Ndërlidhjet

Matja e territorit të Kosovës, mision i (pa) mundur


Propozimi i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, për themelimin e një Komisioni për matjen e saktë të territorit të Kosovës, duhet kuptuar si përpjekje për tejkalimin e kundërshtimeve dhe përplasjeve ndërmjet pushtetit dhe partive opozitare lidhur me çështjen e shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi, vlerësojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.

Kundërshtimet e deritashme të opozitës kanë lënë Kosovën pa e ratifikuar Marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, gjë që është kusht për marrjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Kryeministri Mustafa, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, më 30 nëntor, ka propozuar mundësinë e themelimit të Komisionit “i cili do të bënte matjen e sipërfaqes së Kosovës, në bazë të vendimit të Komisionit për përcaktimin e vijës kufitare, se sa kilometra katrorë i ka Kosova dhe a është zvogëluar sipërfaqja e Republikës së Kosovës”.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se propozimi i kryeministrit Mustafa për komisionin i cili do të përfshinte edhe ekspertët e propozuar nga partitë opozitare, do t’i hiqte dilemat dhe spekulimet eventuale se Kosova humb ose jo territor me Marrëveshjen për Demarkacion me Malin e Zi.

“Ky propozim i ri, është një propozim për një Kosovë pa viza. Ne do të donim shumë që ky propozim i kryeministrit Mustafa të merret seriozisht, të kuptohet se është i sinqertë.Të ulemi dhe ta bisedojmë, ngase çështja është shumë e ndjeshme, sikurse e dinë të gjithë. Nuk rrimë rahat as ne e as opozitarët, në çfarëdo aspekti, e as qytetari më i thjeshtë, përderisa nuk e bëjmë këtë Demarkacion”, ka thënë Abdullahu.

Megjithatë, partitë opozitare, janë cituar nga mediet vendore se e kanë cilësuar propozimin e kryeministrit Mustafa si “qesharak” dhe si një “mashtrim të radhës ”.

Por, në situatën dhe rrethanat aktuale, cilat janë mundësitë që matja e sipërfaqes së Kosovës të bëhet në mënyrë shkencore?

Florim Isufi, profesor në Departamentin e Gjeografisë në Fakultetin e Shkencave Matematike dhe të Natyrës, në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se në aspektin shkencor dhe profesional, nuk ekziston mundësia që të bëhet matja e një hapësire, e cila nuk e ka të definuar kornizën e saj apo arealin e saj, me vijë rrethuese.

Sipas tij, Kosova ende nuk e ka saktësuar zyrtarisht kufijtë me Malin e Zi dhe me Serbinë. Siç thotë profesor Isufi, Kosova, aktualisht, i ka tre lloj vijash kufitare zyrtare me Malin e Zi.

“Në kuadër të atyre tri lloje të vijave zyrtare që i ka Kosova me malin e Zi, ka sipërfaqe të ndryshme. Kush e ka guximin profesional shkencor që të vendos të matë njërën prej këtyre tri llojeve të vijave dhe t’i hedhë poshtë dy të tjera që janë zyrtare? Unë nuk e besoj që ekziston dikush që ka edhe pak njohuri profesionale dhe që mund ta bëjë një gjë të tillë e aq më pak kryeministri i Kosovës, i cili e di shumë mirë se problematika është për vija dhe jo për sipërfaqe. Kur të përfundojnë vijat, atëherë mund të maten sipërfaqet”, tha profesor Isufi.

Në anën tjetër, zëdhënësi i ekzekutivit të vendit, Abdullahu, thotë se matja e territorit të Kosovës është në funksion të ri-dëshmimit se Kosova nuk humb territor. Megjithatë, sipas tij, është çështje e ekspertëve që të thonë vërejtjet dhe sugjerimet e tyre.

“Të vazhdojmë pra, t’i marrim parasysh edhe këto çfarë po thonë. Të ulemi, ta masim tokën dhe të vijmë në përfundime të caktuara. ne konsiderojmë se nuk ka problem tek këto pikë, sepse nisemi nga një periudhë e caktuar kohore. Qëllimisht nuk po i përmendi, sepse nuk jam ekspert i çështjeve në fjalë.

Por, ai territor që ka qenë, ai territor do të jetë dhe do të vërtetohet, konsiderojmë ne, me matjen e re”.

Por, profesor Isufi vlerëson se pretendimi që të matet sipërfaqja e vendit deri në vijën e kufirit me malin e Zi, të cilin e ka përcaktuar Komisioni shtetëror për shënimin e vijës kufitare, është, sipas tij, humbje kohe.

“Pse nuk na thërrasin ne dhe të thonë ‘hajde t’i shohim se cilat prej këtyre vijave po i masim. Ne i tregojmë se cilat duhet matur, cilat e sjellin Malin e Zi në sipërfaqen e vet dhe cilat na sjellin ne në sipërfaqen tonë. Kjo është shumë e thjeshtë në aspektin profesional. Vetëm se a duan?”, theksoi profesor Isufi.

Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi, që nga gushti i vitit 2015 i ka futur partitë në pushtet dhe ato opozitare në kundërshtime të thella. Partitë opozitare kanë kundërshtuar formën e tanishme të marrëveshjes dhe ratifikimin e saj në Kuvendin e Kosovës, me pretendimin se Kosova me këtë marrëveshje humbë rreth 8 mijë hektarë tokë të territorit të saj. Kundërshtimet e tilla vazhdojnë edhe sot. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG