AP sjell edhe disa rezultate...
Agjencia e lajmeve Associated Press raporton se kandidatja demokrate për presidente të SHBA-së, Hillary Clinton, ka fituar në shtetet: Delauer, Merilend, Masaçusets, Nju Xhërsi dhe Distrikti i Kolumbisë.
Në anën tjetër, kandidati republikan, Donald Trump, ka fituar në Misisipi dhe Oklahoma.
Një i vrarë pranë një vendvotimi në Kaliforni
Një person është vrarë dhe së paku tre janë plagosur pranë një vendvotimi në qytetin Azusa të Kalifornisë.
Incidenti me armë zjarri ka bërë që autoritetet të mbyllin vendvotimin, tha policia.
I dyshuari besohet se po fshihet diku në afërsi.
Nuk ka ende ndonjë tregues se incidenti lidhet me ditën e zgjedhjeve apo qendrën e votimit, tha policia.
Mediat amerikane: Trump fiton në Uest Virxhinia
Mediat amerikane raportojnë se kandidati republikan për president, Donald Trump, ka fituar në shtetin Uest Virxhinia, duke siguruar pesë vota elektorale atje.
Uest Virxhinia ka votuar për kandidatët republikanë në të katër palë zgjedhjet e fundit presidenciale në SHBA.
Për t'u shpallur fitues, kandidatit i duhet shumica e 538 votave të Kolegjit Zgjedhor.
Trump në epërsi në numërimin e Kolegjit Zgjedhor
Vendvotimet janë mbyllur në gjashtë shtete amerikane dhe qytetarët presin me padurim rezultatet e para të zgjedhjeve presidenciale.
Kandidati republikan, Donald Trump, ka një epërsi të vogël në numërimin e Kolegjit Zgjedhor, përballë rivales demokrate, Hillary Clinton.
Por, shtetet në të cilat ka fituar Trump nuk konsiderohen të rëndësishme dhe të dyja fushatat janë duke pritur për vendet me popullsi më të mëdha.
Kandidati që siguron shumicën e 538 votave të Kolegjit Zgjedhor do të pasojë presidentin aktual të SHBA-së, Barack Obama.