Partitë politike në Maqedoni, vazhdojnë negociatat për arritjen e marrëveshjes për krizën politike, e cila pritet të formalizohet në një takim të liderëve deri në fund të javës kur edhe skadon ultimatumi i shoqërisë civile për përmbushjen e kërkesave të saj, që Gjykata Kushtetuese të vendos mbi një nismë për vlerësimin e kushtetutshmërisë për punën e Prokurorisë Speciale dhe lirimin nga ndjekja e të gjithë aktivistëve të saj që kanë marrë pjesë në demolimin e objekteve gjatë protestave që po zgjasin tani dy muaj.
Partitë politike që nga paraqitja e asaj që njihet si aferë e përgjimeve, në shkurt të vitit kaluar, kanë arritur disa marrëveshje, por pengesat, zvarritjet dhe kushtet e reja që më pas i kanë vendosur kanë bërë që ato edhe të mos zbatohen duke e thelluar edhe më shumë krizën politike.
Njohësit e çështjeve politike nuk e përjashtojnë mundësinë që pengesa të tilla të paraqiten edhe në të ardhmen.
“Ne kemi një shtet me president pa legjitimitet. Kemi një gjykatë kushtetuese e cila vepron në funksion të politikës. Kemi një kryetar Parlamenti që e shpërndanë atë dhe javën tjetër fillon sërish me punë. Pra, kemi një pushtet i cili është në gjendje të bëjë gjithçka. Edhe këto veprimet që bëhen janë hakmarrje ndaj Prokurorisë speciale pasi realisht ky pushtet frikësohet dhe duhet të frikësohet, pasi për veprimet që ka bërë nëse jo sot, me siguri se nesër do të merr gjykimin dhe për këtë e presin burgjet e Idrizovës apo Shutkës”, thotë Arsim Sinani, nga Qendra për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike.
Takimet mes përfaqësuesve të nivelit më të ulët të partive politike po zhvillohen me ndërmjetësimin e diplomatëve perëndimor në vend dhe sipas njohësit të çështjeve politike, Mitko Gazhovski, ato do të rezultojnë me një takim të liderëve të katër partive kryesore, por kjo nuk nënkupton edhe arritjen e marrëveshjes.
Gazhovski thotë se marrëveshjet janë kontestuar, apo janë zvarritur para se gjithash nga VMRO-ja e Nikolla Gruevskit, e cila çdo herë gjen forma për të përfituar në kohë, në raport me prokurorinë speciale, e cila po heton zyrtarët e saj të dyshuar për vepra të rënda penale
“Liderët e partive politike sigurisht se do të ulen në një tryezë të përbashkët. Pra, tani më është e qartë se negociata do të ketë, por mbetet të shihet se cili do të jetë formati dhe temat e bisedimeve. VMRO DPMNE-së gjithnjë e më shumë po i ngushtohet hapësira e veprimit, jo vetëm nga opinioni i brendshëm, por edhe nga ai ndërkombëtar. Taktizimet që po i bënë partia e Gruevskit vlerësoj se kanë për qëllim forcimin e pozicioneve të saj para uljen në tavolinë”, thotë Gaxhovski, njohës i çështjeve politike.
Por, sipas analistit Arsim Sinani, gjendja mund të përshkallëzohet nëse pushteti edhe kësaj radhe vazhdon me pengimin e procesit të zgjidhjes së krizës politike. Ai këtë e bazon në kërcënimet e radhës së “revolucionit shumëngjyrësh”.
“Besoj se mund të këtë masa më radikale nga shoqëria civile për shkak se ky pushtet kërkon një arsyetim sepse po e humb pushtetin. Prandaj mendoj se i duhet një konfrontim me shoqërinë civile. Deri tani nuk kemi asnjë rezultat konkret dhe normal se njerëzit po e humbin durimin dhe kur kjo ndodhë atëherë tek ta vjen në shprehje projekti “Shkupi 2014” përmes të cilit ata do t’i qërojnë hesapet me këtë pushtet”, thotë Sinani.
Për shkak të mos përmbushjes së kushteve nga marrëveshja politike e arritur në qershor vitit të kaluar, partitë politike deri më tani dy herë kanë shtyrë datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, më 24 prill dhe 5 qershor.
Facebook Forum