Ndërlidhjet

Kosova nuk është gati për Ligjin për lustrim


Përkundër nevojës për një Ligj për lustrim, në Kosovë ende nuk ekziston një klimë e favorshme politike për miratimin e tij.

Ligji do të “ndriçonte” veprimet në sistemin e kaluar komunist të personave me funksione në institucione politike dhe publike dhe të atyre që i pretendojnë këto funksione.

Nisma dhe propozimet për një Ligj të tillë ka pasur në Kuvendin e Kosovës rreth 7 vjet më parë, por ato kanë ngecur për shkak të mosgatishmërisë së deputetëve të partive që ishin në pushtet në atë kohë për ta miratuar atë.

Ismet Salihu, profesor i të Drejtës Penale, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpjegon se çfarë nënkupton Ligji për lustrim.

“Do të thotë, që të ndriçohet, kanalizohet dhe të prezantohet puna, sjellja, veprimet e personave, posaçërisht të këtyre që janë në pozita, deputetë, ministra, zëvendësministra, drejtorë të policisë, gjyqtarë, prokurorë, etj. Do të thotë, çfarë të kaluare kanë pasur më parë, posaçërisht në sistemin komunist, në vitet 70, 80-85, e sidomos në periudhën e aparteidit që ka qenë prej viti 1989 e deri ën shpërthimin e luftës”, ka thënë profesor Salihu.

Sipas tij, ndriçimi i tillë do të nevojitej për faktin që të konstatohet se a kanë personat e tillë integritet moral, etik, njerëzor për të qenë në pozitat drejtuese dhe përfaqësuese.

Nait Hasani, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se Ligji për lustrim ka qenë dhe mbetet i nevojshëm.

Por, sipas tij, sikurse para rreth 7 vjetësh, kur partitë në pushtet nuk kanë pasur vullnet politik ta miratojnë një ligj, ngjashëm edhe sot, vullneti i tillë mungon tek partitë e koalicionit qeverisës.

“Ky (Ligji për lustrim) do ta lironte politikën nga hipoteka dhe do të krijonte një mundësi për të ardhme më të mirë dhe për vullnetin e qytetarëve për ta pasur një të ardhme më të mirë. Kjo nuk është bërë për shkak se atëherë kishte një koalicion. Tani, mendoj se përsëri është një gjendje e tillë. Kjo do të thotë se përsëri nuk ka mundësi që të krijohet dhe shpresojmë për të ardhmen”.

Të nevojshëm Ligjin për lustrim e ka cilësuar edhe Armend Zemaj, deputet i Kuvendit të Kosovës nga Lidhja Demokratike të Kosovës. Sipas tij, rrethanat, kushtet dhe specifikat e tranzicionit në Kosovë kanë krijuar ambient në të cilin nuk është gjetur përkrahja për miratimin e një ligji të tillë.

Megjithatë, ai beson që tash nuk ekzistojnë pengesa të tilla për miratimin e këtij ligji.

Por, si e sheh ai hezitimin që ende ekziston për një Ligj të lustrimit?

“Tash, unë i takoj gjeneratës së re dhe ndoshta është e padrejtë që të paragjykojë për të kaluarën e shumë njerëzve, sepse kjo më shumë ta prekë një gjeneratë më të vjetër. Por, besoj që ata, vetvetiu, të cilët janë pjesë të vendimmarrjes, nuk duhet të hezitojnë që Kosova ta ketë një ligj të tillë, ashtu siç e kanë miratuar të gjitha vendet demokratike, sidomos ato, pas shpalljes së pavarësisë, e që kanë qenë të okupuara”.

Profesor Salihu thekson se përkundër asaj që ai beson se një Ligj për lustrim ka qenë dhe është i nevojshëm, megjithatë, sipas tij, në situatën aktuale që mbretëron në Kosovë, një ligj i tillë më shumë do të krijonte pasoja negative se sa pozitive.

“Për shkak se situata politike është mjaft e brishtë. Do të filloj punën edhe Gjykata speciale ne vitin e ardhshëm dhe po që se i hyjnë kësaj pune, në këto dy -tri vitet e ardhshme, do të ketë vetëm pasoja vetëm të dëmshme dhe asgjë nuk do të ketë dobi Kosova prej këtij ligji”.

Profesor Salihu thekson se miratimi i Ligjit për Lustrim vështirë se do të mund të shqyrtohet edhe 5 ose më shumë vjet, për shkak të ecurive që priten të ndodhin në tre apo katër vjetët e ardhshëm në Kosovë. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG