Ndërlidhjet

Kosova, dy kritere larg liberalizimit të vizave


Takimi Vesli - Danielsson
Takimi Vesli - Danielsson

Kanë mbetur vetëm dy kritere të pa plotësuara, por të cilat e mbajnë Kosovën ende larg procesit të liberalizimit të vizave. Ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, përmes shembujve konkretë, janë dy kriteret e fundit që kanë mbetur në agjendën e institucioneve të Kosovës, para se Bashkimi Evropian të merr hapin final për heqjen e vizave.

Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim i Komisionit Evropian, Christian Danielsson, të hënën dhe të martën ka takuar në Prishtinë përfaqësuesit e institucioneve, partive politike, përfshirë edhe ata të opozitës, të cilëve u ka bërë të qartë se këto dy kritere duhet të plotësohen, para se të shpresohet në heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Nga 95 kriteret, Kosova tashmë i ka përmbushur 93. Dy kriteret që kanë mbetur të përmbushen janë Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi dhe aspektet që dëshmojnë për forcimin e sundimit të ligjit përmes luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka thënë Danielsson.

Zyrtari i Komisionit Evropian i ka siguruar përfaqësuesit politik në Prishtinë se sapo të përmbushen edhe kriteret e fundit, Brukseli është i gatshëm ta ndihmojë Kosovën në angazhimet e saj për të ardhme dhe perspektive evropiane.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, e ka njoftuar përfaqësuesin e lartë të Komisionit Evropian për angazhimet e institucioneve të Kosovës për përmbushjen e kritereve që kanë të bëjnë me agjendën evropiane.

Ai theksoi nevojën e përmbylljes sa më të shpejtë të procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën, duke u mundësuar qytetarëve të saj lëvizjen e lirë në zonën Schengen.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka ritheksuar angazhimin e tij dhe të qeverisë që të plotësojnë këto dy kritere të mbetura. Me qëllim të ratifikimit unanim të Demarkacionit, Mustafa sërish ka përmendur edhe harmonizimet me opozitën, por nuk ka treguar për format se si mendon ta realizojë këtë qëllim.

“Ne do të punojmë që t’i përmbushim edhe dy kriteret e mbetura. Për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi do të punojmë edhe me opozitën. Me Malin e Zi nuk kemi asnjë problem dhe jemi plotësisht të kënaqur me bashkëpunimin”, ka thënë Mustafa.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve integruese evropiane, Emrush Ujkani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se kriteri për luftimin e krimit dhe korrupsionit do të mbetet një proces i vazhdueshëm. Kurse Demarkacioni me Malin e Zi, sipas tij, është kriter që duhet të përmbushet ose nuk do të mund të ecet përpara drejt liberalizimit të vizave.

“Kriteri që ka të bëjë me luftimin e korrupsionit, mendoj se është një kriter që do të mbetet në proces për një kohë të gjatë. Por, kërkohet që së paku në aspektin institucional dhe formalo-juridik se janë ndërmarrë disa hapa konkret që do të lënë gjurmë në këtë drejtim ose që do të ishin një argument para Bashkimit Evropian se Kosova po merret seriozisht me luftimin e krimit dhe korrupsionit."

"Por, mendoj se çdo gjë sillet rreth asaj se Kosova duhet ta ratifikojë marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi dhe kjo duhet të ndodhë me qëllim që të ecet përpara në agjendën evropiane, konkretisht ën liberalizimin e vizave”, ka thënë Ujkani.

Ndryshe, Drejtori i Përgjithshëm Danielsson ka thënë gjatë kësaj vizite në Prishtinë se përmbushja e kritereve të fundit do të mundësonte hapin tjetër në Bruksel për marrjen vendimit pozitiv nga Këshilli dhe Parlamenti Evropian për të transferuar Kosovën në listën e shteteve pa viza, në kuadër të zonës Schengen. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG