Ndërlidhjet

Nisin inspektime të gjera ndaj noterëve 


Ilustrim
Ilustrim

Dyshimet për përfshirje të noterëve në vepra penale, ka shtyrë anëtarët e Komisionit për legjislacion në Kuvendin e Kosovës të kërkojnë nga Ministria e Drejtësisë që një komision gjegjës të bëjë një inspektim të punë së tyre.

Albulena Haxhiu, kryetare e Komisionit për legjislacion në Kuvendin e Kosovës, ka thënë në mbledhjen e fundit të këtij komisioni se ka dyshime se disa nga noterët në Kosovë dyshohet se kanë kryer marrëveshje kriminale.

"Janë duke u hetuar dhe akuzuar për marrëveshje kriminale", tha Haxhiu.

Nga ana tjetër, Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka deklaruar se ministria, ka një komision të veçantë i cili është duke bërë inspektime në terren.

"Ne kemi komision për inspektim në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë dhe jemi duke i trajtuar me seriozitetin më të madh të gjitha ankesat dhe rastet të cilat ne i marrim informacionet", tha ministrja Hoxha.

Sipas saj, ministria do të përgatis një raport për ketë çështje të cilin do t’ia dërgojë në Komisionin për legjislacion në Kuvend.

Në Ministrinë e Drejtësisë është bërë e ditur se deri tani në Kosovë janë licencuar 74 noterë dhe thuhet se në proces të licencimit ka edhe të tjerë.

Nënkryetari i Odës së Noterëve të Kosovës, Aliriza Beshi, tha për Radion Evropa e Lirë se Oda në vazhdimësi zhvillon inspektimin e brendshëm për punën e noterëve.

Ai tha se nga inspektimet e bëra ka pasur rate kur noterët kanë bërë shkelje por, sipas tij, shkeljet nuk kanë qenë të mëdha.

"Ka vërejtje dhe ka shkelje, por jo qenësore. Aty ku ka pasur pak më rënd kemi iniciuar proceduara disiplinore. Ne problemet më të mëdha i kemi në interpretimin e ligjeve, apo ligjet jo të qarta. Prandaj një noter interpreton ndryshe, ky interpreton ndryshe, ndonjëherë me qëllim apo pa qëllim", tha Beshi.

Komisioni nga Departamenti për Profesione të Lira, në Kuadër të Ministrisë së Drejtësisë ka inspektuar zyrat e noterit, Orhan Gashi në Prizren.

Zoti Gashi ka treguar për Radion Evropa e Lirë se cilat kanë qenë kërkesat e komisionit.

"Inspektimi ka qenë i rregullt. Komisioni i inspektimit është ndalur te disa lëndë, sipas përzgjedhjes së tyre të lirë dhe kanë marr disa lëndë ; një të trashigimisë, një kontratë të shitblerjes, një lëndë të ndarjes të pronës dhe një autorizim. Pra, ka qenë zgjedhja e tyre e lirë. Qëllimi i tyre sigurisht ka qenë brenda mundësive ligjore që edhe ne të avancojmë që t'i eliminojmë edhe ato defekte nëse i kemi të vogla apo të mëdha", tha Gashi.

Shërbimi i noterisë është shërbim juridik dhe publik që e ka për qëllim mbrojtjen e interesave të ligjshme të personave fizik dhe juridik në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës se Kosovës.

Noteri është jurist profesional, zyrtarë publik, i emëruar nga Ministria e Drejtësisë, për ta ushtruar veprimtarinë e përcaktuar me ligj.

Ligji për përmbaruesit privat, për noterët dhe ai për ndërmjetësim janë në proces të amandamentimit dhe pritet që fillimisht të miratohen në Qeverinë e Kosovës dhe më pas edhe në Kuvend.

Për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, gjatë këtij viti ka pasur raste kur policia ka arrestuar edhe noterët. (REL)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG