Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, i tha Radio Evropa e Lirë se lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm nuk mund të bëhet vetëm përmes arrestimeve dhe përmes vendosjes së sundimit të ligjit, por duhet të shtrihet edhe me promovimin e tolerancës, dialogut dhe të paqes.
Deklaratat e Selimit vijnë në ditën kur në Prishtinë, për të pestin vit me radhë, organizohet një konferencë ndërkombëtare për promovimin e dialogut ndërfetar dhe qasjen ndaj ekstremizmit të dhunshëm.
“Veprimi kundër ekstremizmit të dhunshëm nuk mund të reduktohet vetëm në sundimin e rendit dhe ligjit, jo vetëm në arrestime dhe jo vetëm në burgosje, por edhe promovimin e një narracioni të kundërt, narracionit të tolerancës paqes dhe dialogut”, tha Selimi për Radion Evropa e Lirë.
Konferenca, që organizohet nga institucionet e Kosovës, do të trajtojë në veçanti çështjen e “rolit të gruas në ndërtimin e tolerancës ndërfetare”, dhe përveç përfaqësuesve të bashkësive fetare në Kosovë dhe pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës, të pranishme do të jenë, në mënyrë aktive, edhe dy nobelistet e paqes, Shirin Ebadi nga Irani dhe Tawakkol Karman nga Jemeni.
Ministri i jashtëm në detyrë, Petrit Selimi, tha se konferenca është një platformë për promovim të Kosovës si shtet dhe të prezantimit të saj si model i bashkëjetesës.
“Tema e cila është ‘roli i gruas në promovimin e dialogut ndërfetar dhe luftimit të ekstremizmit’ është një temë shumë adekuate. Nënat, bashkëshortet, gratë, siç ka thënë edhe presidenti Thaçi, janë aleatet më të mira të shtetit në luftimin e ekstremizmit”, tha Selimi.
Çështja e ekstremizmit të dhunshëm ka ngritur shqetësime në Kosovë, marrë parasysh faktin se një numër i qytetarëve të vendit janë përfshirë në luftimet në Siri dhe Irak dhe një tjetër numër është arrestuar dhe dënuar për nxitje të pjesëmarrjes në luftëra jashtë vendit dhe për predikim të mosdurimit fetar. (REL)
Facebook Forum