Ndërlidhjet

Marrëveshja për kodin nuk e zhbllokon themelimin e Asociacionit 


Ilustrim
Ilustrim

Institucionet e Kosovës nuk do të ndërmarrin asnjë hap drejt formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, përderisa Serbia nuk i shuan strukturat paralele të pushtetit në veri dhe nuk fillon me zbatimin e marrëveshjes për kodin telefonik. Kështu thonë në Kabinetin e Kryeministrit të Kosovës dhe në Ministrinë për Dialog në Qeverinë e Kosovës.

Komisioneri i BE-së për Zgjerim dhe Negociata, Johannes Hahn, si dhe shefi i delegacionit të BE-së në Serbi, Majk Davenport, në deklarimet e para pas marrëveshjes për kodin telefonik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, kishin deklaruar se ky mund të ishte një hap përpara edhe drejt krijimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Por, në Qeverinë e Kosovës, fillimisht presin më shumë përparime nga Beogradi në kuadër të zbatimit të marrëveshjeve të arritura.

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, është shprehur optimiste se Serbia kësaj radhe do të zbatojë marrëveshjen për kodin telefonik dhe, siç tha ajo, pas fillimit të zbatimit të marrëveshjes gjërat do të lëvizin përpara edhe për themelimin e Asociacionit.

"Për ne si qeveri dhe si palë në bisedime, zbatimi është me rëndësi. Pasi që të ndodh zbatimi për kodin telefonik, atëherë mund të flasim për mundësitë e fillimit të zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin. Unë jam optimiste, duke u bazuar në faktin se zbatimi i marrëveshjeve të dialogut është kusht për të dyja shtetet në përparim drejt Bashkimit Evropian", tha Tahiri për Radion Evropa e Lirë.

Edhe këshilltari politik i kryeministrit të Kosovës, Faton Abdullahu, tha për Radion Evropa e Lirë se për të vazhduar me procedurat rreth themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe duhet një konstruktivitet shumë më i madh i palës serbe në dialog. Sipas tij, Kosova dhe Serbia kanë arritur shumë marrëveshje, por zbatimi i tyre në praktikë nga pala serbe nuk po ndodh.

"Na duhen ende prova për të na dhënë të kuptojmë sa ja vlen të vazhdohet edhe me marrëveshje tjera apo edhe me rastin konkret, me Asociacionin. Ne obligohemi parimisht, në forma të ndryshme, për ta themeluar [Asociacionin]. Por, natyrisht, gjithmonë duke pasur parasysh vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese që të mos ndodh diçka, çka të tjerët shpesh herë, ndoshta me dashakeqësi e thonë, mbase edhe nga brenga, se ky asociacion do të jetë ndonjë qeverisje diku ndërmjet lokales dhe qendrores, gjë që nuk do të lejohet në asnjë variant", tha Abdullahu.

Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, ligjërues në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë tha se pavarësisht marrëveshjeve të arritura në Bruksel, çështja e formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe do të jetë problematike.

Muhaxhiri konsideron se për të shpjeguar rëndësinë dhe mënyrën se si do të funksionojë Asociacioni, institucionet përkatëse është dashur që të angazhojnë ekspertë vendor dhe ndërkombëtar për të punuar në ketë drejtim.

"Tash duhet të ketë hapa konkret dhe strategji të sakta dhe të detajuara për atë se si do të duket Asociacioni. Ka pasur shumë kritika ndaj Asociacionit dhe kjo është dashur që ta nxis qeverinë që të përkushtohet maksimalisht ndaj kësaj çështjeje. Në fakt, kjo nuk ka ndodhur dhe duket se prapë do të kemi përsëritje të skenarëve të kaluar kur qeveria nuk është në gjendje ta mbrojë atë për të cilën është marr vesh në Bruksel", tha Muhaxhiri.

Ndërkohë, ministrja për dialog, Edita Tahiri, ka përsëritur disa herë se pa shuarjen e të gjitha strukturave paralele në veri të Kosovës nuk do të nis formimi i Asociacionit.

Shuarja e këtyre organeve është një nga kushtet për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, si një prej marrëveshjeve kryesore të arritura në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel.

Tahiri ka deklaruar se disa nga ato struktura janë “zhbërë dhe po zhbëhen" dhe se për ata njerëz që kanë punuar në ato struktura është aplikuar Ligji për Amnisti.

Në veri të Kosovës vazhdon funksionimi i strukturave paralele serbe, kanë konstatuar së fundmi edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës nga komisionet për Siguri dhe nga Komisioni për mbikëqyrje të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Këto struktura janë themeluar dhe mbështetur nga Beogradi zyrtar, që nga periudha e pasluftës. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG