Gjasat praktike që Kuvendi i Kosovës të ratifikojë marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi deri në fund të këtij vitit ose në fillim të vitit të ardhshëm, janë të pamundura, vlerësojnë përfaqësues të opozitës dhe njohësit e zhvillimeve politike.
Sipas tyre, miratimin e kësaj marrëveshje e bëjnë të pamundur pozicionimet e kundërta, në të cilat janë betonuar partitë në pushtet dhe partitë opozitare rreth kësaj çështjeje.
Pal Lekaj, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo opozitare, thotë përRadion Evropa e Lirë se partitë opozitare nuk janë kundër shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi, por janë kundër variantit aktual të marrëveshjes që ka dalë nga Komisioni shtetëror për shënimin e vijës kufitare, e cila, sipas tij, i humbë territor Kosovës.
Siç thotë ai, as partitë opozitare, e as një numër deputetësh që vijnë nga radhët e dy partive në pushtet, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës, nuk do ta votojnë marrëveshjen aktuale.
“Sa i përket ratifikimit të marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacion, mendoj që kjo nuk do të ndodhë këtë vit, fatkeqësisht për mos-seriozitetin e Qeverisë së Kosovës, në këtë rast të kryeministrit të Kosovës, që me kokëfortësi e mban marrëveshjen e Vjenës dhe thotë që Kosova nuk humb asnjë milimetër territor. Po e them që nuk ka gjasa që të ratifikohet në Kuvend këtë vit. Jam i bindur që as në fillim të vitit të ardhshëm, ky version assesi”, thotë Lekaj.
Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se janë duke zhvilluar takime ditore me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin, i cili njëherësh është edhe kryetar i PDK-së, me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, por edhe me e përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe Ambasadës Amerikane, për të gjetur një mënyrën se si të gjendet zgjidhja për miratimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
“Duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm se nëse këtë nuk e bëjmë tani, e them gjatë kësaj periudhe deri në fund të vitit, ose eventualisht në fillim të vitit të ardhshëm, ne do ta humbim hapin dhe do të ngecim në këtë proces”, ka thënë Mustafa.
Por, edhe analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, ligjërues në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se gjasat për t’u ratifikuar marrëveshja për Demarkacion me Malin e Zi nga Kuvendi i Kosovës, praktikisht nuk janë të mundura, bazuar në pozicionimet e tashme, siç thotë ai, të dy taborreve.
Sipas Muhaxhirit, as propozimet e pushtetit ndaj opozitës, e as ato të opozitës ndaj partive në pushtet, nuk janë të tilla që do të mund të krijonin ndonjë ide që njëra palë e ka seriozisht gjetjen e modalitetit të zgjidhjes, që do ta përfundonte këtë proces.
Profesor Muhaxhiri, vlerëson se zgjidhja e vetme do të ishte që në kontestin e pushtetit dhe opozitës të përfshihet një palë e tretë, më e fuqishme se të dyja këto sa i përket, siç thotë ai, efektit të demarkacionit.
“Ajo (pala e tretë) do të mund të ishte Bashkimi Evropian. Nëse BE-ja shfaqë sadopak vullnet dhe gatishmëri që të përfshihet në këtë proces, si një garantues kredibil i riformatizimit të të gjithë procesit apo të dhënies së ndonjë ideje për të dalë nga kjo krizë, atëherë ndoshta edhe do të mund të kishim pak shpresë për gjetjen e zgjidhjes”, vlerëson Muhaxhiri.
Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës ka themeluar një Komision për matjen e territorit të vendit, mirëpo nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen e opozitës për këtë qëllim, si dhe përkrahjen e disa deputetëve nga partitë e koalicionit.
Deputeti Lekaj, thotë se matja e tillë, siç pretendon Qeveria, është e papranueshme për opozitën.
“Nëse thuhet se vetëm po hyjmë, po e masim një hapësirë, tokën, territorin e Kosovës, pa u nisur se prej cilës pikë po fillojmë, mendoj se është e kotë dhe ne nuk pranojmë assesi”, shprehet Lekaj.
Profesor Muhaxhiri, thekson se propozimi i Qeverisë që nëpërmjet një Komisioni për matjen e territorit ta zgjidhë nyjën që ka krijuar çështja e demarkacionit me Malin e Zi, është, sipas tij, qasje krejtësisht e gabueshme.
“Propozimi i Qeverisë është krejtësisht i pavend, sepse edhe vetë mënyra e prezantimit të tij është me një lloj snobizmi, me një lloj kompleksi superioriteti dhe është qesharake të mendohet se opozita do ta përulë veten dhe ta pranojë pjesëmarrjen në këtë format të komisionit”, thekson Muhaxhiri.
Sido që të jetë, ratifikimi i marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, është një prej dy kushteve të fundit nga Bashkimi Evropian, që Kosova duhet t’i plotësojë për të marrë liberalizimin e vizave. Mosratifikimi i marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, siç është thënë, do ta shtyjë procesin dhe Kosovës do t’ia pamundësojë marrjen e liberalizimit të vizave edhe vitin e ardhshëm.(REL)
Facebook Forum