Partitë politike i rikthehen bisedimeve në një përpjekje të re për kapërcimin e dallimeve për pikat kontestuese të marrëveshjes politike, por edhe për problemet e reja, para se gjitha për kompetencat e Ministrit të Punëve të Brendshme, pas ndryshimeve të bëra në Ligjin për policinë.
Për disa nga çështjet e debatueshme, sipas përfaqësuesve të katër partive pjesëmarrëse në bisedime, thuajse marrëveshja është arritur, si për mënyrat e verifikimit të votuesve të diasporës si dhe për çështjen e mediave, që pritet të rregullohet me formimin e një trupi të veçantë, i cili do të kishte për detyrë kontrollin e raportimit të mediave.
Por, pika më neuralgjike mbeten kompetencat e Ministrit të Punëve të Brendshme në qeverinë kalimtare që duhet të formohet 100 ditë para datës së mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Me ndryshimet e reja, kreu i MPB-së nuk do të ketë thuajse fare kompetenca, pasi emërimet e kryeshefave si dhe komandimi me strukturat policore kalon në duart e drejtorëve të sigurisë publike dhe të zbulimit e kundërzbulimit, që emërohen nga qeveria së bashku me sekretarin shtetëror të MPB-së, që po ashtu i rriten kompetencat.
Në Lidhjen Social Demokrate të opozitës, të cilës duhet t'i takojë kjo ministri në qeverinë kalimtare, thonë se marrëveshje nuk mund të ketë në rast se nuk anulohen ndryshimet e miratuara.
“Në bazë të Ligjit të qeverisë, me MPB-në udhëheq ministri, ashtu sikur edhe me ministritë tjera që udhëhiqen nga ministrat përkatës. Nëse i hiqni përgjegjësitë e funksionimit të cilës do ministri, atëherë cila është logjika që ato të kenë ministra. Pra, vlerësojmë se me rëndësi të madhe është që ministrat të kenë kompetencat, ashtu siç parashihet me ligj. Para MPB-së ekzistojnë sfida të shumta, si stabiliteti dhe siguria e qytetarëve, që mund të arrihen vetëm me përgjegjësi dhe kompetenca të plota".
"Kjo, parashihet edhe me kushtetutë dhe askush nuk ka të drejtë që të kufizojë kompetencat e cilës do qoftë ministri, apo të zyrtarit shtetëror”, ka deklaruar Oliver Spasovski, sekretar i LSDM-së dhe ish Ministër i Brendshëm në qeverinë kalimtare.
Nga VMRO-ja nuk kanë komentuar pretendimet e LSDM-së, ndërsa mbeten në qëndrimin se ndryshimet janë bërë në pajtim me planin e qeverisë për reforma në administratë.
Nga partia që drejtohet nga Nikolla Gruevski, thonë se marrëveshja është e arritshme, por se vetëm nevojitet vullnet politik për mbylljen e të gjitha pikave kontestuese.
“Maqedonia nuk guxon të jetë peng i askujt, në veçanti tani në këto momente në të cilat ndodhet. Çështjet nuk janë shumë serioze dhe nuk duhet të ketë vija të kuqe, përkatësisht nuk duhet të dominoj egoizmi. Duhet të ekzistojë vullnet politik për kapërcimin e çështjeve kontestuese dhe të dalim nga kriza politike”, ka deklatuar Antonio Milloshoski, anëtar i komitetit ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së.
Partitë shqiptare në bisedime BDI dhe PDSH më tepër janë të përqendruara në pastrimin e listës zgjedhore dhe sigurimin e të drejtës së votimit të diasporës. Detaje nuk japin, por nga BDI-ja shprehen të bindur se zgjidhja do t'i ofrojë mundësinë çdo mërgimtari të interesuar që të paraqitet për tu regjistruar në listën e votuesve.
Janë përcaktuar disa afate që duhet të saktësohen me marrëveshjen eventuale mes partive. Në rast të arritjes së marrëveshjes, si muaj të mundshëm për mbajtjen e zgjedhjeve përmenden mesi i nëntorit apo fillimi i muajit dhjetor.
Facebook Forum