Ndërlidhjet

Maqedoni: Politikat e qeverisë e kanë futur vendin në krizë


Kriza e thellë politike si dhe politikat e gabuara të qeverisë e kanë futur vendin edhe në krizë të rëndë ekonomike, vlerësojnë njohësit e çështjeve ekonomike në Maqedoni, pavarësisht pohimeve të qeverisë se vendi ndodhet në gjendje të mirë ekonomike, me investime që janë në rritje e sipër, me hapje të vendeve të reja të punës, ulje të papunësisë në 25 për qind, me inflacion të ulët dhe rritje ekonomike që sillet në rreth 3 për qind.

Por, pretendimet e tilla kundërshtohen nga opozita dhe njohësit e çështjeve të ekonomisë.

Zëvendësministri i Financave nga radhët e LSDM-së opozitare, Kire Naumov veçon borxhet që rriten nga dita në ditë dhe që pritet të arrijë në 5.6 miliardë euro me strategjinë e re fiskale për rritjen e borxhit për 1.6 miliardë euro në tre vitet e ardhshme.

Ai thotë se paratë po shpenzohen për politika populiste në prag të zgjedhjeve të ardhshme.

”Kjo tregon se borxhet si qëllim të vetëm kanë ndikimin në procesin zgjedhor. Ato keqpërdoren në mënyra të ndryshme, bëhen transfere ku mungon transparenca, shlyhen detyrime ndaj kompanive që nuk janë bërë në kohën e duhur e keqpërdorime tjera përmes masave të ndryshme populiste me qëllim krijimin e një imazhi se gjoja ajo punon për të mirën e qytetarëve, e që në realitet është e kundërta”, thotë Naumov.

Ish Guvernator i Bankës Popullore të Maqedonisë, Petar Goshev thotë se politikat e tilla kanë përkeqësuar gjendjen ekonomike të vendit, por ai nuk beson se kësaj politike të gabuar do t’i jepet fund. Në mungesë të politikave zhvillimore qeveria thotë ai do të vazhdojë me futjen e vendit në borxhe të reja edhe në të ardhmen.

”Marrja e borxheve do të vazhdoj deri sa vendin ta çojnë në një situatë pa rrugëdalje, deri sa vendi të kolaboroj. Qeveria me këtë fsheh gjendjen reale ekonomike pasi në rast se ndërpritet marrja e borxhit do të del në sipërfaqe gjendja e rëndë financiare”, thotë Goshev.

Arben Halili njohës i çështjeve të ekonomisë thotë se në Maqedoni mungojnë investimet e huaja ndërsa kanë filluar të largohen edhe disa nga kompanitë që ishin prezantuar nga qeveria si ndërmarrje të fuqishme botërore. Ai thotë se askush nuk dëshiron të investojë në një vend siç është Maqedonia me krizë të thellë ekonomike dhe me prani të lartë të korrupsionit.

”Sigurisht që asnjë biznes nuk do të jetë i gatshëm të rrezikoj mjetet e tija financiare dhe kapitalin e vet në projekte, efikasiteti i të cilëve mund të ndodhë që të mos shihet pikërisht nëse vazhdon ky jostabilitet. Prandaj lirisht mund të themi se efektet e kësaj gjendjeje të paqëndrueshme politike pritet të vërehen nga fundi i vitit apo edhe në vitet në vazhdim. Pra, pikërisht si rezultat i mosrealizimit të projekteve do të kemi një jetë ekonomike të pazhvilluar”, thotë Haliti.

Halili, por edhe ekspertët e tjerë, thonë se klasa politike duhet të angazhohet maksimalisht për zgjidhjen e krizës politike dhe bashkërisht të punojnë për hartimin e një strategjie të re zhvillimore pasi në të kundërtën vendi do të përballet edhe me protesta e forma tjera të pakënaqësisë që mund të rrezikojnë stabilitetin e vendit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG