Ndërlidhjet

Kuvendi përmbushi vetëm 35 për qind të planit legjislativ


Ilustrim
Ilustrim

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të përmbush agjendën e paraparë për këtë vit. Legjislativi deri më tani ka miratuar vetëm 32 për qind të ligjeve të parapara në agjendë.

Analisti i Institutit Demokratik të Kosovës, Albert Krasniqi, tha për Radion Evropa e Lirë se çështja e mosfunksionimit të Kuvendit, pos tjerash, është vërejtur te pamundësia e miratimit të ligjeve, si dhe paaftësia e treguar rreth mbikëqyrjes së punës së ekzekutivit.

Ai tha se nga 139 ligjet e miratuara, 45 kanë kaluar me procedura të përshpejtuar dhe pa dëgjime publike.

"Lirshëm mund të konstatojmë që është një vit dukshëm më i dobët sesa ai paraprak, për shkak se Kuvendi ka arritur vetëm 32 për qind ta përmbush planifikimin e tij që e ka pasur në fillim të vitit", tha Krasniqi.

Aktualisht, Kuvendi ka në procedurë për miratim edhe 23 ligje, kurse në pritje janë edhe 71 të tjera.

Kuvendi i Kosovës gjatë këtij viti është përballur me një prej periudhave më të vështira të funksionimit të tij, kanë thënë analistët politik dhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare në Prishtinë.

Krasniqi tha po ashtu se puna e Kuvendit është përcjellë edhe me mungesën e kuorumit për mbajtjen e seancave, pastaj mos prania e deputetëve në sallë dhe mospjesëmarrja në votim.

Krasniqi i bën fajtorë për mos realizimin e planit të punës si partitë e koalicionit qeverisës, ashtu edhe ato opozitare.

"Fokusimi në çështje të interesit shumë terciar, pra që nuk kanë qenë prioritet për Kosovën dhe fokusimi i debatit në këto pika, i ka lënë anash shumë çështje të tjera që janë me interes dhe do të duhej të debatoheshin në Kuvend."

"Deputetët nuk janë duke i përfaqësuar qytetarët në Kuvend, por më shumë fokusohen në interesat e partive të tyre, të udhëheqësve të partive të tyre, sesa të qytetareve", tha Krasniqi.

Kurse, përfaqësuesit e partive politike në pushtet dhe ato të opozitës fajësojnë njëra tjetrën për, siç deklarojnë, bllokimin e punës së Kuvendit, për shkak të interesave politike.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, tha se çështjet të cilat kanë mbetur pa u përfunduar do të kryhen me kohë.

"Çështjet e ndryshme politike shpeshherë kanë marrë më shumë kohë. Më shumë kërkohet dakordancë politike mes grupeve politike dhe unë besoj se këto do të arrihen me kohë", tha Pajaziti.

Nga ana tjetër, anëtarja e kryesisë së Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje, Aida Dërguti, tha se qeveria ka ndikuar dhe ka bllokuar edhe punën e Kuvendit, duke u munduar të çojë përpara çështje që janë në dëm të Kosovës.

"Gjëja më e duhur për këtë vend ka qenë që menjëherë pas bllokadës së parë, që kemi pasur më 2014, të mbaheshin zgjedhjet. Është parë se u bë një presion dhe pas një bllokade prej gjashtë muajve u detyrua të bëhet ky koalicion, pra PDK - LDK, duke menduar se do të zgjidheshin çështjet”.

“Praktikisht, kjo qeveri i kushton Kosovës më shumë edhe në kohë edhe në shpenzime, sepse nuk mund të kryejë asnjë punë si duhet. Për më keq, të gjitha gjërat që kanë provuar t'i shtyjnë kanë qenë në dëm të interesave të vendit", tha Dërguti.

Bojkotimi i punimeve të Kuvendit të Kosovës nga subjektet politike opozitare dhe mospjesëmarrja e disa deputetëve të koalicionit qeverisës në seanca parlamentare, ka ndikuar negativisht në funksionimin e Kuvendit, duke e futur atë në një krizë institucionale dhe duke përgjysmuar numrin e ligjeve të parapara për t’u votuar.

Ky legjislativ nuk arriti të përmbushë njërin prej kritereve të fundit të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave, e që ishte ratifikimi Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Ndërkaq, legjislativi nuk ka arritur po ashtu të fus në rend dite themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, sikurse që nuk po gjen konsensus politik rreth reformave të shumë përfolura kushtetuese. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG