Ndërlidhjet

Plani “B” për Brezovicën në pritje të Ligjit për investime strategjike 


Ilustrim
Ilustrim

Dhënia me koncesion e kompleksit turistik Brezovica do të mund të bëhet përmes Ligjit për Investime Strategjike - kur ky të hyjë në fuqi - apo edhe përmes përsëritjes së procedurave të tenderimit, të cilat do të fillonin nga pika zero, bëjnë të ditur përfaqësues të Qeverisë së Kosovës.

Ligji për Investime Strategjike, i miratuar dy javë më parë, ende nuk është dekretuar nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për shkak se deputetët e Listës Serbe i janë drejtuar me kërkesë Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e ligjshmërisë së miratimit të këtij Ligji.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, thotë për Radion Evropa e Lirë se janë duke promovuar projektin për Brezovicën dhe janë dukë shikuar mundësitë më të mira për zbatimin e projektit për zhvillimin e kësaj qendre turistike.

“Ligji për Investime Strategjike nuk është bërë në mënyrë të veçantë për Brezovicën, por, sigurisht, si ligj mund të shfrytëzohet edhe për atë projekt, pasi që është një projekt i madh dhe i një rëndësie strategjike."

"Ka pasur një numër të investitorëve të cilët janë interesuar në procedurën e parë të prokurimit, mirëpo të cilët nuk kanë pasur interesin që të hyjnë në kombinime me investitorin e atëhershëm”, thotë Bajrami.

Qëllimi kryesor Ligjit për Investime Strategjike është eliminimi i barrierave, procedurave burokratike - penguese të deritashme - procedurave të stërgjatura, e deri te rritja e transparencës për realizimin e investimeve të huaja në Republikën e Kosovës.

Ligji i mundëson Qeverisë që të negociojë drejtpërdrejtë me investitorët e huaj, por edhe ata vendorë.

Ky ligj, sipas ministres Hykmete Bajrami, mund të sjell investitorë të mëdhenj për Brezovicën.

“Ne jemi duke promovuar projektin intensivisht te kompanitë e ndryshme. Në momentin që ka kërkesa dhe interesim nga ana e kompanive ne mund të kemi edhe diçka të re, nuk është diçka që varet nga ne. Projektin e kemi të gatshëm, por duhet të shohim a ka investitorë të interesuar”, thotë ministrja Bajrami.

Kompleksi turistik “Brezovica” është një nga potencialet më të mëdha turistike që ka Kosova, si qendër e turizmit veror dhe dimëror.

Në qershor të këtij viti, Qeveria e Kosovës pati përmbyllur si të dështuar procesin e koncesionimit të qendrës turistike “Brezovica”, pasi që konsorciumi francez “MDP Consulting –Compagnie des Alpes” pati dështuar të përmbushë përmbylljen financiare dhe të sigurojë mjetet e nevojshme për implementimin e fazës së parë për zhvillimin e projektit të Brezovicës.

Udhëheqësi i Shoqatës së Turizmit në Kosovë, Zekë Çeku, thotë për Radion Evropa e Lirë se janë bërë gabime qysh nga fillimi i procesit të privatizimit të kompleksit Brezovica.

“Projekti i Brezovicës ka qenë një ëndërr e papërgatitur mirë që nga fillimi, ka qenë një proces i cili është udhëhequr nga njerëz pa përvojë dhe jo kompetent, madje edhe ministria nuk ka pasur kapacitetet njerëzore dhe profesionale që të merret me këtë çështje si duhet, prandaj edhe ka dështuar”, thekson ai.

Rrethanat ekonomike dhe problemet politike në të cilat ka kaluar Kosova gjatë kohës së fundit, thekson Çeku, janë edhe disa nga arsyet tjera që kanë ndikuar që dhënia me koncesion e kompleksit turistik Brezovica të dështojë si proces.

“Të gjitha këta janë probleme që e kanë përcjell procesin e Brezovicës. Tani po flitet se është një plan B për Brezovicën dhe kjo të bëhet përmes ligjit për investime strategjike...kjo është në rregull, por asnjë ligj, asnjë proces i privatizimit nuk mund të shkojë pa u përgatitur si duhet dhe pa u udhëhequr si duhet”.

“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nuk i ka këto kapacitetet njerëzore profesionale dhe mendoj që ky proces i dhëniës me koncesion i Brezovicës duhet të shkojë në nivel të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, e cila ka kapacitete më të mëdha”, thekson Çeku.

Kompleksi turistik Brezovica ndodhet në pjesën veriperëndimore të maleve të Sharrit, në komunën e Shtërpcës, komunë kjo e banuar me shumicë serbe.

Brezovica është qendër e njohur turistike që gjendet në lartësi mbidetare prej 900 deri në 2,522 metra, me një hapësirë prej 2,500 hektarësh dhe është larg vetëm 60 kilometra nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG