Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Imet Rrahmani, i tha Radios Evropa e Lirë se, sikundër edhe në çdo sektor në Kosovë, edhe në shëndetësi është e përzier politika. Ai tha se sistemi shëndetësor në Kosovë është problematik, pikërisht për faktin se nuk janë rregulluar punësimet në institucionet shëndetësore në përputhje me nevojat.
Ministri Rrahmani tha se Kosova ka numrin më të vogël të mjekëve në Evropë për kokë banori dhe njëkohësisht ka edhe profile të ndryshme të mjekëve që presin punësim.
“Kemi një numër të madh të specialistëve të papunë dhe kemi spitale që kanë mungesë të specialistëve të profileve të caktuara”, tha Rrahmani.
Radio Evropa e Lirë: Shëndetësia në Kosovë ka qenë gjithnjë në thumb. Posaçërisht Qendra Klinike Universitare është trajtuar në opinionin publik me sy më kritik. Pse kjo gjendje e rënduar e shëndetësisë në Kosovë, në përgjithësi?
Imet Rrahmani: Është e vërtetë që shëndetësia trajtohet nga opinioni publik dhe të tjerët si sektor me shumë probleme. Kjo është pasojë e shumë rrethanave të cilat nuk janë vetëm në Ministrinë e Shëndetësisë, ose vetëm në sektorin e shëndetësisë. Ne duhet ta dimë edhe situatën e viteve të 90 –ta, kur jemi detyruar të organizojmë shërbime paralele shëndetësore, por edhe arsimimin paralel, dhe të gjitha këto kanë rezultuar që në vitin 2000 të jemi në një situatë të rëndë.
Kosova ka dalë e shkatërruar dhe sistemi nuk ka qenë i vendosur në themele të shëndosha. Më pas Qeveritë nuk e kanë trajtuar shëndetësinë me prioritet dhe shpesh ka bërë që kahet në shëndetësi të mos jenë të duhurat dhe të mos korrespondojnë me trendët e zhvillimit botëror. Por, unë mendoj se tash, pas 16 vitesh, jemi në rrugë të mbarë të reformimit të sistemit shëndetësor dhe të krijimit të një besueshmërie tek qytetarët.
Brenda mundësive kemi shërbimet më të mira të mundshme. Stafi shëndetësor, përkundër mungesave të gjërave esenciale, ka arritur të ofrojë mundësi për shërimin e qytetarëve. Pse QKUK-ja është atakuar më së shumti, them se ka problem të sistemit shëndetësor, pasi që në fillim nuk janë rregulluar punësimet aty, konform nevojave të nivelit terciar. Nuk ka ekzistuar një spital i Prishtinës dhe ende nuk ekziston, në mënyrë që qytetarët do të mund t’i merrnin shërbimet. Andaj QKUK -ja është e ngarkuar shumë. Opinioni shpesh atakon QKUK -n pa të drejtë e me të drejtë.
Radio Evropa e Lirë: Ka një numër të mjekëve të QKUK-së që janë nën akuza ose nën hetime. Ju nuk keni folur shumë për këtë çështje. Kolegët tuaj akuzohen se kanë shkelur etikën profesionale, kurse ata vetë thonë se kanë zbatuar ligjet në fuqi. Sa është mjekësia kosovare e korruptuar?
Imet Rrahmani: Unë nuk kam dashur të prononcohem rreth aktakuzave, pasi nuk kam dashur të përzihem në punën e prokurorisë. Kam konsideruar se çdo pretendim i ngritur nga gjyqësori dhe çdo ankesë e qytetarëve, duhet zgjidhur sa më shpejtë, pasi që mbetja pezull e këtyre punëve vetëm sa e rëndon sistemin shëndetësor.
Kolegët e akuzuar, besoj, që me kalimin e kohës do të argumentojnë fajësinë ose pafajësinë dhe do të eliminohen këto dilema të ngritura mbi përgjegjshmërinë e punëtorëve shëndetësorë karshi pacientëve. Uroj që këto çështje të zgjidhen sa më shpejtë dhe të ecim tutje, pasi të kesh një numër të madh të mjekëve nën aktakuza, është e vështirë të punosh drejtë dhe të kthesh besimin e qytetarëve dhe të pretendosh se je në rrugë të drejtë të reformimit të sistemit shëndetësorë.
Radio Evropa e Lirë: Së fundi ka njoftime se mjekët dhe infermierët po ikin nga Kosova. Përballja me vështirësi brenda detyrës dhe kërkesa për një jetë më ndryshe i ka nxitur të ikin. Ministër, pse është e vështirë të ndryshohet gjendja në shëndetësinë e Kosovës?
Imet Rrahmani: Është e drejtë e çdo individi të pretendojë shkollim adekuat profesional. Problematika që e kam trashëguar është me zanafillë të mëhershme. Nuk është pretenduar që të shkohet me shkollimin e kuadrit përkrah nevojave . Ne kemi numrin më të vogël të mjekëve në Evropë për kokë banori. Dhe në të njëjtën kohë, kemi profile të ndryshme të mjekëve që presin punësim.
Kemi një numër të madh të specialistëve të papunë dhe kemi spitale që kanë mungesë të specialistëve të profileve të caktuara. Kjo i bie që kemi respektuar vullnetin e individëve më shumë sesa nevojat që ka Kosova. Pra, tash kemi në disa lëmi tepricë të mjekëve, diku ka mungesë. Asnjë ministër nuk do të ketë mundësi t’i punësojë gjithë infermierët, pasi kemi mbi 23 mijë infermierë dhe hulumtimi i mundësisë së punësimit të tyre nuk ka mundësi t’i sistemojë të gjithë infermierët.
Evropa e Lirë: Pse është zvogëluar buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë, marrë parasysh faktin e rëndësisë së shëndetit publik?
Imet Rrahmani: Ka pasur shkurtime që ne i kemi paraqitur si shqetësime edhe te Kryeministri edhe te Ministri i Financave dhe kemi pasur premtime se ato mjete do të kthehen aty ku vlerësohet se ka nevojë. Edhe ne, brenda Ministrisë së Shëndetësisë, duke parë zhvillimin e projekteve që i kemi dhe nivelin e shpenzimit të buxhetit, do t’i bëjmë disa lëvizje që mos të kemi suficit.
Radio Evropa e Lirë: Hapja e spitaleve private në Kosovë, nga vende të ndryshme të rajonit dhe më gjerë, sa e ka penguar funksionimin e institucioneve publike shëndetësore?
Imet Rrahmani:Varet nga cili kënd e shikojmë. Nëse e shikojmë nga këndi i krijimit të mundësive të reja për ofrimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët, sektori privat ka ndihmuar shumë sektorin publik. Ata kanë pasur mundësi të sjellin aparatura, por edhe profesionistë shëndetësorë, që sektorin publik ka pasur vështirësi t’i sigurojë.
Në anën tjetër, në qoftë se shikojmë se sektori privat ka keqpërdorur sistemin publik, duke dërguar pacientë atje, në mënyrën e mos dhënies së shërbimeve shëndetësore në sistemin publik, këtu duhet të angazhohemi më shumë dhe të kemi një kontroll më të mirë. Me ligjet në fuqi e kemi të garantuar zhvillimin e sektorit publik, privat dhe publiko-privat dhe unë konsideroj që Kosova duhet të orientojë politikat gjithsesi në dyja anët, duke zhvilluar sektorin publik pa e penguar atë privat.
Cilësia gjithmonë do të duhej të garantohet në sektorin privat. Ne kemi një buxhet për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike dhe krejt shërbimet që qytetarët tanë i marrin janë institucionet private, si brenda edhe jashtë Kosovës, në mënyrë që shërbimet të jenë sa më cilësore.
Andaj, mendoj se do duhet që këta dy sektorë të shihen se e plotësojnë njëri-tjetrin dhe jo si dy sektorë që e kundërshtojnë. Sigurisht, me instalimin e sigurimeve shëndetësore dhe një mbikëqyrje më të mirë në licencim dhe në ofrimin e shërbimeve shëndetësore nuk mund të themi se kjo apo ajo pjesë e sektorit të shëndetësisë ka penguar njëra tjetrën.
Radio Evropa e Lirë: A është politika e përzier në punën e QKUK-së dhe në të gjitha institucionet e shëndetit publik dhe njëkohësisht sa e pengon kjo funksionimin e sistemit shëndetësor?
Imet Rrahmani: Si çdo sektor në Kosovë, edhe në shëndetësi është e përzier politika. Po tentojmë që në këtë mandat të mos jetë shumë e shprehur. Unë, së bashku me kabinetin dhe bashkëpunëtorët e mi, kemi dëshmuar se nuk jemi ithtarë të trysnive mbi njerëzit që mendojnë ndryshe politikisht. Ne kemi mundësuar që profesionistët të punojnë, të jenë të pavarur, të ofrojnë zgjidhje, duke i përkrahur ata. Besoj që kjo vërehet dhe ne marrim përkrahje si nga institucionet po ashtu edhe nga individët, që të vazhdojmë në këtë drejtim, pasi politizimi i tepërt në çdo sferë, por posaçërisht në shëndetësi, është i dëmshëm. (REL)
Facebook Forum