Ndërlidhjet

Gjykatat u përshtaten fushatave të partive politike 


Gjykatat e Shkupit po zvarrisin thuajse të gjitha proceset e nisura gjyqësore që janë pjesë e asaj që njihet si aferë e përgjimeve. Kjo dukuri është e pranishme që nga caktimi i datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që duhet të mbahen më 11 dhjetor.

Edhe pas dy muajve që kur u ngritën paditë nga Prokuroria Speciale ndaj zyrtarëve të lartë, përfshirë edhe ish-kryeministrin, Nikolla Gruevski, nuk ka nisur as edhe një seancë gjyqësore. Ndërsa ngjashëm është edhe me rastet ku nën hetime janë, ish-ministra, drejtorë dhe ish funksionarë tjerë.

Zvarritjen apo shtyrjen e seancave, gjykata e kanë arsyetuar me mungesës e ndonjërit nga personat e akuzuar, të palës mbrojtëse, për shkak të mbledhjes së fakteve, apo arsyeve tjera.

Por, njohësit e çështjeve juridike, në këtë shohin presione ndaj gjyqësorit, apo manovrime nga vet gjykatësit e emëruar në bazë të preferencave politike.

“Kjo edhe një herë dëshmon se ne nuk kemi gjyqësi e pavarur. Gjyqësori është nën presionin e politikës ditore dhe kjo për një shtet demokratik, për një shtet juridik nuk duhet të ndodhë pasi është rreptësisht e ndaluar”.

“Gjyqësori gjithmonë duhet të vazhdoj me dinamikën e paraparë dhe assesi nuk guxon që puna e pushtetit gjyqësor të jetë e kushtëzuar me proceset politike, siç janë tani zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, thotë Osman Kadriu, ligjërues i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin, ‘Fon’ të Shkupit.

Gjykatat duhet të jenë institucione të pavarura që duhet të bëjnë punën e tyre pavarësisht proceseve zgjedhore, apo zhvillimeve politike, thotë ndërkohë, profesori Temellko Ristovski, njohës i çështjeve juridike.

Sipas tij, në këtë rast, faji duhet kërkuar edhe në mesin e vet gjykatësve të cilët proceset gjyqësore i caktojnë në bazë të llogarive të tyre të interesit, apo që të mos jenë në shënjestër të pakënaqësive të grupeve të caktuara politike.

“Gjykatësi duhet të ketë parasysh të gjitha rrethanat dhe të jetë i përgatitur para çdo seance gjyqësore që të mos vijë në situatë të shtyj procesin e nisur. Por, vlerësoj se ka edhe manovrime nga ana e institucioneve gjyqësore, që gjithsesi se në pozita janë në bazë të shërbimeve që i kanë bërë garniturës aktuale qeverisëse”, thotë Ristevski.

Nga ana tjetër, profesori Osman Kadriu, thotë se shtyrje të seancave gjyqësore mund të ketë, por në rast të nevojës për sigurimin e provave apo të ndonjë ekspertize të domosdoshme për mbarëvajtjen e një procesi gjyqësor të besueshëm.

“Tani ne nuk kemi shtyrje të proceseve gjyqësore për shkak të provave, për ndonjë ekspertizë, por këtu është e qartë se shtyrja bëhet për arsye politike”, thotë Kadriu.

Në listat zgjedhore të partive, para së gjithash të VMRO DPMNE-së gjenden emrat edhe të kandidatëve që po hetohen nga Prokuroria Speciale për shpërdorime të shumta të detyrës zyrtare, manipulime zgjedhore, presione ndaj mediave, kurdisje të tenderëve, e raste të tjera.

Përveç tyre, në listat e kësaj partie ndodhet edhe një i dënuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës. Bëhet fjalë për Johan Traçullovskin, i dënuar me 12 vjet burg për një masakër në fshatin Luboten të Shkupit ku gjatë konflikti të viti 2001 ishin vrarë dhjetë civil shqiptarë. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG