Ndërlidhjet

Fondi Pensional në agjendën e bisedimeve?!


Foto ilustruese
Foto ilustruese
Derisa autoritetet kosovare kanë nisur përgatitjet për fillimin e dialogut me Beogradin për, siç thuhet, çështje teknike, përfaqësues të pensionistëve kosovarë dhe ata të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës kërkojnë që në këto negociata, Fondi Pensional i Kosovës të jetë çështje diskutimi mes dy vendeve.

Ramë Alihajdaraj, udhëheqës i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, ia adreson këtë kërkesë zëvendëskryeministres Edita Tahiri, e cila është emëruar udhëheqëse e ekipit kosovar në bisedime.

“Në emër të 60 mijë pensionistëve kontribut-pagues të Republikës së Kosovës, të cilët që plot 11 vjet, pa fajin e tyre, nuk i marrin pensionet e tyre të fituara me punë, kërkojmë që çështja e grabitjes së Fondit Pensional, përkatësisht ndërprerja e pagesës së pensionistëve të Kosovës, të parashihet dhe të përcaktohet si pikë e veçantë në agjendën e negociatave me palën serbe”, thotë Alihajdaraj.

Përmes një komunikate për media, edhe Partia e Pensionistëve të Kosovës ka kërkuar nga autoritetet përgjegjëse që gjatë këtyre bisedimeve, t’i bëjnë presion shtetit serb për t’i kthyer kontributet kosovare.

“Partia e Pensionistëve të Kosovës me të drejtë konsideron se deri më tani Prishtina zyrtare nuk ka bërë asgjë për kthimin e kontributeve të pensionistëve, të cilat u takojnë me ligj”.

“Kjo parti konsideron se as mekanizmat ndërkombëtarë nuk kanë treguar interesim këmbëngulës që fondi i Serbisë t’i përmbushë detyrimet e përcaktuara me rregulloret e shpallura nga vetë ata dhe me konventat ndërkombëtare ndaj pensionistëve të Kosovës
”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.

Edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës kërkon që Fondi Pensional të jetë në agjendën e bisedimeve në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Lidhur me këtë, Xhafer Xhaferi, nga kjo sindikatë, thotë:

“Në bisedimet teknike që do të bëhen, gjithsesi duhet të ketë përfaqësues dhe individë që e njohin mirë këtë problematikë. Duhet të bëhen llogaritë përkatëse se sa borxhe ka Serbia ndaj pensionistëve. Do të duhej që edhe kjo të hynte si kërkesë themelore e pensionistëve të Kosovës”.

Me rrënimin e autonomisë së Kosovës nga ish-Jugosllavia, kontributet e pensionistëve kosovarë, në mënyrë antiligjore, ishin bartur në shtetin serb.

Vlerësimet e bëra nga Sindikata e Pavarur e Pensionistëve dhe Invalidëve të Kosovës flasin për rreth 2 miliardë euro borxh të Serbisë ndaj pensionistëve kosovarë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG