Ndërlidhjet

Sulmet me granata e bomba që mbetën nën hetime


Ilustrim
Ilustrim

Radio Televizioni i Kosovës ka qenë cak i sulmit të radhës, të cilin autoritetet e rendit e kanë renditur në kuadër të rasteve nën hetime. Sipas raportimeve të Policisë së Kosovës, sulmi ishte kryer me granatë dore.

Kohë më parë, një sulm i ngjashëm, por me mortajë dore, kishte ndodhur edhe ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, dhe i cili, sipas Policisë së Kosovës, po ashtu “ka mbetur si rast nën hetime” .

Sulmet që po ndodhin ndaj ndërtesave shtetërore në Kosovë, për ekspertë të sigurisë, duhet të shihen si shqetësuese. Ata kërkojnë nga autoritetet kompetente që rastet të zbardhen sa më shpejtë, kurse autorët e sulmeve të përballen më drejtësinë.

Këto sulme, përfshirë edhe sulmet e mëhershme ndaj veturave të disa zyrtarëve, sipas ekspertëve, e kanë tensionuar situatën e përgjithshme të sigurisë në vend.

Ish-deputeti Burim Ramadani, njohës i fushës së sigurisë, për Radion Evropa e Lirë thotë se mos zbardhja e sulmeve dhe mos kapja e autorëve, i kontribuon përkeqësimit të situatës së përgjithshme.

“Këtu në rend të parë tregohet për një jo-efikasitet të institucioneve të sektorit të sigurisë dhe drejtësisë...Jo-efikasitet ky që dëshmon për një qeverisje të përgjithshme të dobët”, ka thënë Ramadani.

Mos identifikimi i personave të cilët kanë kryer këto vepra, apo edhe mungesa e zbulimit apo definimit të motiveve të sulmeve, paraqitet shqetësim edhe për zyrtarë të institucioneve të Kosovës. Sidoqoftë, sipas tyre, situata e përgjithshme e sigurisë në vend paraqitet e qetë.

Anëtari i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri në Kuvendin e Kosovës, Nuredin Ibishi mendon se autoritetet e sigurisë duhet të jenë më vigjilente në aspektin parandalues.

“Rastet e tilla ngrisin shqetësim për mos definim të shkakut apo motivit të kryerjes së këtyre veprave. Kjo më shumë e komplikon situatën. Kjo nxit një paqartësi.Një formë kërkohet nga Policia dhe Agjencia e Inteligjencës të jenë më proaktive, në këtë situatë, sidomos pas rastit të mbrëmshëm”, ka thënë Ibishi për Radion Evropa e Lirë.

Policia e Kosovës, ndërkaq, më herët ka konfirmuar se me qëllim të parandalimit të rasteve të tilla kriminale, ka ndërmarrë masa shtesë, me shtimin e prezencës policore të uniformuar dhe të atyre në rroba civile.

Por, deputeti Nuredin Ibishi mendon se organet e rendit, nga veprimet statike, duhet të kalojnë në veprime më dinamike.

“Jo vetëm në aspektin statik të mbulimit të infrastrukturës kritike, por më tepër të jenë në terren, ku ka lëvizje, qarkullim të automjeteve, rrugë, sheshe. Ndoshta kjo nuk duket mirë për qytetarët, që dikush apo automjeti të kontrollohet. Por, ai është autorizim policor, që në momentin kur ekziston dyshimi i bazuar, policia mund të ndërmerr atë veprim”, thotë Ibishi.

Gjatë muajve të fundit ka pasur sulme edhe ndaj veturave zyrtare të institucioneve të Kosovës, por edhe të veturave dhe objekteve private të personave zyrtarë.

Dëmtime ka pasur edhe në disa zyre të partive politike. Zhvillime të tilla kanë nxitur reagime si nga përfaqësuesit politik të Kosovës, ashtu edhe atyre ndërkombëtar.

Rastin e fundit të sulmit ndaj Radio Televizionit të Kosovës e kanë dënuar udhëheqësit më të lartë shtetëror të Kosovës, përfaqësuesit e partive politike, si edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, misioni i OSBE-së dhe misione diplomatike.

Në një komunikatë për media thuhet se “Zyra e BE-së në Kosovë dhe Përfaqësuesi Special i BE-së shprehin shqetësimin për këtë sulm tashmë të dytë mbi një institucion publik gjatë disa javëve të fundit."

“Ne u bëjmë thirrje të gjithëve që të mos shprehin mospajtimet e tyre përmes mjeteve që dëmtojnë pronën ose që mund t’u shkaktojnë dëm jetës së njerëzve”, vijon komunikata.

Autoritetet ndërkombëtare u kanë bërë thirrje institucioneve përkatëse që të gjejnë autorët dhe t’i sjellin para drejtësisë, në mënyrë që të evitojnë çdo përpjekje të tillë në të ardhmen. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG