Ndërlidhjet

Bajgora: Lutemi për kauzë të përbashkët të prijësve tanë


Festa e Kurban Bajramit
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:43 0:00

Festa e Kurban Bajramit

Mijëra qytetarë të besimit islam në Kosovë, sot po kremtojnë festën e Kurban Bajramit.

Ceremonia kryesore e faljes së Kurban Bajramit, është bërë në Xhaminë e Madhe të Prishtinës “Sulltan Mehmed Fatih”.

Në ceremoni kanë marrë pjesë besimtarë të shumtë mysliman, të cilëve, drejtuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës u janë drejtuar me mesazhe urimi, por edhe me porosi për solidaritet dhe unitet të të gjithë njerëzve.

Kryeimami i Kosovës, Sabri Bajgora, ka thënë se festa e Kurban Bajramit është festë e sakrificës dhe zgjatjes së dorës së ndihmës për të gjithë ata që kanë nevojë, ofrimit ndërmjet njerëzve dhe dashurisë së përbashkët njerëzore.

Kryeimami Bajgora ka thënë se bota sot po vuan nga konfliktet e armatosura që sjellin vdekje e padrejtësi, tmerr dhe dhunë, varfëri dhe dëbim të popullatës nga trojet e tyre. Ai ka ftuar të gjithë njerëzit që të luten që, siç i ka quajtur ai, këto padrejtësi të shuhen.

“Të lutemi në këtë ditë të bekuar që në botë të krijohen kushtet dhe premisat që të shuhen konfliktet. Arsyeja, për tu parandaluar gjakderdhjet e reja. Mbase, të gjithë pajtohemi se njerzimi sot ka nevojë për paqe e mirëkuptim dhe jo për dhunë e konflikte. Nuk duhet harruar se misioni ynë në këtë botë është jeta me dinjitet dhe jo me konflikte dhe dhunë”, ka thënë kryeimami Bajgora.

Ai, gjithashtu, ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës dhe të gjithë faktorët relevant në vend që ta kultivojnë unitetin veprues, duke i lënë anash, siç ka thënë ai, mëritë, inatet dhe interesat personale dhe grupore, në mënyrë që të bashkuar dhe në paqe dhe në dashuri, të ndërtojnë atdheun, një liri të shëndoshë dhe stabile.

“Më lejoni që nga ky vend i bekuar, të gjithë juve, kudo që gjendeni brenda trojeve tona etnike dhe në mërgatë, në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj, t’ju uroj festën e Kurban Bajramit me dua e lutje që Zoti i Gjithëmëshirshëm të jetë në anën tuaj, t’ju mëshiroj juve dhe familjet tuaja. E lusim Allahun Fuqiplotë që ta ruaj dhe mbrojë atdheun tonë dhe t’i bashkojë mendjet e prijësve tanë në një kauzë të përbashkët, për të ç​uar përpara amanetin e të gjithë atyre dëshmorëve që ranë për lirinë e atdheut. Me fat ju qoftë festa e Kurban Bajramit”.

Festa e Kurban Bajramit karakterizohet me therjen e kurbanit dhe shkuarjes në haxh. Kjo e fundit, konsiderohet si një nga pesë shtyllat e besimit Islam.

Me rastin e kurban Bajramit, qytetarëve e Kosovës i kanë uruar edhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës.

“Të gjithë besimtarëve myslimanë ua uroj festën e Bajramit të Vogël. Uroj që përherë të mbretërojnë mirësia, harmonia, paqja dhe solidariteti në mesin tonë”, ka shkruar Presidenti Hashim Thaçi, në faqen e tij në rrjetin social Facebook.

Po ashtu, përmes këtij rrjeti, edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i ka uruar të gjithë besimtarët mysliman për festën e Kurban Bajramit.

“ Festa e Bajramit është një rast i mirë, që familjet tona të bashkohen pranë tryezës së tyre, të vizitojmë njëri tjetrin, të shprehim solidaritetin dhe të gjejmë mirëkuptimin, që gjithmonë na nevojitet”, ka shkruar kryeministri Mustafa në rrjetin social Facebook. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG