Ndërlidhjet

Pajtimi - peng i mosndëshkimit të krimeve dhe mungesës së vullnetit politik


Foto nga arkivi - Bisedimet në Bruksel
Foto nga arkivi - Bisedimet në Bruksel

Procesi i pajtimit ndëretnik në Kosovë ka pak gjasa të arrihet nëse politikanët e të dyja palëve nuk shprehin gatishmërinë e tyre për një hap të të tillë, thanë njohës të rrethanave politike dhe aktivistë për të drejtat e njeriut.

Përplasjet në baza etnike, pavarësisht nga një periudhë e qetë dhe pa probleme, mund të rikthehen, thonë aktivistët për të drejtat e njeriut, “për shkak të mos vënies në vend të drejtësisë për viktimat”.

Procesi i pajtimit u shndërrua sërish në temë qendrore pas ngjarjeve në fshatin Mushtisht të Suharekës, ditën e diel, kur Policia e Kosovës u detyra të përdorte gazin lotsjellës për të shpërndarë protestuesit shqiptarë që bllokuan hyrjen e qytetarëve serbë në fshat për të marrë pjesë në një festë lokale ortodokse.

Dhjetëra persona u arrestuan dhe një numër i policëve u lënduan pas përplasjes me banorët lokal që thanë se nuk duan “të lejojnë hyrjen e atyre”, që siç thonë “kryen krime ndaj civilëve”.

Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, i tha Radios Evropa e Lirë, se që prej përfundimit të luftës në vitin 1999, raportet mes Kosovës dhe Serbisë dhe njëkohësisht edhe raportet mes shqiptareve dhe serbëve në Kosovë, nuk janë përmirësuar.

Ai tha se mos zbatimi i instrumenteve të drejtësisë tranzicionale ka ndikuar që këto raporte të mos jenë të mira.

"Ende as tek serbët e as tek shqiptarët nuk po pranohen viktimat e palës tjetër, mendoj se ky është problemi kryesor. Krimet që janë shkaktuar gjatë luftës, për fat të keq kanë qenë shumë të mëdha dhe në të dyja shoqëritë flitet vetëm për viktimat e tyre, ose fare pak flitet për viktimat e palës tjetër", tha Blakaj.

Një nga faktorët që ka ndikuar në mospërmirësimin e këtyre raporteve, sipas Blakajt, është edhe mos gjykimi i atyre që kanë kryer krime.

"Ka gjykime të pakta për krime lufte dhe sigurisht viktimat nga të dyja palët nuk janë të kënaqura me këtë proces", tha Blakaj.

Raportet ndëretnike në Kosovë kanë shënuar tensionet më të mëdha pas përfundimti të luftës dhe u ngritën sërish me pavarësimin e vendit në vitin 2008. Në veçanti veriu i Kosovës ka qenë pjesa më e ndjeshme që ka përcaktuar nivelin e raporteve ndëretnike.

Kosova në vitet e fundit nuk ka shënuar asnjë prej rasteve të dhunës ndëretnike, por kundërshtimet e popullatës vendore ndaj vizitave të njërës ose palës tjetër kanë dëshmuar se pak ka gjasa të fillojë faza e pajtimit.

Një ministër i përkatësisë serbe në Qeverinë e Kosovës, u detyrua të jap dorëheqje pak javë pasi mori detyrën për siç u tha “deklarata fyese ndaj protestuesve në Gjakovë”, që penguan hyrjen e pjesëtarëve të komunitetit serb në qytet për të vizituar një objekt fetar”.

Politikanët në Kosovë kanë kërkuar që pajtimit të bëhet për “t’u kthyer nga e ardhmja përmes dialogut e paqes dhe bashëkpunimit”.

Por, qytetarët në Kosovë kanë kërkuar që drejtësia të vihet në vend “me qëllim që ata që kanë kryer krime të përgjigjen për to”

Pandëshkueshmëria ka ndikuar edhe në raportet ndëretnike, nuk ka pasur ballafaqim me të kaluarën prandaj pajtimi është i vështirë, thotë Ismail Hasani sociolog dhe analist i çështjeve politike.

"Është mirë që pala serbe të hap rrugë sa i takon fillimit të një ndjese nuk do të thosha në këtë fazë historike në stilin e asaj që presidenti Thaçi mori guximin dhe në dy raste u përkul të memorialët që kishte fraza që ishin bukur të fryra dhe të ngarkuara me etno-nacionalizëm dhe paragjykuese në të cilat shkruante se këtu prehen viktima nga terroristet shqiptar. Në këtë kuptim Serbisë i takon që të fillojë fazën e hershme të ndjesës", tha Hasani.

Në drejtim të përmirësimit të raporteve mes të dyja palëve Hasani thotë se është bërë shumë pak edhe gjatë bisedimeve politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

"Është koha e fundit që në bisedimet e ardhshme kurdo që organizohen në Bruksel të gjendet një formulë e cila do të ndikonte në zbutjen e këtyre tensioneve sepse Kosovës nuk i duhen skenat e mospajtimeve", tha Hasani.

Ndërkohë, Rangjel Nojkiq, analist i çështjeve politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se pajtimi është I mundshëm vetëm nëse politikanët, qoftë në pushtet ose në opozitë, janë vërtetë të gatshëm për një situatë të tillë, në fakt nëse janë të gatshëm në mënyrë të sinqertë të hyjnë në proces të pajtimit dhe çdo gjë që vjen pas.

"Mendoj se nëse elitat politike do të ishin të gatshme për një gjë të tillë do të ishte e pranueshme për popullin dhe do të ndodhte më lehtë. Këtu shihet se ishte një dorë e zgjatur e politikës në Prishtinë, që nuk është aspak e mirë. Politika duhet të ketë qëllim të qartë dhe politika duhet në mënyrë të qartë të vazhdojë të punojë për pajtim. Mendoj se nuk ekziston gatishmëria për pajtim sepse pas kësaj fshihen arsye personale politike", tha Nojkiq.

Kosova dhe Serbia kanë hyrë në një proces të normalizimit të marrëdhënieve përmes dialogut që po zhvillohet në Bruskel me ndërmjetësim të BE-së. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG