Ndërlidhjet

Beogradi kundër "serbëve të Mustafës"


Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe deputeti i Listës Serbe, Slavko Simiq, gjatë një seance të mëhershme në Kuvendin e Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe deputeti i Listës Serbe, Slavko Simiq, gjatë një seance të mëhershme në Kuvendin e Kosovës

Një numër deputetësh të grupit parlamentar të Listës Serbe janë kthyer të enjten në Kuvendin e Kosovës. Ata i kanë dhënë fund "ngrirjes“ së pjesëmarrjes së tyre në Kuvend, për shkak se, siç është thënë, "tërheqja para problemeve dhe bojkotimi i institucioneve për herë të dytë“ nuk ka sjellë asnjë ndryshim.

Deputetët e kësaj liste, të cilët i takojnë Lëvizjes Socialiste, si dhe Slobodan Petroviq nga Partia e Pavarur Liberale, të enjten kanë qenë të pranishëm në seancën e Kuvendit, lidhur me buxhetin e Kosovës. Në seancë kanë munguar deputetët që i takojnë Partisë Përparimtare Serbe në kuadër të Listës Serbe.

Shefi i grupit parlamentar të Listës Serbe, Slavko Simiq, në foltoren e Kuvendit të Kosovës, të enjten, ka thënë se kushtet politike për kthim, realisht nuk janë përmbushur, por , që “ky është tentimi i fundit për të verifikuar demokracinë në Kosovë“.

"Lista Serbe, përmes përfaqësuesve të saj politik, do të vazhdojë që të luftojë në mënyrë të vazhdueshme për të drejtat e bashkësisë serbe dhe do të luftojë vetëm përmes institucioneve qendrore dhe në këtë mënyrë ta përmbushim qëllimin tonë, e ky është forcimi i pozicionimeve institucionale dhe respektimi i të gjitha të drejtave të popullit serb që jeton në Kosovë“, ka thënë Simiq.

Ai ka përkujtuar se Lista serbe edhe më tej është kundër Ligjit për Trepçën dhe Ligjit për Investime Strategjike.

Simiq gjithashtu ka njoftuar Kuvendin e Kosovës që grupi parlamentar i Listës Serbe më nuk i numëron 11, por 9 deputetë, sepse Nenad Rashiq dhe Adem Hoxha janë përjashtuar nga ky grup për shkak të “krizës politike brenda Listës Serbe”.

Lidhur me kthimit e një numri të deputetëve të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës ka reaguar zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq. Përmes një komunikate për medie, ai ka theksuar se ky kthim tregon që “deklaratat për tradhti të Lëvizjes së Socialistëve dhe për vazhdimësi të politikës së Partisë së Pavarur Liberale, janë të sakta”.

“Do të përpiqemi që t’ju sjellim në masën e pushtetit që e meritoni, më saktësisht që t’ju heqim pushtetin, sepse jeni treguar të padenjë që ta përfaqësoni popullin serb”, ka thënë Stojanoviq.

Shefi i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, përmes një komunikate për medie, ka kundërshtuar kthimin e një numri të deputetëve të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës.

“... nuk mund të fajësojë shumë të gjithë ata njerëz, të cilët, ditëve të fundit, funksionarët e Lëvizjes Socialiste në Kosovë, po i quajnë tradhtarë. Është e qartë se anëtarët e Lëvizjes Socialiste të Mustafës, Che Guevara-n e kanë ndërruar me Enver Hoxhën, për një grusht parash shqiptare”.

“Kushdo që e ndërpret këtë protestë të imponuar politike të serbëve të Kosovës, pa mëdyshje është fajtor për shitjen e interesave kombëtare të serbëve. Ata që kanë vendosur për një veprim të tillë, le ta pyesin veten se si do t’i shohin në sy bashkëkombësit e tyre, minatorët në Trepçë dhe anëtarët e familjeve të tyre”, thotë Gjuriq në komunikatë.

Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Rangjel Nojkiq, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se përçarja brenda Listës Serbe nuk paraqet befasi, sepse ajo ekziston tash e një kohë të gjatë, pavarësisht se përfaqësuesit e kësaj Liste e kishin mohuar një gjë të tillë.

“Ata janë arsyetuar se gjoja ekziston një unitet absolut dhe se, megjithatë, dallimet e vogla nuk ndikojnë rëndësishëm në zhvillimet në këto hapësira. Kjo është në mënyrë absolute e pasaktë dhe tash kjo edhe u vërtetua. Kthimi i tyre në Kuvend, për mua, nuk paraqet befasi, sepse unë për një kohë të gjatë kam thënë se jashtë institucioneve nuk mund të bëhët asgjë dhe se gjërat zgjidhen në institucione. Aty duhet të ekzistojë lufta dhe mbrojtja e interesave”, tha Nojkiq.

Deputetët e Listës Serbe, por edhe përfaqësuesit e kësaj liste në Qeverinë e Kosovës, patën “ngrirë” pjesëmarrjen e tyre në institucionet qendrore, në shenjë kundërshtimi ndaj miratimit të Ligjit për Trepçën dhe Ligjit për Investime Strategjike nga Kuvendi i Kosovës, në tetor të këtij viti.

Brenda Listës Serbe ka ardhur deri te përçarja ndërmjet anëtarëve të dy partive, pas ndërrimit të Ljubomir Mariqit nga posti i ministrit për Administrim të Pushtetit Lokal, javën e kaluar dhe në vend të tij është emëruar Mirjana Jevtiq. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG