Ndërlidhjet

Kriza politike në Maqedoni largon investitorët


Ilustrim
Ilustrim

Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se kriza politike jo vetëm që ndikon negativisht në thithjen e investimeve të huaja, por tanimë një pjesë e investitorëve nga Maqedonia kanë filluar të investojnë në vendet e rajonit.

Ish-ministri i Financave në Maqedoni, Nikolla Popovski, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se derdhja e kapitalit jashtë Maqedonisë është tregues shumë indikativ për mungesë të stabilitetit ekonomik, andaj dhe afaristët biznesin e tyre vendosin ta zhvillojnë në vendet e rajonit dhe më larg, aty ku kapitali i tyre do të jetë i sigurt.

“E shihni se tani tre katër muajt e fundit nuk kemi investime të huaja, por kapitali nga Maqedonia, përmes “derës së vogël”, largohet jashtë vendit. Në shëndetësi, në Bullgari, kanë dalë 100 deri 150 milionë dollarë. Kjo do të thotë se afaristët zhvillimin e biznesit e shikojnë jashtë vendit. Në media do të dëgjoni se dikush dëshiron të hapë fabrikë në Bullgari, Serbi, në Kosovë... çfarë paraqet kjo? Kjo është një ndër shenjat serioze nëse tregu vendor nuk është i sigurt, ju ikni me kapitalin tuaj jashtë shtetit”, thekson Nikolla Popovski, ish-ministër i Financave, sipas së cilit afaristët do të vazhdojnë biznesin e tyre ta shtrijnë në vendet e rajonit .

Ndërkohë, Menderes Kuçi, afarist, i cili një kohë ka drejtuar dhe Odën Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, thotë se kriza politike, e cila, siç shprehet, tanimë një kohë të gjatë riciklohet, është ajo që dëbon investitorët e huaj, por edhe ata vendorë i çon të mendojnë të investojnë jashtë vendit.

“Është normale që një situatë jo stabiliteti të implikohet me efekte të ikjes së kapitalit nga Maqedonia, sepse afaristët në vend të parë e kanë sigurinë dhe pastaj mendojnë për investime. Dëmi akoma më i madh është me investitorët potencial, të cilët kërkojnë partneritet me investitorët e brendshëm. Evidente janë dështimet e njëpasnjëshme, përkatësisht shtyrjes në formë elegante të investimeve të huaja në Maqedoni, siç thonë, për një kohë më të mirë”, thekson Kuçi.

Ndërsa, Sllobodan Najdovski, ekspert i ekonomisë, konsideron se nuk është kriza politike ajo që i detyron afaristët maqedonas të largohen me kapitalin e tyre jashtë vendit, por ajo pjesë e firmave që kapitalin e tyre e kanë rritur si rrjedhojë e afërsisë me partitë në pushtet.

Ai thotë se është e logjikshme që në momentin që nuhasin se mund të ketë ndryshim pushteti, atëherë ata janë të parët që kapitalin e bartin në një vend më të sigurt, sepse janë të vetëdijshëm se këto firma do t’u ekspozohen kontrolleve.

“Viteve të fundit politika ka shtrirë duart thellë në biznes, dhe kjo ka bërë që zhvillimi i biznesit dhe suksesi i pjesës më të madhe të kompanive të varet kryesisht nga afërsia me drejtuesit e partive politike në pushtet.”

“Janë pikërisht këta njerëz që për të mbrojtur kapitalin e tyre nga ndryshimi eventual i pushtetit, atë e transferojnë jashtë vendit dhe unë do të thosha se derdhja e kapitalit jashtë vendit ka të bëjë me këtë dhe jo me pasigurinë e ambientit ekonomik në vend si rrjedhojë e krizës politike”, thotë Najdovski.

Ndërkohë, të dhënat e hulumtimit të fundit në lidhje me klimën e biznesit kanë nxjerrë në pah se 68 për qind e investitorëve të huaj në Maqedoni janë shprehur të kënaqur me pritjet që kanë pasur gjatë vitit 2015, por ata kanë shprehur shqetësimin e tyre sa i përket krizës politike në vend ,e cila, siç kanë theksuar, do të ndikojë negativisht në rritjen ekonomike.

Radio Evropa e Lirë

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG