Qeveria e Republikës së Kosovës tashmë ka marrë vendim që fillimi i mbledhjes së fondeve për Ligjin për Sigurime Shëndetësore të fillojë më 1 janar 2017.
Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë thonë se qysh në vitin 2004, Ligji për sigurime shëndetësore është hartuar dhe është dorëzuar në Qeverinë e Kosovës. Ky ligj është miratuar në vitin 2007, mirëpo ai asnjëherë nuk ka hyrë në fuqi, ku më pas edhe ishte tërhequr për shkak të implikimeve buxhetore, me rekomandimet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se për obligimet që do të kenë, si punëdhënësit, po ashtu edhe punëmarrësit, do të informohen me kohë përmes fushatave të caktuara vetëdijësuese.
“Pas konsultimeve me Ministrinë e Financave është konstatuar se 1 janari i vitit 2017 është koha më e mirë, për shkak se edhe kompanitë private dhe bizneset kanë kërkuar që fillimi i mbledhjes së premiumeve të korrespondojë me fillimin e vitit fiskal, që të jenë të përgatitur me buxhetin, pasi që të gjithë do të paguajnë nga 3.5 për qind të pagës,si punëdhënësit po ashtu edhe punëmarrësit”, ka thënë Rrahmani.
Tutje, ministri Rrahmani ka shpjeguar se kur qytetarët e Kosovës do të mund të përfitojnë nga ligji për sigurime shëndetësore.
“Një periudhë 6 mujore do të jetë e mjaftueshme për përgatitje definitive për funksionalizimin e fondit për sigurime shëndetësore. Normalisht, qytetarët do ta kenë të garantuar çdo shërbim si deri më tash, por fondi garanton buxhet shtesë, e që do të ketë barna shtesë dhe efektet e para shpresojmë që t’i arrijmë në gjitha aspektet.”
“Ky sigurim është thënë se do të vlejë edhe për institucionet private shëndetësore në shërbime të caktuara, përkatësisht, ato shërbime që nuk mund të ofrohen në institucione publike shëndetësore”, ka theksuar ministri Rrahmani.
Skepticizëm për zbatimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore ka shprehur vazhdimisht Federata Sindikale e Shëndetësisë.
Blerim Syla, kryetar i kësaj sindikate, kishte deklaruar për Radion Evropa e Lirë se nuk është e definuar mirë mjekësia primare, sekondare dhe terciare, pastaj nuk është i definuar sistemi informativ shëndetësor dhe nuk ka mekanizëm mbrojtës të këtyre mjeteve që do të mblidhen nga taksapaguesit në emër të Fondit të sigurimeve shëndetësore.
“Ligji për sigurime shëndetësore na shqetëson si federatë, dhe jemi duke pritur me vite që të hyjë në fuqi. Por, gjithmonë kemi thënë se duhet me qenë i qartë për publikun, se nëse nuk ka mekanizma të qartë , është më mirë të mos futen në funksion”, ka thënë Syla.
Sidoqoftë , vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për fillimin e mbledhjes së premiumeve për Sigurime Shëndetësore ka ardhur pas kërkesës së bërë ditë më parë nga Këshilli Përgatitor për Themelimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, i cili kishte kërkuar që Qeveria të miratojë fillimin e mbledhjes së premiumeve, që është i përcaktuar me ligj.
Qeveria e Kosovës ka planifikuar të ndajë 17 milionë euro për të punësuarit në sektorin publik, dhe rreth 14 milionë euro për sektorin privat.
Ekspertët kanë vlerësuar se për një vit do të mblidhen rreth 60 milionë euro, derisa, sipas ministrit Rrahmani,me kalimin e viteve dhe futjen në sistem të gjithë kontribuuesve, buxheti mund të shkojë edhe deri në 100 milionë euro në vit. (REL)
Facebook Forum