Ndërlidhjet

Në Kosovë ka punë, por nuk ka punëtorë


Ilustrim
Ilustrim

Pavarësisht shkallës së lartë të papunësisë dhe interesimit të të rinjve, për punë sezonale, kompanitë vendore gjatë kësaj periudhe thonë se po përballen me problemin e gjetjes së punëtorëve.

Përfaqësues të kompanive thonë se gjatë sezonit të verës, kur rritet vëllimi i punës në shumicën e operatorëve ekonomik, jo të gjithë të papunët janë të interesuar të punojnë, konkretisht në sektorin e bujqësisë, vreshtarisë, por edhe ndërtimtari.

Një ndër kompanitë që vazhdimisht ballafaqohet me këtë problem, është kompania “Pestova” në Vushtrri e cila merret me prodhimin dhe kultivimin e patates.

Bedri Kosumi, pronar i kësaj kompanie, për Radion Evropa e Lirë, tha se të papunët hezitojnë të punojnë në vjeljen e patateve dhe shton se aktualisht ka nevojë për 10 punëtorë, kurse më vonë edhe për 30 të tjerë. Por, ende nuk ka siguruar numrin e punëtorëve të nevojshëm.

Kosumi ndërkaq thotë se paga mujore për punëtorë është 450 euro, dhe secili ka të siguruar edhe kontratën, por pavarësisht kësaj interesimi mungon.

“Jo nuk i kemi gjetur punëtorët. Vijnë punojnë dy ditë, të tretën ditë nuk vijnë. Unë nuk di pse nuk punojnë. Nga viti 2011 është duke u rritur ky problem. Pagat i kanë të mira i marrin më kohë, kontrata kanë. Por, nuk dëshirojnë të punojnë në ara, edhe pse vetëm pas makinës duhet të shkojnë”, ka thënë Kosumi.

Për të dhjetin vit me radhë më këtë problem ballafaqohet edhe kompania e verarisë “Stone Castle” në Rahovec.

Përfaqësuesi ligjor i kësaj kompanie, Agron Aliçkaj, për Radion Evropa e Lirë, thotë se kanë nevojë deri në 400 punëtorë shtesë, gjatë periudhës se vjeljes se rrushit, dhe në vazhdimësi janë në kërkim të punëtorëve.

Ai ndërkaq tregon se janë në kontakt me zyrën për punësim në Komunën e Rahovecit, Prizrenit dhe Gjakovës për sigurimin e punëtorëve. Pavarësisht kësaj, kjo kompani ballafaqohet me këtë problem.

Aliçkaj tregon se shuma që punëtorët paguhen për një ditë është rreth 15 euro.

“Edhe gjatë këtij viti është duke na përcjellur problemi për gjetjen e punëtorëve për punë sezonale, pasi në Rahovec ka mungesë të punëtorëve, jemi orientuar në Komunën e Prizrenit dhe Gjakovës për të siguruar punëtorë shtesë, edhe pse ne si kompani kemi shpenzime shtesë”, tha ai.

Një sektor tjetër që ballafaqohet më këtë problem, por jo sa sektori i bujqësisë është ndërtimtaria. Kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve të Kosovës, Brahim Selimaj, ka treguar se për veç vështirësive për sigurimin e punëtorëve, problem paraqitet mungesa e kualifikimit të duhur.

“Sikur të gjithë sektorët tjerë, posaçërisht për mjeshtër, edhe sektori i ndërtimtarisë, ka ngecje të madhe në gjetjen e fuqisë punëtore. Për arsye, sepjesa më e madhe e ndërtimtarëve, në kohën kur nuk u ndërprenë ndërtimet, posaçërisht në komunën e Prishtinës, mjeshtërit më të mirë, kanë shkuar në vendet perëndimore dhe nuk janë kthyer më”, shprehet Selimaj.

Mungesën e interesimit të qytetarëve për punë sezonale, e kanë identifikuar më herët përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës. Kryetari i këtij asociacioni ekonomik, Safet Gërxhaliu, për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se kjo është një sfidë për sektorin privat, pasi shumica e të rinjve janë drejtuar nga studimet në fakulteteduke anashkaluar në këtë mënyrë punët tjera.

“E tëra kjo është dëshmi se duhet të ketë kampanja vetëdijesuese, por jo të punohet vetëm më të rinj, por edhe me prindër, dhe të eliminohen paragjykimet., sepse sot është më rëndësi të punosh dhe jo të bredhësh rrugëve dhe të gjesh gjithmonë arsyetim, pse jam i papunë. Kur flas për paragjykimet, do të thotë edhe arsimi profesional dhe orientimi i të rinjve, në punë konkrete praktike e ka çmimin e vetë. Dhe në këtë drejtim, nuk duhet të jetë orientim gjithmonë i prindërve që fëmijët e tyre, me çdo kusht të jenë studentë”, tha Gërxhaliu.

Sidoqoftë, niveli i papunësisë në Kosovë, sipas shifrave zyrtare thuhet të jetë rreth 33 për qind. Rreth 58 për qind e të papunëve i takon moshës 15 deri në 24 vjeç.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG