Ndërlidhjet

Kontestohen shifrat për uljen e papunësisë në Kosovë


Shifrat rreth shkallës së papunësisë në Kosovë, të publikuara nga Agjencia e Statistikave, nuk janë shumë të besueshme për ekspertët, por edhe qytetarët.

Disa qytetarë të anketuar, nuk besojnë se ka ulje të shkallës së papunësisë, ashtu siç rezulton në anketën e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Sipas rezultateve të anketës së Fuqisë Punëtore të ASK-së, për tre mujorin e dytë të këtij viti, thuhet se shkalla e papunësisë ka rënë në 26.2 për qind nga 32.9 për qind sa ka qenë vitin e kaluar.

Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15 deri në 24 vjeç.

Kurse sa u përket të punësuarve, rreth 29 për qind e personave të punësuar kanë kontrata të përhershme në punën e tyre, kurse 71 për qind, kanë kontrata të përkohshme.

Egzona Krasniqi, studente në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, thotë se nuk beson që në realitet është ulur shkalla e papunësisë.

Një ulje e tillë, sipas saj, mund të ndodh në letra për shkak të interesave të caktuara të partive politike

“Duhet të rinumërohet apo të gjendet numri i saktë i të punësuarve dhe të dihet saktë se sa të papunë qëndrojnë në mënyrë vullnetare në shtëpi”.

“Ajo normë, ajo përgjigje, nuk është duke u matur në Kosovë dhe si rezultat i kësaj nuk ka ulje drastike të papunësisë, ashtu siç është shprehur edhe ministri i punës Arban Abrashi”, thotë Krasniqi.

Ngjashëm mendon edhe Flora, qytetare nga Prishtina. Ajo madje përmend mbylljen e shumë bizneseve, nga të cilat qytetarët kanë mbetur pa punë.

“Deri më tani nuk kam vërejtur se ka rritje të numrit të të punësuarve. Shumë biznese janë mbyllur për shkak të tatimeve dhe gjërave tjera që nuk janë në rregull. E kur mbyllen bizneset niveli i papunësisë rritet”, ka thënë kjo qytetare.

Ndërkohë, udhëheqës të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thonë se kohëve të fundit ka pasur disa lëvizje pozitive në këtë drejtim. Por, sipas tyre, nuk është e besueshme që niveli i papunësisë ka rënë në 26 për qind.

Haxhi Arifaj, kryetar i kësaj sindikate, konsideron se në terren shkalla e papunësisë mund të jetë mbi 40 për qind.

“Nganjëherë, ne duhet të kemi prirje tu besojmë mekanizmave shtetëror, por megjithatë në terren tregohet më ndryshe, për një papunësi që mund të arrijë deri në 40 për qind”.

“Por, brenga më e madhe për ne është se nuk mund të kemi statistika të sakta në asnjë mekanizëm shtetëror, për shkak se njerëzit nuk lajmërohen në zyrat e punësimit, për shkak se nuk besojnë se mund të sigurojnë një vend pune”, ka thënë Arifi.

Edhe ekspertë për çështje ekonomike, shprehen të rezervuar sa u përket rezultateve të ASK-së.

Drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, (STRAS) Ibrahim Rexhepi, nuk beson se këto anketa prezantojnë gjendjen reale në të cilën është Kosova.

“Sa për ilustrim, unë po përmendi vetëm një fakt, që në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës në fund të shtatorit kanë qenë më pak kontribues aktivë se sa në fund të dhjetorit të vitit të kaluar”.

“Norma prej 26.2 për qind, është një normë që më shumë kisha thënë e ka dozë të fabrikimit se sa është një perceptim i situatës reale”, ka thënë Rexhepi për Radion Evropa e Lirë.

Publikimi i këtyre rezultateve ka hapur debat edhe në mes partive në pushtet dhe atyre opozitare.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka shkruar në profilin e tij në rrjetin social Facebook se trendi i shkallës së uljes së papunësisë është rezultat i rritjes ekonomike, që sipas tij, për këtë vit konsiderohet më e larta në Evropë.

Kurse zyrtarë nga partia opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë deklaruar se nuk besojnë në rritjen ekonomike që po prezantohet dhe as në shifrat për uljen e papunësisë. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG