Ndërlidhjet

Studimet me cilësi jo premtuese, literaturë e mangët


Studimet me cilësi jo premtuese
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:57 0:00

Studimet me cilësi jo premtuese

Cilësia e studimeve në Universitetin e Prishtinës, vlerësohet në mënyra të ndryshme nga studentët e këtyre universiteteve. Në rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë, disa prej studentëve shprehin pakënaqësitë lidhur me metodat që zbatohen gjatë studimeve, se si profesorët transmetojnë dijet tek ata, si dhe për mungesën e literaturës në gjuhën shqipe, që është e domosdoshme për studime. Por, ka edhe studentë që janë të kënaqur me ato që ofrojnë fakultetet ku studiojnë.

Amla Grezda, student në Fakultetin e Filozofisë, thotë se cilësia e studimeve që ofrohet në degën që ajo studion, duhet parë përmes krahasimeve me degët tjera në Universitetin e Prishtinës, por edhe me universitetet jashtë vendit.

“Në filozofi, cilësia e arsimit është më e mirë, në krahasim me departamentet tjera. Por, nëse e krahasojmë me shtetet tjera evropiane, me literaturën që e posedojnë ato universitete, atëherë cilësia e Universitetit të Prishtinës nuk është aq e mirë, nuk është aq premtuese. Duke e ditur që filozofia është një ndër drejtimet më të gjera dhe që shkruajnë më shumë për të, atëherë, literatura është shumë e mangët për filozofi”, thotë Amla.

Besart Tasholli, student në Fakultetin Juridik, shpreh pakënaqësinë me qasjen që kanë një numër i profesorëve ndaj obligimeve që kanë në raport me studentët. Gjithashtu, ai vlerëson se literatura e nevojshme për studime, në gjuhën shqipe, është e pamjaftueshme.

“Nuk mund të them se jemi të kënaqur, për arsye se profesorët rrallë vijnë në ligjërata. Më shumë i angazhojnë asistentët e tyre. Për literaturë kemi probleme, për arsye se shumë libra duhet t’i marrim në gjuhë të huaja, zakonisht në gjuhën angleze më shumë. Por, në gjuhën shqipe nuk kemi mjaftueshëm”, shprehet Besarti.

Adelina Hasa, studente e Gjuhës Gjermane, në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës, thotë se është e kënaqur me cilësinë e studimeve në degën që ajo studion.

“Deri tani, unë për vete jam e kënaqur. Për studentët tjerë nuk e di, por në degën time, deri tash, mendoj se është mirë. Ka tekste të mjaftueshme në gjuhën amtare dhe nuk ankohem për këtë”, thekson Adelina.

Arianit Bytyçi, student i Arkeologjisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se kualiteti i ligjëratave është i mirë, por sipas tij, literatura në gjuhën amtare është e varfër:

“Në drejtimin që unë studioj, është shumë mirë. Ka edhe aktivitete dhe të gjitha janë. Për të tjerat, nuk e di, mbase ka edhe mangësi. Ne kemi literaturë, por jo edhe sa duhet, sepse është arkeologji. Në shqip, nuk ka aq shumë punime për arkeologjinë. Shumicën e punimeve i bëj nga interneti dhe nga materialit që e kemi, por që është më i vjetër”.

Teuta Gërguri, studente e Menaxhmentit Informatikë në Fakultetin Ekonomik, thotë se pritjet e saj për cilësinë e studimeve në këtë fakultet, nuk janë përmbushur.

“Një numër i profesorëve mbase nuk i kanë edhe kualifikimet e domosdoshme për lëndët që ata i ligjërojnë. Sa i përket literaturës bazë, shumica e profesorëve i kanë librat e tyre, për lëndët përkatëse. Ndërkaq, kur duhet të bëjmë hulumtime apo punime shkencore ose seminarike, e përdorim si opsion hulumtimin në internet, por në gjuhët tjera”, thotë Teuta.

Vegim Hoti, student në Fakultetin Ekonomik, vlerëson se cilësia e arsimimit në nivelin universitar, në përgjithësi, nuk është e kënaqshme dhe sipas tij, nuk i ka plotësuar pritjet që kanë pasur studentët e rinj, të cilët u janë qasur studimeve.

“Nuk është nivel i kënaqshëm për secilin prej nesh. Janë disa profesorë, që janë pakicë e fakultetit, dhe ata mund të na stimulojnë me interaktivitet. Mirëpo, shumica e profesorëve tjerë, pjesa dërmuese, janë profesor të vjetër në moshë dhe nuk na e ofrojnë interaktivitetin, të cilin ne e dëshirojmë. Shumica e literaturës, e cila është e përkthyer nga librat tjerë, nuk është me fjalë që ne i kuptojmë. E kemi shumë problem sa i përket literaturës, sepse shumë pak profesorë kanë edhe librat e tyre.Mirëpo, edhe nëse detyrohemi të blejmë libra tjerë, shumica e tyre janë skripta dhe kopje”, thekson Vegimi. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG