Policia shoqëron deputeten e Vetëvendosjes, Donika Kadaj Bujupi
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj Bujupi është shoqëruar në polici. Lajmin e ka konfirmuar deputetja tjetër e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu e cila ka thënë shkurt se nuk e din arsyen pse, por policia ka arrestuar deputeten Kadaj-Bujupi.
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Ferati: Pa Listën Serbe mund të dështojë votimi për Demarkacionin
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sadri Ferati ka thënë se mungesa e Listës Serbe në seancën e sotme mund të ndikoj drejtpërsëdrejti në rezultatin e votimit për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
“E dimë që marrëveshjet ndërkombëtare kërkojnë dy të tretat, pra 80 vota të deputetëve, dhe në këtë rast nëse deputetët e Listës serbë në tërësi apo me shumicë nuk marrin pjesë atëherë mund të parashikohet se nuk janë votat e mjaftueshme dhe do të presim si do të shkojmë më tutje”, ka thënë Ferati në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.
“Gjasat janë që nëse nuk merr pjesë lista serbe partnerët e koalicionit kanë nevojë për konsultime, por nuk kam informacion se pse ka vonesa”, ka deklaruar ai.
Policia gjeti një sprej te deputetja Donika Kadaj Bujupi
Policia e Kosovës ka konfirmuar se shoqërimi i deputetes Donika Kadaj Bujupi për në polici ka pasuar gjetjen e një spreji tek deputetja në fjalë.
Daut Hoxha, zëdhënës i policisë ka thënë se në konsultime me prokurorinë do të merren masat e nevojshme ligjore në lidhje me rastin.
Policia shoqëron edhe deputeten Aida Dërguti
Policia e Kosovës ka ndaluar dhe shoqëruar për në polici edhe nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Dërguti.
Lajmin e ka konfirmuar Vetëvendosje, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Policia ka deklaruar se edhe tek deputetja Dërguti ka gjetur një mjet të dyshimtë.
Facebook Forum