Ndërlidhjet

Feronikeli dhe Prishtina presin sfidat e para ndërkombëtare


Ilustrim
Ilustrim

Pas pranimit të futbollit të Kosovës në Federatën Evropiane të Futbollit (UEFA) dhe Federatën Botërore të Futbollit (FIFA), qasja e Federatës së Futbollit të Kosovës, si dhe klubeve të futbollit, në kuptimin e organizimit dhe pjesëmarrjes në gara, duhet të ndryshojë, vlerësojnë përfaqësuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe njohësve të futbollit në vend.

Përderisa para pranimit të futbollit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë të këtij sporti ka pasur jo rrallë lëshime në organizimin e takimeve në kuadër të garave nacionale, tolerancë ndaj këtyre lëshimeve, mungesa në infrastrukturë, si dhe në organizimin e sigurisë, kjo qasje nuk do të jetë e mundur në gara të nivelit ndërkombëtarë, ku kërkohet respektimi standardeve të UEFA-s dhe FIFA-s.

Aktualisht, pritet që ekipi kampion i Superligës së Kosovës në futboll, Feronikeli, të hyjë në garat kualifikuese për Ligën e Kampionëve të Evropës, si dhe Prishtina, fituese e Kupës së Kosovës, të hyjë në garat kualifikuese për Ligën e Evropës.

Agim Ademi, nënkryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, duke folur për Radion evropa e lirë, thekson se të dyja këto klube të Kosovës, i kanë përmbushur kriteret e kërkuara nga UEFA për licencim dhe pranim në gara.

Megjithatë, sipas tij, kjo është fazë fillestare për klubet e Kosovë, të cilat, sipas tij, kanë bërë gjithçka për të përmbushur kriteret.

“Nuk e di sa mund të jemi të gatshëm derisa ta shohim një ndeshje. Por, ka shumëçka që duhet të mësojmë, duke u nisur nga tifozët për mos hedhjen e gjësendeve, sepse ekzistojnë dënime marramendëse për këtë, si dhe të gjitha kriteret tjera të infrastrukturës. Do të thotë, siguri të mjaftueshme, mundësia e organizimit të mjaftueshëm për një ndeshje. Ose, mund të mos jepet mundësia dhe duhet të shkohet në një stadium,i cili tashmë është i licencuar, sepse edhe stadiumet licencohen nga komisionet e UEFA-s dhe FIFA-s”, thotë Ademi.

Malsor Gjonabalaj, drejtor në Qendrën për edukim të trajnerëve, thotë për Radion Evropa e Lirë se ekipet e futbollit të Kosovës të kualifikuara për garat përkatëse evropiane, do të nisin garat në fund të muajit qershor. Por, sipas tij, UEFA i ka parasysh kushtet në të cilat aktualisht po zhvillohet futbolli i Kosovës.

“Sa i përket këtij viti, unë mendoj se do të ketë disa lehtësime. Të gjitha kriteret tjera, këto dy klube që aspirojnë të luajnë në Evropë, i kanë plotësuar, përveç infrastrukturës së stadiumeve, për të cilat duhet pritur një verdikt nga UEFA, për të parë se cili stadium i plotëson kushtet."

"Unë mendoj se stadiumi ‘Adem Jashari’ (Mitrovicë), me një dinamizëm, do të mund të rregullohej aty ku është i dëmtuar, në objektet e brendshme, në mënyrë që të zhvilohen këto ndeshje. Por, këtë duhet ta thotë UEFA. Ne mbesim me shpresë që do të na lejojnë, por unë po flas me optimizëm, duke pasur parasyshë që do të kemi kohë për vitet e ardhshme”, thotë Gjonbalaj.

Kosova ka aktualisht dy stadiume, në cilat, sipas përfaqësuesve të Federatës së Futbollit të Kosovës, mund të punohet për t'u futur në funksion, sipas kritereve ndërkombëtare.

Sipas Ademit, stadiumi në Prishtinë nuk pritet të jetë i gatshëm edhe 1 vit e gjysmë, ndërkaq stadiumi “Adem jashari” në Mitrovicë, pritet të jetë i gatshëm për pak muaj.

Megjithatë, sipas tij, klubet duhet punuar për sigurinë gjatë zhvillimit të ndeshjes, por edhe me grupet e tifozëve.

“Unë besoj që çdo ekip, sidomos këto ekipet që shkojnë, Fernikeli dhe Prishtina, i kanë ekipet e organizuara dhe tifozët e organizuar me kryesitë e tyre. të gjitha këto grupe të tifozëve i dinë të gjitha rregullat dhe rregulloret për ndeshjet ndërkombëtare. E kanë në dijeni edhe rëndësinë e ndeshjeve ndërkombëtare, kështu që, shpresoj që ata janë për të ndihmuar ekipet e tyre dhe nuk do të bëjnë ndonjë gjest, i cili do të jetë i dënueshëm”, thotë Ademi.​

Por, Gjonbalaj vlerëson se klubet e Kosovës duhet ta kenë parasysh që të punojnë me tifozët e tyre, në kampionatin e Kosovës, para se të arrijnë në gara ndërkombëtare.

“Shumëkush thotë se të hyrat që vijnë nga pjesëmarrja në arenën ndërkombëtare janë të mëdha. Por, në mënyrë absolute, janë edhe dënimet e mëdha në rast se ato shkelin rregulloret dhe normat e UEFA-s. Prandaj, kapacitetet e klubeve duhet të rriten rreth organizimit, rreth kryesisë me njerëz kompetent, të profileve të ndryshme, të cilët janë njohës të mirë të çështjeve ligjore, ekonomike dhe kështu me radhë, në mënyrë që klubi të funksionalizohet”, thotë Gjonbalaj.

Klubet e Kosovës kanë fituar të drejtën e takimeve ndërkombëtare që në momentin e pranimit të Kosovës në UEFA me 3 maj. Federata e Futbollit të Kosovës, me 14 maj, është pranuar edhe anëtare e barabartë në organizatën botërore të futbollit, FIFA. (REL)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG