Ndërlidhjet

Policia sekrete e Maqedonisë paligjshëm ka përgjuar 5 mijë numra telefonik


Ilustrim
Ilustrim

Prokuroria Speciale Publike e Maqedonisë ka prezantuar rastin më të ri të hetimeve, të quajtur “Shënjestra” (TARGET), dhe ka bërë me dije se Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim ka përgjuar në formë të paligjshme rreth 5 mijë numra telefonik gjatë periudhës kohore 2008 - 2015.

“Kushtetuta e Maqedonisë, e miratuar më 17 nëntor të 1991, u garanton të gjitha të drejtat qytetarëve, por vlerat themelore të kësaj Kushtetute janë shkelur”, ka nënvizuar Prokurorja Speciale Publike, Katica Janeva.

Sipas saj, shkelja është bërë sidomos me përgjimet e paligjshme nga ana e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim.

Nga ana tjetër, prokuroja Fatime Fatahi tha se obligim moral i Prokurorisë Speciale Publike është të tregojë se kush dhe si ka përgjuar në formë të paligjshme.

Zonja Fetahi në formë të detajuar ka sqaruar para gazetarëve mënyrën se si të punësuarit në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare dhe përmes sistemit të përgjimit, pa asnjë urdhër nga gjykata, kanë vendosur në sistem mbi 5,000 numra të telefonave, të cilët në vazhdimësi janë përgjuar.

“Të përfshirë janë 10 persona - të punësuar në të kaluarën në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, por edhe të punësuar aktual në këtë institucion - nga nivelet më të larta në nivelet më të ulëta të saj. Dyshohet se këta persona kanë keqpërdorur të drejtën zyrtare dhe kompetencën. Ekziston dyshimi se personat kanë keqpërdorur sistemin e përgjimit. Dëshmitë tregojnë se nga 2008 deri më 2015 është ndjekur komunikimi i mbi 4 mijë e 287 numra telefonik, për të cilët nuk janë dhënë urdhra e gjykatës për tu ndjekur”.

“Përgjime janë bërë edhe para se të merret një urdhër gjykate, por edhe pasi që ka përfunduar i njëjti, me ç`rast janë përgjuar 1 mijë e 541 numra telefonik gjatë asaj periudhe”, tha prokurorja Fatime Fetahi.

Ajo ka nënvizuar se i dyshuari kryesor në këtë lëndë, i cili ka qenë në post udhëheqës në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, ka urdhëruar përgjimin e telefonatave të personave të ndryshëm, të afërt me të, përfaqësues të lartë politik, si dhe afarist të ndryshëm dhe gazetarë.

Ndërkohë, prokurorja Lençe Ristovska tha se nga materialet me të cilat disponon Prokuroria Speciale Publike del në pah se Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim është ajo që në formë të paligjshme ka ndjekur komunikimet.

“Të gjitha argumentet tona na dërgojnë drejt asaj se Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim ka përgjuar, që do të thotë se nuk ka lidhje me shërbimet e fshehta, shërbime të huaja ose mauna të verdha të cilët kanë lëvizur nëpër rrugët e qytetit të Shkupit”, ka theksuar prokurorja Ristevska.

Ajo ka hedhur poshtë pretendimet e ish kryeministrit Nikolla Gruevski se përgjimet janë bërë nga ana e shërbimeve të huaja për të destabilizuar shtetin.

Ndryshe, Prokuroria Speciale Publike deri tani, me rastin e sotëm Shënjestra, ka ngritur hetime për 9 raste, "Tortura", "Titanik", "Transporter", "TNT", "Fortesa", "Thesari", "Toplik" dhe "Tenderë", ku janë të përfshirë zyrtarë të lartë të shtetit, për veprime të ndryshme kriminale. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG