë nëse autoritetet serbe do të insistojnë me këmbëngulje që të ‘krijojnë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në mënyrë të njëanshme”, pavarësisht kundërshtimeve nga Prishtina zyrtare. (REL)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG