Ndërlidhjet

Qytetarët thonë se pasaporta e Kosovës ‘nuk bën punë’


Pasaporta e Kosovës në radhitjen ndërkombëtare të fuqisë së pasaportave
Pasaporta e Kosovës në radhitjen ndërkombëtare të fuqisë së pasaportave

Në radhitjen ndërkombëtare të fuqisë së pasaportave të vendeve në botë, Kosova është paraqitur në vendin e 86-të, marrë parasysh se qytetarët e saj mund të udhëtojnë në vetëm 41 vende të botës - pa viza.

Ky është rezultati i një hulumtimi të një kompanie amerikane që flet për fuqinë e pasaportave të shteteve të botës, bazuar në ‘lirinë e lëvizjes së bartësit të një pasaporte në shtete të ndryshme, pa pasur nevojë për vizë’.

Kosova, sipas hulumtimit të bërë nga Kompania këshillëdhënëse financiare amerikane, radhitet në mesin e vendeve me pothuajse “më pak liri të lëvizjes, për shkak të nevojës së pajisjes me viza të qytetarëve të saj”.

Këtë hulumtim të kompanisë amerikane e mbështesin edhe vet qytetarët në Kosovë, të cilët thonë se pasaportën e tyre shumë pak mund ta shfrytëzojnë, pasi sipas tyre, ‘Kosova është një vend i izoluar dhe nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së’.

Një i ri nga Prishtina, Orhan Binishi, tha se qe tri vite është pajisur me pasaportë të Kosovës, por nuk e ka shfrytëzuar asnjëherë.

"Pasaportën e kam lanë qe sa kohë në shtëpi, në orman edhe po rrin qaty, nuk po bënë punë hiq", tha Binishi, duke shtuar se nuk ndjehet mirë që Kosova radhitet në mesin e shteteve pasaporta e së cilave nuk ka fuqi.

Altin Hoti, student në Universitetin e Prishtinës, tha për Radion Evropa e Lirë se pasaporta e Kosovës aktualisht ka shumë pak vlerë.

"Pasaporta që kemi nuk na bën punë pothuajse fare. Në Shqipëri mund të shkoj edhe me letërnjoftim. Për në shtete tjera nevojitet viza. E kjo do të thotë se nuk të vlen ai pasaport dhe nuk ja vlen as ta kesh", tha Hoti.

Flutura Krasniqi, studente në Fakultetin e Edukimit, tha se është krenare që ka një pasaportë të Republikës së Kosovës, por asaj nuk i vjen mirë që me të nuk mund të lëvizë në më shumë se 41 vende pa viza.

"Ndihem krenare qe e kam këtë pasaportë, por besoj se shumë shpejt do të bëhet [liberalizimi i vizave] dhe do të mund të shkojmë në vende të tjera, sepse jemi shumë të kufizuar. Unë kam pas vizë Schengen një herë dhe kam mundur të vizitojë 4 shtete", tha Krasniqi.

Problemet e Kosovës në njohjen dhe konsolidimin ndërkombëtar e kanë zbehur, thonë ekspertët, edhe fuqinë e dokumentit të saj të udhëtimit.

Qytetarët e Kosovës, thonë ekspertët, vazhdojnë të presin në Prishtinë ose Shkup për marrjen e vizave për udhëtim në ndonjërin prej vendeve të BE-së.

Së fundi, Komisioni Evropian ka rekomanduar hapjen e mundësisë për lirinë e lëvizjes për qytetarët e Kosovës, duke vënë edhe kushte për liberalizim të vizave. Aktualisht, Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor, thonë njohës të integrimeve evropiane, qytetarët e të cilit nuk mund të udhëtojnë jashtë vendit pa një vizë të vlefshme.

Autoritetet në Prishtinë, ndërkaq, thonë se “qytetarët e Kosovës janë më të izoluarit në Ballkan”.

Zëvendësministri i integrimeve evropiane, Ramdan Ilazi, i tha Radios Evropa e Lirë se vazhdimi i ‘izolimit të qytetarëve të Kosovës është cenim i përpjekjeve për ndërtimin e një shoqërie të hapur dhe demokratike në Kosovë’.

Sipas tij, në një situatë në të cilën gjendet Kosova, ‘shumë qytetarë kanë shikuar për alternativa, përfshirë identifikimin e mënyrave për të marrë një pasaportë nga ndonjëri prej shteteve fqinje të Kosovës’.

"Këtë situatë duhet ta shohim me shqetësim, sepse kjo dëmton edhe marrëdhëniet e qytetarëve me shtetin e tyre dhe rrënon besueshmërinë e qytetarëve në procesin e integrimit evropian."

"Bashkimi Evropian nuk duhet të vonohet me Kosovën, sikurse që ne duhet të tregojmë përkushtim më të madh përtej agjendave politike ndaj obligimeve që kemi nga procesi i integrimit evropian, i cili është i shpallur nga të gjitha forcat politike si prioritet kombëtar. Pasojat e vonesave mund të jenë serioze dhe të rrezikojnë rezultatet e arritura në Kosovë", tha Ilazi.

Por, ekspertët e integrimeve evropiane thonë se numri vogël i vendeve ku kosovarët mund të udhëtojnë pa viza manifeston nivelin e izolimit të Kosovës në botë.

Shenoll Muharremi, ekspert i fushës, i tha Radios Evropa e Lirë se kjo dëshmon edhe për “vështirësitë dhe dështimet në diplomacinë kosovare që prej shpalljes se pavarësisë”.

"Në anën tjetër, qeverisja e dobët dhe mungesa e zhvillimit të brendshëm nuk e ka ndihmuar situatën e konsolidimit të brendshëm dhe ndërkombëtar të Kosovës. Ne, përveç në raste individuale në sport, kemi dështuar të prodhojmë lajme te mira ndërkombëtarisht", tha Muharremi.

Në ranglistën e prezantuar nga kompania amerikane të fuqisë së pasaportës, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë zënë vende më lart se Kosova, kurse kësaj liste i prijnë Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, pasaportat e të cilave u japin qytetarëve qasje të lirë në mbi 155 vende. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG