Ndërlidhjet

Shtrohet nevoja e mbylljes së Agjencisë së Privatizimit


Petrit Gashi - Drejtor i Agjencisë së Privatizimit
Petrit Gashi - Drejtor i Agjencisë së Privatizimit

Agjencisë Kosovare të Privatizimit i nevojiten edhe shtatë vite kohë, në mënyrë që të përfundojë procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe aseteve të tyre në Kosovë, thonë udhëheqës të kësaj agjencie.

Drejtori i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Petrit Gashi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se që nga fillimi i procesit janë privatizuar vetëm 50 për qind e ndërmarrjeve shoqërore.

Ai shprehet se do të ishte mirë që AKP-ja të mbyllet për periudhën tre vjeçare, për shkak të kostos që bart, por kjo, sipas tij, është e pamundur.

“Prej mbi 500 ndërmarrjeve, deri më tani procesi ka përfunduar për shtatë prej tyre, kurse për dy të tjera pritet që të përfundojë në muajt në vijim. Rreth 460 asete të ndërmarrjeve janë në proces të likuidimit. Në total si astete, ne administrojmë ose presim që të shiten rreth 1,700 sosh”.

“Këto shifra flasin që mbi 50 për qind e pronave nuk janë trajtuar ende, çka do të thotë se është e pamundshme që ne të përfundojmë procesin për tre vite”.

"Menaxhmenti jonë është duke punuar shume në një strategji dalëse të agjencisë dhe - sipas analizave fillestare - një plan më real do të ishte mes 5 ose 7 vitesh, së paku që agjencia t'i mbyllë punët", shprehet Gashi.

Zyrtarë qeveritarë kanë deklaruar për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës së shpejti pritet të dërgojë në Kuvend ligjin i cili parasheh mbylljen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe përmbylljen e procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore.

Ky ligj do të përcaktonte kohën se kur do të përfundonte procesi i privatizimit.

Aty ishte përmendur afati kohor 2 apo 3 vjeçar.

Edhe Petrit Gashi nga Agjencia e Privatizimit e pranon se gjatë takimeve me zyrtarë të institucioneve të Kosovës, vazhdon të përmendet ky afat kohor.

Por, ai thotë se është e pamundur të përfundohen të gjitha punët, për shkak se vonesa - në këtë kuadër - mund të paraqiten edhe nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Speciale.

“Korniza institucionale e procesit të privatizimit nuk e mbulon vetëm agjencinë, por edhe Dhomën e Posaçme të Gjykatës Speciale, dhe në gjendjen në të cilin është kjo Dhomë, aty do të jenë vonesat”.

“Ne si Agjenci do t'i kryejmë punët tona deri në 5 ose 7 vite. Por, jemi në një fazë ku po provojmë të vijmë me një plan, me një afat kohor optimal, që ta përmbyllim procesin”, shprehet Gashi.

Por, ekspertë për çështje ekonomike e konsiderojnë të palogjikshme kërkesën e funksionimit të AKP-së edhe për shtatë vite.

Mbyllja e kësaj agjencie për një periudhë më të shkurtë do të kontribuonte edhe në ekonominë e vendit, thotë Ismail Kastrati, ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.

Më tutje ai shprehet se ndërmarrjet e mbetura, duhet të shkojnë përmes procesit të likuidimit.

“Logjika është se sa më shpejtë të mbyll funksionin AKP-ja, më mirë është edhe për ekonominë e Kosovës, sepse AKP një pjesë të mirë të mjeteve nga privatizimi po i gllabëron vet”.

“Ka një administratë të madhe dhe të shtrenjtë e cila sigurisht që kërkon mjete për të ekzistuar dhe funksionuar për një kohë sa më të gjatë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Ismail Kastrati.

Pavarësisht, periudhës kohore kur mund të përfundojë procesi i privatizimit, ky proces në Kosovë, nga ekspertë të ndryshëm për çështje ekonomike, është konsideruar i pasuksesshëm dhe nuk ka mundur të arrijë objektivat e veta ekonomike. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG