Një aksident trafiku - i shkaktuar nga një zyrtar i lartë i qeverisë maqedonase - ka ngritur debate të shumta mbi mos përgjegjësinë e funksionarëve shtetëror në rast të shkeljes së ligjit.
Në fakt, zëvendësministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov, ka shkaktuar një aksident, duke goditur - në gjendje të dehur - disa makina, gjatë drejtimit të një makine zyrtare dhe pas incidentit ka ikur nga vendi i ngjarjes.
Të dhënat janë konfirmuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga dëshmitarë, edhe pse nga partia e tij, VMRO DPMNE, kanë thënë se Spasov ka shkaktuar aksident në ikje nga një grup kriminelësh që ishin lëshuar pas makinës së tij.
Nga partia e Gruevskit kanë thënë se rasti duhet t’i lihet organeve kompetente dhe se partitë nuk duhet të sjellin vendime apo të ndërmarrin hetime lidhur me këtë, por edhe raste tjera.
Këto pretendimet janë hedhur poshtë, si përpjekje për të ruajtur zyrtarin e qeverisë. Madje, vet ministrja e punës, Frosina Remenski nga LSDM-ja opozitare, e cila merr pjesë në qeverinë kalimtare për organizimin e zgjedhjeve, ka kërkuar dorëheqjen e zëvendësit të saj.
“Dime Spasov duhet të tërhiqet nga pozicioni i zëvendësministrit, për shkak të veprimit të tij të papërgjegjshëm. Për qëllime dhe interesa private, ai ka drejtuar automjetin zyrtar, pasi nuk ka asnjë dëshmi se vetura është përdorur për shërbime qeveritare, ndërsa veç kësaj ai ka rrezikuar edhe sigurinë e udhëtarëve në komunikacion, andaj ai duhet të dorëhiqet”, ka thënë ministrja Remenski.
Njohësit e çështjeve juridike thonë se në rastin konkret - të paktën zyrtari që ka shkaktuar aksidentin, edhe pse pa pasoja në njerëz - do të duhej të jepte dorëheqje, por, sipas profesorit Bashkim Selmani, një veprim i tillë nuk ndodh në Maqedoni, pasi institucionet janë mbi ligjin.
“Ata që i bëjnë ligjet dhe që i detyrojnë qytetarët për t'i respektuar ato, në fakt ata janë shkelësit më të mëdhenj, që realisht nuk kanë asnjë përgjegjësi. Pra, në këtë rast, ne kemi argumente se në Maqedoni nuk funksionon shteti i së drejtës dhe ligjet që miratohen bëjnë përjashtime”, thotë Bashkim Selmani, profesor i së drejtës penale në Universitetit e Tetovës.
Reagime ka pasur edhe nga sektori civil, i cili gjithashtu kërkon përgjegjësi, jo vetëm nga Dime Spasov, por edhe nga çdo zyrtar tjetër që mund të shkaktojë aksidente apo të shkel ligjin. Pohimet se Spasov ka qenë i sulmuar nga grupe kriminale, aktivistët i vlerësojnë si qesharake.
“Ne kishim mundësi të dëgjojmë gënjeshtrën më të mëdhe nga radhët e tyre se gjoja Dime Spasov, në fakt, ka qenë i sulmuar nga disa shqiptarë që, sipas tyre, kanë të kaluar kriminale...pra, gjoja ai ka qenë i detyruar të ikë që të shpëtojë kokën. Kjo është gënjeshtër e pa dëgjuar ndonjëherë."
"Ne kërkojmë përgjegjësi nga ky zyrtar i papërgjegjshëm. Vazhdojmë të kërkojmë nga organet e ndjekjes penale dhe të sigurisë që të mos e kursejnë këtë zyrtar - por edhe për të - të vlejë ligji ashtu siç vlen edhe për qytetarët e tjerë”, thotë Pavle Bogoevski, aktivist i shoqërisë civile dhe përfaqësues i Komitetit të Helsinkit.
Aksidente komunikacioni nga zyrtarët kanë ndodhur edhe më parë në Maqedoni, por edhe shkelje tjera, si: kërcënime e sulme fizike ndaj gazetarëve e personave të tjerë, mirëpo deri më tani asnjë prej tyre nuk paraqitur dorëheqje apo të jetë ndjekur nga institucionet kompetente. (REL)
Facebook Forum