Kuvendi i Kosovës ka shtyrë për një seancë të radhës kërkesën e Qeverisë së Kosovës për ta pajisur me licencë Kompaninë “Envidity Energy Kosova”, për hulumtimin e mineraleve energjetike në Kosovë.
Shtyrja u bë me kërkesë të shefit të Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ndërkohë që partneri në koalicion, Partia Demokratike e Kosovës, duke e mbështetur kërkesën për shtyrje, ka deklaruar se “ka nevojë për më shumë informacione rreth projekteve”.
Opozita, ndërkaq, përmes shefit Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, e ka vlerësuar të nevojshëm ‘pezullimin’ e këtij propozimi për shkak të, siç thuhet, “mostransparencës dhe mungesës së informacionit për projektet që kanë të bëjnë me pasuritë e Kosovës”.
Pak më ditë më parë, komisioni parlamentar për Zhvillim Ekonomik e ka përkrahur vendimin e Qeverisë, me të cilin konstatohet interesi publik lëshimi i licencës për projektin e kompanisë “ Envidity Energy Kosova LLC’, por ka kërkuar nga Qeveria që kur të vendoset për lejen e shfrytëzimit, çështja duhet të kthehet sërish në Kuvend.
Duke i shpallur këto projekte me interes publik, ato janë dërguar në Kuvendin e Kosovës, thonë ekspertë të fushës, duke anashkaluar procedurat tenderuese dhe duke mundësuar që Qeveria të negociojë drejtpërdrejt me investitorët.
Kosova aktualisht, vlerësojnë ekspertët e fushës, nuk ka një Ligj për investime kapitale dhe pa një të tillë Qeveria nuk mund të negociojë drejtpërdrejt me investitorët.
Projektligji për investime kapitale, ndërkaq, është futur në agjendë të Kuvendit të Kosovës, por i njëjti u hoq nga rendi i ditës, së bashku edhe me kërkesën për licencën e kompanive në fushën e mineraleve energjetike.
Ligji aktual për investime parasheh procedura tenderuese për të gjitha këto projekte.
Ndërkohë, dy kompani të cilat presin marrjen e licencës nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, janë ‘Envidity Energy Kosova’, që drejtohet nga gjenerali tashmë në pension Wesley Clark, i cili kishte udhëhequr fushatën ajrore të NATO-s, mbi objektivat serbe në vitin 1999, ndërkohë që tjetra është ajo “Sharr Cem & Titan America”.
Por, ndërkohë, përfaqësues të Konsorciumit Kosovar të Shoqërisë për Energji (KOSID) janë shprehur kundër projekteve për hulumtimin e minerave energjetike në Kosovë, me qëllim të, siç thonë, ”ndalimit të degradimit mjedisor dhe social në vend”.
Edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Liritë e Njeriut ka reaguar në lidhje me kërkesën për licencë të kompanisë “Envidity”. Ata konsiderojnë se ky projekt është rrezik për mjedisin në Kosovë.
Kush është Kompania “Envidity”
Kompania “Envidity” ka shprehur interesim për gazifikimin nëntokësor të qymyreve të Kosovës dhe prodhimit të gazit sintetik (syngas), dizelit dhe kerozinës, dhe ajo fillimisht ka aplikuar për licencë që në vitin 2013.
Kompania "Envidity” ka aplikuar në këtë Komision për tri licenca; sipërfaqja totale e të tri kërkesave ka mbi 3 mijë e 400 kilometra.
Projekti ka të bëjë me gazifikimin e thëngjillit nëntokësor përmes metodës teknologjike e cila mundëson prodhimin e naftës sintetike (dizel) nga procesi kimik i gazifikimit të thëngjillit, përmes përdorimit të teknologjive të përparuara.
“Envidity” parasheh se do të rris prodhimin fillestar prej 1200 fuçi të derivate në ditë në 20 mijë fuçi duke investuar në fillim 15 milionë dollarë për të arritur në pesë miliardë dollarë, investime.
Projekti i kompanisë “Envidity” parasheh që fillimisht të krijohen 100 vende pune, kurse më pas numri i të punësuarve do të arrijë në 300.
Kompania tjetër “Sharr Cem & Titan America”, përmes propozimit investues “Prometheus”, ka shprehur interesimin për eksploatimin, terjen dhe pulverzimin e qymyrit nga baseni qymyror i Dukagjinit, gjegjësisht nga fushat Tuqep - Kusar.
Ekspertët e fushës në Kosovë, vazhdimisht kanë ngritur nevojën e hulumtimeve shtesë gjeologjike në basenet ekzistuese të linjitit. Basenet më të rëndësishme qymyr-mbajtëse janë: Baseni i Kosovës, i Dukagjinit dhe i Drenicës. (REL)
Facebook Forum