Pavarësisht represionit të asaj kohe të Serbisë ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, më 2 Korrik të vitit 1990, Kuvendi i Kosovës i asaj kohe kishte shpallur Deklaratën Kushtetuese që e definonte Kosovën Republikë. Kjo ditë e cilësuar si historike, është kujtuar të shtunën nga drejtuesit e institucioneve të Kosovës.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se në kohën kur filloi shpërbërja e Federatës jugosllave, nga ambiciet hegjemoniste të diktatorit Sllobodan Millosheviq, një ndër veprimet më të rëndësishme politike të delegatëve të Kuvendit të Kosovës, më 2 Korrik 1990, ishte shpallja publike e Deklaratës Kushtetuese.
"Përmes kësaj Deklarate shprehej vullneti i qytetarëve të Kosovës për avancimin e të drejtave deri në nivel të Republikës dhe të shkëputjes nga Serbia. Duke kujtuar 26-vjetorin e këtij akti të rëndësishëm, shprehim konsideratë të lartë për delegatët e asaj kohe", është shprehur Thaçi në profilin e tij në Facebook.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut të vitit 1990, e shpallur nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, e ka cilësuar një akt me vlera të veçanta.
Mustafa, dukë folur për Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut, e cila ka ndodhur 26 vjet më parë, me anë të një postimi në Facebook, është shprehur se kjo deklaratë i parapriu pavarësimit dhe çlirimit të vendit.
"Është ky një akt me vlera të veçanta historike, i shpallur në rrethana dhe kohë tepër të vështira, nga njerëz të vendosur dhe të përkushtuar për vendin e tyre. Deklarata e 2 Korrikut i parapriu Kushtetutës së Kaçanikut dhe proceseve të pavarësimit dhe çlirimit të Kosovës", është shprehur Mustafa.
Kurse, në një solemnitet të mbajtur në Kuvendin e Kosovës, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ka theksuar se në këtë Kuvend janë marrë vendime të rëndësishme dhe historike për vendin.
Ai ka thënë se njëri nga këto vendime të rëndësishme, ka qenë Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut e vitit 1990. Sipas Veselit, deklarata ishte një moment i forcimit të mëtutjeshëm të unitetit kombëtar në Kosovë, rreth vizionit që duhej ndjekur vendi në ato vite të kthesave të mëdha.
"2 Korriku i vitit 1990, i lidhur me qershorin e vitit 1999 dhe 17 Shkurtin e vitit 2008, janë një histori e Kosovës që janë të pandara me njëra-tjetrën dhe ne duhet të jemi krenarë. Po në të njëjtën kohë qytetarët tanë po na tregojnë se ne nuk duhet të kënaqemi vetë me historinë, por të punojmë shumë e më shumë", ka deklaruar Veseli.
Në këtë ditë historike, Kosova është shpallur atëherë si njësi e veçantë, në kuadër të Federatës së atëhershme jugosllave.
Për drejtues të Kuvendit të asaj kohe, deklarata e pavarësisë u pasua edhe me nxjerrjen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, më 7 Shtator të vitit 1990 në Kaçanik.
Nënkryetari i Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, Iljaz Ramajli, ka thënë se Kosova sot ndodhet para shumë sfidave dhe se sipas tij, institucionet duhet të bëjnë më shumë për përmirësimin e jetës së qytetarëve.
"Një shtet i ri siç është Kosova, një shtet i cili ka plot probleme ekonomike, sociale e të tjera, duhet ta çoni përpara dhe qytetarëve të Kosovës t'u siguroni një jetë më të mirë, një jetë më të sigurt dhe më të dinjitetshme", është shprehur Ramajli.
Përpjekjet e shqiptarëve në Kosovë, popullatës shumicë për krijimin e shtetit të pavarur, datojnë prej shumë kohësh, por ato kanë marrë forma më konkrete të organizimit nga fundi i viteve ‘80 dhe fillimi i viteve ’90, atëherë, kur edhe filloi shpërbërja e ish-Jugosllavisë.
Muaji shkurt i vitit 1989 u karakterizua me grevën e minatorëve të kompleksit Trepça, në mbrojtje të pozitës kushtetuese të Kosovës. Greva e minatorëve besohet se lëkundi themelet e ish-Jugosllavisë.
Me fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë, Kosova organizoi edhe referendumin për pavarësi e sovranitet, të mbajtur në shtatorin e vitit 1991. Nga ky moment, në Kosovë instalohet sistemi i organizimit paralel, që pasoi zgjedhjet e mbajtura jashtë sistemit juridik serb, në të cilat Ibrahim Rugova zgjidhet president i Republikës së Kosovës dhe formon Qeverinë në ekzil.
Por, kjo Republikë dhe kjo Qeveri nuk kishte njohje ndërkombëtare, sado që në Kosovë kishin një përkrahje masive.
Republika e Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008, ka shpallur pavarësinë, ndërsa deri më tani është njohur nga më shumë se 100 shtete.
Facebook Forum