Ndërlidhjet

Gjykata Speciale pret dritën jeshile nga Brukseli


Ilustrim
Ilustrim

Përfaqësues nga Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi i Kosovës thonë se deri tash janë kryer të gjitha obligimet për themelimin e Gjykatës Speciale. Ata thonë se infrastruktura juridike për Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë tashmë është ndërtuar, përfshirë këtu aprovimin nga Kuvendi i Kosovës të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, tha se të gjitha veprimet për formimin e kësaj gjykate janë ndërmarrë, duke respektuar ligjet e Kosovës dhe rregulloret e veçanta. Andaj, ka vijuar ai, nuk ka asnjë arsye që institucionet e Kosovës të mos bashkëpunojnë me këtë gjykatë.

Haliti tha se askush nuk e ka dëshiruar një gjykatë të tillë. Por, ai beson se puna e kësaj gjykate do të dëshmojë edhe një herë se lufta të UÇK-së ka qenë e pastër dhe e drejtë.

"Në Kosovë nuk ka ndonjë çështje të pazgjidhur. Deri tash të gjitha çështjet janë miratuar në Kuvend dhe janë dërguar në Bruksel. Tani ka mbetur që Brukseli të bëjë rekrutimin e gjyqtarëve", tha Haliti.

Edhe në Qeverinë e Kosovës thonë se obligimet e tyre karshi Gjykatës Speciale kanë përfunduar. Besnik Berisha, këshilltar i Jashtëm për çështje të Drejtësisë në zyrën e kryeministrit të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se kjo çështje tash është e përfunduar dhe se qeveria nuk ka dhe nuk do të duhej të përzihej në punët e sistemit të drejtësisë.

"Tash e tutje është çështje e pushtetit të drejtësisë. Është çështje që të merren ata dhe çdo ndërhyrje e qeverisë në parim do të përbente cenim të ndarjes së pushteteve", tha Berisha.

Ideja për themelimin e një Gjykate Speciale buron mbi bazën e hetimeve të iniciuara nga Këshilli i Evropës, që si bazë kishin dyshimet e zviceranit Dick Marty, mbi trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dyshimet e tilla janë hedhur edhe mbi ish-udhëheqës të lartë të UÇK-së, të cilët aktualisht mbajnë poste të larta në institucionet e Kosovës, që nga presidenca e deri te dikasteret tjera të qeverisë, por edhe të partive politike.

Dren Doli, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, vlerëson se institucionet e Kosovës tashmë kanë dhënë konfirmimin e tyre se do të ndihmojnë punën e kësaj gjykate në momentin kur kanë kaluar amendamentet kushtetuese dhe ligjin për themelimin e saj.

"Pra, nuk ekziston asnjë arsye as ligjore apo objektive e cila mund të ndikonte që institucionet e Kosovës të mos ndihmojnë punën e Gjykatës Speciale në Kosovë. Ky është një përkushtim që Kosova e ka marrë. Natyrisht është e nevojshme që pjesa tjetër e institucioneve të Kosovës të punojnë dhe bashkërendojnë punë me Gjykatën Speciale, në mënyrë që mandati i saj të realizohet sa me parë dhe ato supozime që do të ngritën në gjykatë të qartësohen njëherë e mirë dhe përgjithmonë", tha Doli.

Sidoqoftë, tashmë ka mbetur që një komision i posaçëm i Bashkimit Evropian të shpallë konkursin për emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Gjykatës Speciale për krime të luftës në Kosovë, si dhe stafin administrativ për këtë gjykatë. Gjithashtu është paralajmëruar edhe mundësia eventuale e procedimit të rasteve të para nga ana e kësaj gjykate, gjatë këtij viti. Në qeverinë e Kosovës besojnë në paanshmërinë e Gjykatës Speciale dhe njësoj, siç thotë ata, besim të njëjtë duhet të kenë edhe qytetarët.

"Institucionet e Kosovës, në përgjithësi, mendojnë se tashmë është instaluar një klimë e respektimit të vendimeve të gjyqësorit. Është instaluar po ashtu një klimë e bashkëpunimit me institucionet e drejtësisë në shumicën e rasteve. Unë nuk besoj se ka ndonjë arsye për tu përgatitur për situata të eskalimit të [situatës] dhunës për shkak se besohet në një gjykatë objektive", tha Besnik Berisha.

Gjykata pritet të hetojë krimet serioze të kryera në periudhën 1999-2000 nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pakicave etnike dhe kundërshtarëve politikë. Gjykata Speciale pritet të nisë së operuari këtë vit. Selia e saj do të jetë në Hagë të Holandës. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG