Ndërlidhjet

Kompetencat e kufizuara të ministrit të brendshëm bllokojnë bisedimet


Kufizimi i kompetencave të Ministrit të Punëve të Brendshme me ndryshimet e fundit ligjore, ka bllokuar bisedimet mes partive politike për kapërcimin e krizës politike.

Në fakt, me ndryshimet në Ligjin për policinë dhe punë të brendshme, ministri do të ketë kompetenca të kufizuara, apo nuk do të mund të caktoj kryeshefat e njësiteve policore pasi zgjedhja e tyre do të bëhet nga drejtorët e drejtorisë për zbulim dhe kundërzbulim dhe të drejtorisë për siguri publike, të cilët do të zgjidhen nga qeveria së bashku me sekretarin shtetëror, i cili gjithashtu për punën e tij organizative në ministri, do të përgjigjet para qeverisë dhe jo ministrit të brendshëm.

Janë bërë edhe ndryshime tjera që i pamundësojnë ministrit formimin e një ekipi për të udhëhequr me këtë dikaster, që në rast të arritjes së marrëveshjes mes partive për qeverinë kalimtare, do të udhëhiqej nga Lidhja Social-Demokrate, që është në opozitë.

Nga LSDM-ja, publikisht nuk prononcohen, por thonë se thelbi i ndryshimeve qëndron pikërisht në zhveshjen e ministrit të brendshëm nga kompetencat, në momentin që ky dikaster do të drejtohej nga kuadër i saj.

Ngecjen e bisedimeve e ka konfirmuar edhe ambasadori i BE-së, Aivo Orav, por pa saktësuar se për cilën pikë kontestuese bëhet fjalë.

“Për shumë çështje është arritur marrëveshje, por ka mbetur edhe një çështje për të cilën nuk u arritur zgjidhje. Për fat të keq, palët në bisedime nuk ishin në gjendje të arrijnë marrëveshje, por shpresoj se do të vazhdojmë sa më shpejtë të jete e mundur”, ka deklaruar ambasadori evropian, Orav, i cili së bashku me ambasadorin e SHBA-së, Jess Baily, po ndërmjetësojnë bisedimet mes katër partive politike.

Ish Ministri i Punëve të Brendshëm, Pavle Trajanov, thotë për Radion Evropa e Lirë, se ndryshimet e bëra nga partitë në pushtet në procedurë të shpejtuar dhe pa praninë e opozitës janë të dëmshme për gjithë procesin politik. Trajanov thotë se veprimet e tilla janë të qëllimshme nga partitë në pushtet, të cilat janë të vetëdijshme se në rast të marrëveshjes politike dhe formimit të qeverisë kalimtare, me ministrinë e brendshme do të udhëheq Lidhja Social-Demokrate.

“Me këto ndryshime, opozita nuk ka nevojë të udhëheq me ministrinë e brendshme, pasi objektivisht nuk do të ketë çfarë të drejtoj. Atij askush për asgjë nuk do ti përgjigjet pasi të gjitha kompetencat kalojnë në drejtoritë që emërohen nga qeveria”, thotë Trajanov.

Njohësit e çështjeve politike, thonë se pas ndryshimeve të tilla, fshihen edhe qëllime tjera të pushtetit, që para se gjitha kanë të bëjnë me listat zgjedhore, pastrimin e saj, korrupsionin dhe dukuri të tjera negative gjatë cikleve zgjedhore.

Analisti Albert Musliu, thotë se pa tërheqjen e këtyre vendimeve, nuk mund të pritet ndonjë zgjidhje e krizës politike.

“Nëse këta nuk tërhiqen vlerësoj se nuk ka kuptim që një marrëveshje eventuale edhe të zbatohet pasi opozitës nuk i duhet një ministri e brendshme pa kompetenca. Pra, unë e shoh të palogjikshme nëse opozita hynë në negociata pa kthimin e gjendjes që ishte para nëntorit të vitit 2015”, thotë Musliu.

Partitë, siç kanë bërë të ditur përfaqësuesit e tyre, parimisht janë pajtuar për modalitetet e pastrimit të listës zgjedhore dhe reformat në media, përmes emërimit të një këshilli të posaçëm për mbikëqyrjen e raportimit të mediave, por, sipas opozitës, të gjitha pikat e dakorduara nuk do të kishin efekt, nëse nuk tërhiqen ndryshimet e bëra në Ligjin për punë të brendshme.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG