Grupi Parlamentar i PDK-së në takim konsultativ
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës po zhvillon ende një takim konsultativ para seancës së sotme plenare. Shefi i Grupit Parlamentar, Zenun Pajaziti i ka thënë Radios Evropa e Lirë se takimi është në përfundim e sipër dhe së shpejti PDK do të dalë me qëndrim para nisjes së seancës.
KDI: Kuvendi të zhvillojë debat të hapur për Demarkacionin
“Seanca parlamentare e Kuvendit të Kosovës, ku parashihet ratifikimi i marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, të zhvillohet në frymën e një debati të hapur dhe konstruktiv duke respektuar faktet e paraqitura dhe pikëpamjet e ndryshme politike”, thuhet në një komunikatë për media të Institutit Demokratik të Kosovës.
Vendimet e dala nga vota e deputetëve, cilat do qofshin ato, duhet të jenë të pranueshme nga të gjitha institucionet, partitë politike dhe qytetarët të cilët përmes votës së tyre i kanë zgjedhur ata.
Në pritje të fillmit të seancës së Kuvendit
Kuvendi i Kosovës nuk është mbledhur ende në seancën e paralajmëruar, në të cilën pritet të votohet për ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Gazetari i Radios Evropa e Lirë njofton se në sallën e Kuvendit ende nuk kanë hyrë deputetët, pavarësisht paralajmërimeve se seanvca do të duhej të fillonte në ora 11.30.
Haxhiu: Nuk lejojmë që toka e Kosovës t’i falet Malit të Zi
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka deklaruar se subjekti politik të cilit ajo i përket do të kundërshtoj fuqishëm marrëveshjen me Malin e Zi për Demarkacionin, e cila sipas saj, i fal Malit të Zi mbi 8 mijë hektarë tokë.
“Nuk do të lejojmë që t’i falet toka e Kosovës askujt”, ka thënë Haxhiu. Sipas saj, kundërshtimi do të vazhdoj si në seancë ashtu edhe me protesta në rrugë. Këto komente, Haxhiu i ka bërë në momentin kur po futej në sallën e Kuvendit.
Facebook Forum