Ndërlidhjet

Seminari në Prishtinë, pikëtakim për arbëreshët e Italisë


Albanologu Giovanni Belluscio,
Albanologu Giovanni Belluscio,

Seminari Ndërkombëtar i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, edicioni i 35-të i të cilit po mbahet këto ditë në Prishtinë, edhe sivjet ka sjellë në Kosovë studiuesit arbëresh të albanologjisë nga Italia.

Në mesin e tyre është edhe albanologu Giovanni Belluscio, profesor nga Kalabria. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai ka theksuar se ky seminar, që nga themelimi i tij e deri më tash, vazhdon të jetë pikëtakim i albanologëve nga e gjithë bota. Siç thotë ai, vit pas viti në Prishtinë kanë ardhur edhe arbëreshët e Italisë, studentë dhe pedagogë të albanologjisë.

“Prurjet që kanë në Arbëri, patjetër janë prurje në mjediset universitare dhe jo në mesin e njerëzve të thjeshtë, popullit. Ne jemi të shpërndarë dhe jemi rreth 50 katunde ose fshatra, jo të afërta. Janë të shpërndara në 7 krahina të Italisë së jugut. Kështu që nuk mund të thuhet se kemi marrëdhënie të përditshme. Të interesuarit, patjetër që kanë dijeni për këtë seminar dhe e konsiderojnë shumë të mirë”, tha profesor Belluscio.

Në mesin e studentëve të interesuar për gjuhën shqipe është edhe Maria Vittoria D’Inzeo, arbëreshe nga fshati arbëresh Munxhufuni, në rajonin e Molises në Itali. Ajo thotë se jeton në Londër dhe dëshira për ta mësuar gjuhën shqipe e ka sjellë në seminarin në Prishtinë. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ajo tregon se në seminar ka takuar edhe arbëreshë të tjerë nga zona të ndryshme të Italisë. Duke mos e njohur mirë gjuhën shqipe, ajo thotë se përpiqen të flasin me arbërishten e vjetër, por edhe në këtë pikë hasin në probleme.

“U takova këtu arbëreshë të tjerë. Kur jemi bashkë, ne flasim pak gjuhën arbëreshe, pak italishte. Por, ne kuptohemi kur flasim arbërisht. Gjuha e arbëreshëve është e ndryshme, sepse ata, arbëreshët nga Sicilia dhe Kalabria, erdhën në Itali kur vdiq Skënderbeu. Ne erdhëm në Molisë (Itali) më pas”, tha D’Inzeo.

Por, sa kanë arritur arbëreshët e Italisë ta ruajnë gjuhën, kulturën dhe zakonet e tyre?

Profesor Belluscio thotë se arbëreshët e Italisë e flasin arbërishten e varietetit të fshatit dhe ai varietetet është i përafërt me varietetin e të folmes së fshatrave përreth. Por, sipas tij, ka fshatra që janë shumë larg nga njëri tjetri dhe varietetet e të folmes ndryshojnë në disa areale.

“Arealët kryesorë që paraqiten në këtë mjedis janë tri. Është një areal që i ruan disa dukuri fonetike të vjetra. I ofrohen kohës së Buzukut, me “kl” ose ‘gl’, si dhe të tjerë që kanë evoluar ose kanë gjysmë evoluar. Kështu që gjuhëtarët, dialektologët i ndajnë në tri pjesë këto të folme. Kur takohen arbëreshët, që janë të afërt, që banojnë në fshatra përreth, flasin arbërisht, sidomos brezi më i vjetër. Brezi më i ri tani është duke e zhdukur përdorimin e gjuhës (arbëreshe) në favor të italishtes”, thotë profesor Belluscio.

Ai shtoi se që nga viti 1999 në Itali ekziston ligji për mbrojtjen e të gjitha pakicave gjuhësore, përfshirë edhe atë abreshe.

“Ky ligj, në fillim edhe neve na ka mbrojtur. Nga pikëpamja ekonomike, ka mbështetur hapjen e kurseve në shkolla ose aktivitetet e ndryshme kulturore. Pastaj, për faktin që edhe te ne, kriza u tregua shumë e keqe, ka krijuar shumë probleme. Tani ka rënë mbështetja nga pikëpamja ekonomike dhe tani po vuajmë një situatë, e cila nuk është shumë e mirë, në përgjithësi”, shton ai.

Sido që të jetë, Seminarin Ndërkombëtarë për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, përgjatë viteve, ka krijuar ura lidhëse ndërmjet shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe arbëreshëve që jetojnë në Itali, veçanërisht në fushën e albanologjisë. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG