Erdogan uron Trumpin
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se shpreson se fitorja e Donald Trump në zgjedhjet presdienciale të SHBA-së do të çojë drejt hapave pozitivë për Lindjen e Mesme dhe për të drejtat themelore, demokracinë dhe liritë në botë.
Mogherini: Lidhjet BE dhe SHBA më të thella se ndryshimet në politikë
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Federika Mogherini ka thënë se “BE-ja do të vazhdojë të bashkëpunojë me SHBA-në”.
“Lidhjet ndërmjet BE-së dhe SHBA-së janë më të thella se sa çdo ndryshim në politikë”, ka thënë Mogherini
Edhe kryeministri turk uron Trumpin
Kryeministri turk, Binali Yildirim, i ka uruar fitoren Donald Trumpit në zgjedhjet për president të SHBA-së. Në urimin e tij thuhet se kjo është një mundësi për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Yildirim, në një fjalim në Ankara, të cituar nga Reuters, tha se “një faqe e re” do të mund të hapet ne marrëdhëniet SHBA-Turqi nëse Washingtoni do të ekstradonte klerikun turk që jeton në SHBA, të cilin Turqia e akuzon për organizimin e puçit të dështuar në korrik.
Putin uron Trumpin
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i ka uruar fitoren Donald Trumpit në zgjedhjet për presidentin e 45-të të SHBA-së, njofton Reuters, duke cituar Kremlinin.
“Putini ka shfaqur shpresën për një punë të përbashkët në rivendosjen e marrëdhënieve SHBA-Rusi nga gjendja e krizës, dhe gjithashtu për të adresuar çështjet ndërkombëtare dhe në kërkim të përgjigjeve efektive për sfidat që kanë të bëjnë me sigurinë globale” , tha Kremlini në një deklaratë.