Ndërlidhjet

Nuk fillon pastrimi i listës zgjedhore në Maqedoni


Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni, njoftojnë se procesi për pastrimin e listës së votuesve, nuk ka filluar për shkak se akoma nuk është përcaktuar metodologjia në bazë të cilës do të zhvillohet ky proces.

Kanë mbetur tre muaj deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të cilat në bazë të marrëveshjes politike me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar të qershorit dhe korrikut të vitit të kaluar, u caktuan të mbahen më 24 prill të këtij viti.

Partia maqedonase në opozitë, Lidhja Social Demokrate, ka theksuar se pa u pastruar lista zgjedhore nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e caktuara në prill, së cilës kërkesë iu bashkëngjitën dhe partitë shqiptare joparlamentare.

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve nga radhët e partisë maqedonase në opozitë, Lidhjes Social Demokrate, Aleksandar Çiçakovski, të martën pas takimit me përfaqësuesit e partive politike dhe ndërmjetësuesin belg Piter Van Haute përmes një deklarate me shkrim, ka theksuar se për pastrimin e mirëfillt të listës së votuesve, nevojiten së paku tre deri në katër muaj.

Çiçakovski ishte i prerë se zgjedhjet mund të realizohen në aspektin teknik më 24 prill, por deri në këtë afat është e pamundur të bëhet pastrimi i listës zgjedhore përkatësisht të sigurohet një listë zgjedhore e cila do ë jetë e pranueshme për të gjitha partitë politike.

Ndërkohë, ministri i Financave Zoran Stavevski, tha se dikasteri që ai drejton do të aprovojë punësimin e stafit plotësues në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve që mbledhja e të dhënave të fillojë sa më parë që është e mundur.

Ekspertët theksojnë se janë partitë politike në pushtet, të cilat nuk dëshirojnë të pastrohet lista zgjedhore, sepse kjo njëherësh do të thotë se ata duhet të heqin dorë, siç thonë, nga “fitorja e siguruar lehtësisht” përmes manipulimeve.

"Më duhet të theksoj se është fakt që pushteti aktual ka dalë fitues në ciklet e fundit zgjedhore, pikërisht duke manipuluar me listën zgjedhore. Të dhënat flasin se në lisën zgjedhore figurojnë rreth 1 milion e 800 mijë votues, ndërkohë që numri i përgjithshëm i popullësisë në Maqedoni zyrtarisht është 2 milionë e 20 mijë banorë, pra është absurde që të kemi vetëm 200 mijë persona që janë nën moshën 18 vjeçare", thekson Temellko Ristevski.

Ndërkaq, Albert Musliu nga Instituti për Zhvillimin e Demoracisë konsideron se Maqedonia disponon me ekspertë të mirëfilltë të kësaj lëmie sa i përket pastrimit të listës zgjedhore, por siç thotë, mungon vullneti politik.

Në Maqedoni interesat partiake vendosen para interesave shtetërore. Në asnjë mënyrë nuk kemi të bëjmë me mungesën e kapaciteteve institucionale, sepse mund te them me shumë përgjegjësi se kemi ekspertë shumë të mirë të kësaj lëmie, pra nuk kemi të bëjmë me mungesën e rezuseve njerëzore", tha Musliu.

Do theksuar se Eurokomisionari Johannes Hahn, pas dështimit të bisedimeve mes partive për caktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve, ai përmes rrjeteve sociale ka paralajmëruar vizitën e tij në Shkup gjatë muajit të ardhshëm me ç'rast ka kërkuar që partitë politike me urgjencë tu qasen çështjeve të mbetura të marrëveshjes politike, me theks të veçantë pastrimit të listës zgjedhore dhe reformave në media.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG