Deputetët e PDK-së hyjnë në sallën e Kuvendit
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës po hyjnë në sallën e Kuvendit. Grupi Parlamentar i kësaj partie politike ishte në konsultime, çka ka ndikuar edhe në fillimin e seancës, e cila ishte paralajmëruar të fillonte në orën 11:30.
Vazhdon protesta kundër Demarkacionit
Qindra protestues, nën organizimin e Lëvizjes Vetvendosje, janë mbledhur përpara ndërtesës së Kuvendit të Kosovës në kundërshtim të votimit të Ligjit për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.
Seanca e thirrur për orën 11: 30 ende nuk ka filluar, por protestuesit u mblodhën që në mëngjes duke kërkuar mos miratimin e Demarkacionit.
Marrëveshja për Demarkacion me Malin e Zi është nënshkruar në vitin 2015 dhe që atëherë ka ngjallur kudnërshtimin e fuqishëm të opozitës që thotë se Kosova me marrëveshje humb mbi 8.000 hektarë tokë të saj.
Fillojnë punimet e Kuvendit të Kosovës
Seanca e Kuvendit të Kosovës ka nisur me paraqitjen e fjalëve të deputetëve të paraqitur për diskutim. Kuvendi i Kosovës është paralajmëruar të votojë për marrëveshjen për Demarkacion me Malin e Zi.
Deputetët e partive politike në pushtet dhe në opozitë po marrin pjesë në seancë, ndërkohë që deputetët e Listës Serbe kanë refuzuar pjesëmarrjen për shkak të, siç thonë, “mungesës së sigurisë”.
Aktualisht po diskutohen pikat në rend të ditës sipas renditjes.
Ndërkaq, Projektiligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, është pika e gjashtë në rendin e ditës. Kjo renditje mund të ndryshojë vetëm nëse Kuvendi vendos ndryshe.
Nxehet debati në Kuvend
Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës ka filluar me debate të “nxehta” që ndërlidhen nga replikat rreth aferës së përgjimeve të njohur si “Pronto II” dhe arrestimeve të fundit të gjashtë aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje nën dyshimet për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës, që ndodhi më datën 4 gusht të këtij viti.
Përderisa opozita, përkatësisht deputetët e Vetëvendosjes, kanë akuzuar partitë në pushtet se me veprimet e fundit dhe arrestimin e aktivistëve të saj po mundohen të fshehin “skandalet me aferën “Pronto II”, si kundërpërgjigje, deputetë dhe ministra nga radhët e partive në pushtet thonë se të gjitha aktivitetet e ndërmarra janë në funksion të ruajtjes së rendit dhe ligjit.
Facebook Forum