Ngrohtorja e qytetit: Policia nuk bastisi as konfiskoi koktej molotovi në Termokos
Ngrohtorja e qytetit “Termokos” përmes një komunikate për media ka sqaruar se “si pasojë e një gabimi, që është përvjedhur në komunikatën e lëshuar sot në mëngjes nga Policia e Kosovës, në të cilën thuhet se në një depo të “Termokosit” janë gjetur 50 çanta me koktej molotovi, nuk ka të bëjë asgjë me të vërtetën”.
“Në fakt, objekti i bastisur nuk është pronë e “Termokos”-it dhe nuk ka të bëjë asgjë me kompaninë tonë. Për më tepër ky objekt është në distancë rreth 100 metra larg nga “Termokos”, thuhet në komunikatën e Ngrohtores së Qytetit të Prishtinës.
Nuk ka të arrestuar për çantat e konfiskuara me koktej molotovi
Deri në këto çaste nuk është raportuar për ndonjë të arrestuar, lidhur më konfiskimin e rreth 50 çantave me koktej molotovi, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Daut Hoxha, zëdhënës në Policinë e Kosovës. Ai ka thënë po ashtu se “policia është duke punuar në funksion të identifikimit të personave të dyshimtë”
Bashkimi Evropian fton Kuvendin për debat të qetë për Demarkacionin
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve të angazhohen për një ambient të qetë gjatë debatit dhe votimit të sotëm në Kuvendin e Kosovës për ratifikim të marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi.
“BE-ja në Kosovë, po ashtu rikujton se e drejta për të protestuar është një e drejtë demokratike, me kusht që ajo të jetë e shprehur në mënyrë paqësore dhe në pajtim me ligjet e Kosovës”, thuhet në deklaratën e lëshuar me shkrim.
Fillon protesta e Vetëvendosjes në Prishtinë
Nën organizimin e Lëvizjes Vetëvendosje, një grup i protestuesve tashmë ka arritur në qendër të Prishtinës. Kryesisht po dëgjohen brohoritjet: “Vetëvendosje...”, “Hajnat në burg...” e të ngjashme.
Protesta e Vetëvendosjes po organizohet si pjesë e aktiviteteve politike në kundërshtim të ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Facebook Forum