Pensionistët kontributpagues vazhdojnë të kërkojnë nga autoritetet vendore dhe ato ndërkombëtare kthimin e Fondit Pensional të Kosovës, i cili për më shumë se 17 vjet në mënyrë joligjore mbahet në Serbi.
Këto autoritete, thonë ata, duhet të bëjnë presion te shteti i Serbisë, që nëpërmjet procesit të dialogut që po zhvillohet në Bruksel, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, të zgjidhet çështja e kompensimit të pensioneve.
Që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, kjo kategori e shoqërisë ka realizuar disa nisma, madje edhe në mënyrë individuale, por asgjë nuk ka përfunduar në favor të tyre.
Disa nga pensionistët nuk presin shpejt qëky fond mund të kthehet në Kosovë.
Pensionisti Xhemajl Gërbeshi, me profesion jurist, shprehet se duhet të gjenden forma dhe mënyra se si duhet biseduar dhe realizuar këtë kërkesë, që, sipas tij, është shumë e arsyeshme.
“Nëse nuk bëhet në mënyrë institucionale, në mënyrë private, ose siç po mashtrohen disa njerëz, është e kotë kjo. Prandaj, këtu institucionet tona në radhë të parë, edhe me ndihmën e ndërmjetësve ndërkombëtarë, duhet të zgjidhet kjo çështje, në mënyrë që këto kontribute t’iu kthen njerëzve që u takojnë”, thotë ai.
Pesimist për mundësimin e kthimit të Fondit Pensional nga Serbia në Kosovë, shprehet pensionisti tjetër Izmi Canolli, i cili për 42 vjet me radhë ka punuar në sistemin e arsimit, duke përfshirë këtu edhe periudhën e paraluftës.
Ai konsideron kështu duke marrë parasysh se Serbia nuk ka zbatuar as marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të dialogut të zhvilluar në Bruksel:
“Kontributi i dhënë para vitit 1999 na takon, sepse është e drejtë e jona. Por, unë nuk i besoj fare Serbisë, sepse ajo ka obligime edhe më të mëdha, ka borxhe më të mëdha, nuk i ka paguar as dëmet e luftës dhe asgjë. Sigurisht se autoritetet e Kosovës nuk kanë bërë mjaft presion, por edhe e dinë se Serbia nuk po i përfill as marrëveshjet e arritura në procesin e bisedimeve që po zhvillohen në Bruksel, e lëre më të kthejë para”.
Ndryshe, sipas Shoqatës së Pensionistëve, në periudhën kur në mënyrë joligjore është marrë Fondi Pensional nga Serbia, numri i pensionistëve është llogaritur të jetë mbi 89 mijë.
Ndërkaq, sipas tyre, janë rreth 50 mijë pensionistë, të cilët presin realizimin e të drejtës së tyre për kompensimin e pensioneve.
Kryetari i Organizatës së Pensionistëve dhe Invalidëve, Shaip Vitia, për Radion Evropa e Lirë, tregon se për zgjedhjen e kësaj çështjeje, kanë biseduar me zyrtarë qeveritarë.
“Kemi kërkuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, kryeministria, etj... Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se është në agjendën e bisedimeve që po zhvillohen në Bruksel. Por, se çfarë do të ndodhë, nuk e di” thotë Vitia.
Lidhur me këtë, zëvendësministrja e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Rita Hajzeraj, thotë për Radion Evropa e Lirë, se kjo çështje është politike dhe duhet të zgjidhet në bisedimet që po zhvillohen në Bruksel.
Në anën tjetër, ka qenë e pamundur të merret një përgjigje nga ministrja e Dialogut Edita Tahiri.
Ndryshe, para disa vjetësh, me anë të një vendimi të Gjykatës së Strasburgut, Qeveria e Serbisë, kishte hartuar “planin aksional për zgjidhjen e problemit të pagesës së pensioneve në territorin e Kosovës”.
Fondi për Sigurimin Pensional dhe Invalidor i Republikës së Serbisë kishte nxjerrë një dokument, përmes së cilit njoftohen pensionistët e Kosovës për mundësinë e kompensimit të tyre dhe mënyrën e aplikimit.
Edhe pse me mijëra pensionistë kishin aplikuar në këtë fond, shumica e kërkesave janë kthyer në mënyrë negative.
Facebook Forum