Ndërlidhjet

Kuvendi jofunksional, zgjedhjet opsion


Gjatë vitit 2016, Kuvendi i Kosovës ka pasur një aktivitet të dobët dhe përmbushje vetëm të një të tretës së plan-programit, të cilin vet legjislativi dhe komisionet parlamentare e kishin paraparë për zbatim, vlerësojnë përfaqësuesit e Institutit Demokratik të Kosovës, i cili monitoron punën e Kuvendit.

Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, e cilëson punën e Kuvendit si të dobët, gjë që sipas tij, detyrimisht çon në konkludimin se ky legjislativ është jofunksional për të marrë vendime, si dhe i paaftë politikisht për të përmbushur mandatin e vet.

“Asnjë prej çështjeve kryesore të cilat do të duhej të trajtoheshin aty, nuk kanë arritur të përfundohen, siç janë: ratifikimi i marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi, transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (në Forcë të Armatosur të Kosovës), miratimi i projektligjit për kryeqytetin dhe shumë çështje të tjera të rëndësishme, të cilat nuk janë përmbyllur. Në këtë formë, çfarë është tani, Kuvendi nuk guxon të funksionojë më tutje, për shkak se ka rënie të performancës edhe në krahasim me vitin paraprak, do të thotë, vitin 2015”.

Imer Mushkolaj, njohës i zhvillimeve politike në vend, thotë për Radion Evropa e Lirë, se koalicioni qeveritar dhe shumica parlamentare janë krijuar pikërisht për të quar përpara disa procese të rëndësishme për vendin.

Por, siç thotë ai, këto procese kanë ngecur për shkak se Kuvendi ka qenë i paaftë përball çështjeve që i janë parashtruar.

“Fatkeqësisht, që prej themelimit, respektivisht prej fillimit të këtij mandati të Kuvendit dhe qeverisë, nuk është arritur që pikërisht këto çështje, për të cilat është pretenduar se do të çohen përpara duke krijuar një shumicë të tillë parlamentare, të kryej funksionin e tij".

"Ne jemi në një situatë ku për çështjet më të rëndësishme kuvendi ka dështuar. Në një situatë normale, në një shtet normal, në një demokraci normale, në raste të tilla, Kuvendi do të duhej automatikisht të shpërbëhej dhe të shkohej në zgjedhje”.

Por, bazuar në situatën e përshkruar nga njohësit e zhvillimeve në Kuvend dhe atyre politike në përgjithësi, a janë zgjedhjet zgjidhja me optimale për vendin?

Krasniqi vlerëson deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë para vetes opsionet që të kërkojnë nga kryeministri i vendit që të bëjë ndryshime në kabinetin qeveritar ose të kërkojnë mocion mosbesimi ndaj kryeministrit, gjë që do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

“Kuvendi nuk është funksional. Këtë e themi me përgjegjësi. Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë një opsion, i cili besoj që duhet të konsiderohet me seriozitet. Mirëpo, nuk them që është opsioni i parë që do të duhej të ndërmerrej, për shkak se duhet të provohen edhe mekanizma të tjerë për të tentuar që të zhbllokohet kjo situatë”.

Analisti Mushkolaj nuk sheh opsion tjetër për të dalë nga situata e krijuar, siç e quan ai, bllokuese, përveç zgjedhjeve të parakohshme.

“Kur nuk funksionon institucioni më i lartë legjislativ i një shteti, që është Kuvendi, dhe ku do të duhej të merreshin vendime të rëndësishme, atëherë zgjedhjet mbeten zgjidhja e vetme. Kështu që, konsideroj që vendimi më i rëndësishëm që do ta merrte Kuvendi, në këtë situatë, është që të vendoste për shpërbërje dhe shkuarje në zgjedhje".

"Çdo zvarritje e mëtejme, në këtë gjendje ku Kuvendi nuk është i aftë të marrë vendime në të mirë të qytetarëve të Kosovës, vetëm sa do ta dëmtojë pikërisht qytetarin e Kosovës, do ta dëmtojë gjithë shoqërinë dhe shtetin e Kosovës”.

Sidoqoftë, para situatave bllokuese ishin gjetur edhe legjislaturat e mëhershme të vendit, por, sipas njohësve të zhvillimeve politike, situata bllokuese në të cilën gjendet legjislatura aktuale, është më e rënda deri më tash. (REL)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG