Ndërlidhjet

Shkup: Afati për arritjen e marrëveshjes, deri në fund të javës


Liderët e partive politike në Maqedoni, deri në fund të javës duhet të arrijnë marrëveshje për disa nga çështjet kryesore të krizës politike, në të kundërtën mund të radikalizohen protestat e shoqërisë civile, e cila 19 qershorin e ka vendosur si afat të fundit për plotësimin e kërkesave të saj.

Garantimi i punës së Prokurorisë Speciale në ndjekjen e zyrtarëve që po hetohen për vepra të rënda penale, mosndekja e aktivistëve që po protestojnë për një drejtësi të pavarur, zgjedhjet e lira dhe reformat në media janë disa kërkesat kryesore të atij që njihet si “revolucioni shumëngjyrësh”, kërkesa këto që mbështeten edhe nga partia më e madhe e opozitës, Lidhja social demokrate.

Me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, përfaqësuesit e partive politike kanë bërë edhe një përpjekje për afrimin e qëndrimeve, por ende pa ndonjë epilog konkret.

“Ne, konsiderojmë se duhet sa më parë që jetë e mundur të plotësohen të gjithë kushtet për zgjedhje të lira dhe demokratike, që nuk do të ishin një përsëritje e zgjedhjeve të kaluara kriminale. Ne, duhet t'i japim shansin qytetarëve që ata të vendosin se kush duhet të udhëheq me shtetin dhe jo këtë ta bëjë qeveria”, ka deklaruar Radmilla Sheqerinska nga LSDM-ja, sipas së cilës, partitë duhet të bëjnë çmos që të mos kalohet nga njëra në një krizë tjetër politike.

Nga VMRO DPMNE mbeten në qëndrimin se para se të takohen liderët e partive duhet të ketë një agjendë për çfarë duhet të të bisedohet. Kryeministri Emil Dimitriev ka përsëritur deklaratën e kryetarit të VMRO-së, Nikolla Gruevski.

“Takimet janë një gjë e mirë, duhet të bisedohet dhe të negociohet, por duhet të dihet se për çfarë do të bisedohet. Për momentin kemi çështje të ngritura nga adresa të caktuara, por mendoj se fillimisht duhet të merremi vesh se duhet të bisedojmë për datën e zgjedhjeve dhe çështje tjera e më pas të mbahet takimi i liderëve të partive politike”, ka deklaruar Dimitriev.

Ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së të pranishëm në takimin e radhës nuk kanë dashur të japin detaje për rrjedhën e bisedimeve, por janë shprehur optimist se marrëveshje mund të ketë.

“Me partitë kemi pasur takime javëve të fundit dhe shpresojmë se ditëve të ardhshme do të kemi një përparim”, ka deklaruar ambasadori amerikan, Jess Baily ndërsa të njejtën e ka përsëritur edhe ambasadori evropian, Aivo Orav.

“Me partitë jemi në kontakt të përhershëm. Negociatat po vazhdojnë. Shpresojmë që të kemi marrëveshje sa më shpejtë që të jetë e mundur”, ka deklaruar Orav.

Partitë shqiptare BDI dhe PDSH, që po ashtu ishin të pranishme në bisedime nuk kanë komentuar pozicionet e tyre.

Nga partia e Ali Ahmetit që është pjesë e qeverisë më parë kanë thënë se bisedimet duhet të rinisin sa më parë, në veçanti tani pas vendimit të presidentit, Gjorge Ivanov për anulimin e vendimit të tij për faljen e 56 zyrtarëvë të dyshuar për vepra të rënda penale.

Nga PDSH-ja e Menduh Thaçit ndërkohë mbeten në qëndrimin se Marrëveshja e Përzhinës mbi bazën e të cilës bisedojnë partitë është e dështuar dhe se nevojitet marrëveshje e re, e plotësuar edhe më çështjet e pazgjidhura të shqiptarëve.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG