Igumeni i Manastirit të Deçanit, Ati Sava Janjiq, i ka deklaruar Radios Evropa e Lirë se beson që “ligji do të respektohet nga të gjithë” në rastin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila i njeh të drejtën e pronës mbi 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit.
Ai tha se Manastiri e ka mirëpritur vendimin e institucionit më të lartë gjyqësor në Kosovë për pronën dhe vlerësoi se kjo është “çështje plotësisht ligjore”.
Igumeni i Manastirit të Deçanit i bëri komentet pas protestave të qytetarëve të Deçanit, nën organizimin e kryetarit të komunës, të mbështetur nga forcat politike në komunë, në kundërshtim të vendimit të Gjykatës, të cilin e cilësuan si politik.
Ata kanë theksuar se nuk do ta zbatojnë vendimin e Gjykatës dhe se do të vazhdojnë protestën deri në ndryshimin e tij.
Por, për Sava Janjiq, çështja “është e mbyllur dhe ligji duhet të respektohet."
“Kjo është çështje e organeve të drejtësisë së Kosovës dhe organeve të tjera, sepse vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë vendime të një organi më të lartë të drejtësisë në Kosovë dhe ne shpresojmë se ligji do të respektohet për të gjithë”, tha Sava Janjiq për REL.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, pak javë më parë, mori vendimin që të mos e kthejë lëndën për pronat e Manastirit për rishqyrtim në Gjykatën Komunale në Deçan, të cilën e kanë kërkuar protestuesit dhe kryetari i komunës, Rasim Selmanaj.
Gjykata Kushtetuese e konsideron vendimin e Gjykatës Supreme të vitit 2012, me të cilën i njihet e drejta në pronësi Manastirit të Deçanit, si çështje të mbyllur.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese u përkrah nga Dioqeza e Kishës Ortodokse Serbe për Rashkën dhe Prizrenin, e cila vlerësoi se Gjykata ka treguar gatishmëri dhe kompetencë për të marrë një “vendim të paanshëm, me të cilin mbrohet e drejta në pronë e Manastirit”. (REL)
Facebook Forum