Ndërlidhjet

Maqedoni: Kërkohen modalitete për anulimin e zgjedhjeve


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Njohësit e çështjeve politike, nismën e Bashkimit Demokratik për Integrim në Gjykatën Kushtetuese, për të vlerësuar kushtetutshmërinë e vendimit të kryetarit të Parlamentit, Trajko Veljanovski, për shpërndarjen e Kuvendit, e shohin si tentim që kriza politike në vendtë futet në rrugë institucionale.

Me këtë Parlamenti do të votojë për shtyrjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të caktuara më pesë qershor.

Ismet Ramadani, ish-deputet në tri përbërje parlamentare, konsideron se shumë pak rëndësi ka forma se si do të mblidhet Parlamenti, me vendim të Gjykatës Kushtuese apo Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve ose nga ndonjë nismë nga vetë deputetët.

Rëndësi, sipas tij, ka që kriza të futet në binarë institucionalë dhe qartë të definohen detyrimet që do t’i ketë Parlamenti pas mbledhjes së sërishme.

“Problemi kryesor, sipas meje qëndron në atë se si do të tërhiqet vendimi i presidentit Gjorgje Ivanov, për abolim, përkatësisht të falë politikanët. Unë kam shumë rezerva në këtë drejtim".

"VMRO DPMNE e drejtuar nga ish -kryeministri Nikolla Gruevski me mbledhjen e Parlamentit, do të kërkojë një amnisti të përgjithësuar për të nxjerrë nga aktakuza, gjegjësisht ndjekja penale nga organet e drejtësisë së vetë Gruevskit dhe zyrtarëve të lartë të kësaj partie për të cilët Prokuroria Speciale e Maqedonisë ka nisur hetime për vepra të rënda penale. Pra, kjo çështje do të jetë problemi kryesor në bisedimet gjatë ditëve në vijim”, thotë Ramadani.

Ndërkaq, zëdhënësi i Bashkimit Demokratik për Integrim, Bujar Osmani, rithekson se me rëndësi është të gjendet formë juridike që sa më parë të mblidhet Parlamenti. Ai nënvizon se vendimi i fundit i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, se nuk ka kushte, paraqet edhe një argument plotësues për Gjykatën Kushtetuese për të shfuqizuar vendimin për shpërndarjen e Kuvendit të Maqedonisë.

“Vlerësimi i djeshëm i KSHZ-së, realizuesit të vetëm për organizimin e zgjedhjeve, i rrumbullakon argumentet se nuk ka kushte për zgjedhje më 5 qershor. Ajo që është më e rëndësishme, jep një argument shtesë për iniciativën e shqyrtimit të vendimit për shpërbërjen e Parlamentit në Gjykatën Kushtetuese”, thekson Osmani nga BDI.

Edhe partia maqedonase në opozitë, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë të shtunën ka kërkuar që Parlamenti i Maqedonisë të mblidhet urgjentisht për të vazhduar me punë, duke vendosur si kusht për vazhdimin e bisedimeve për tejkalimin e krizës edhe shfuqizimin e vendimit të presidentit të shtetit, Gjorgje Ivanov, për faljen e politikanëve.

"Zgjedhje më 5 qershor nuk do të ketë. Këtë dje (premte) e ka konstatuar edhe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, në këtë drejtim edhe diaspora u ka thënë jo mbajtjes së zgjedhjeve. Në pajtim me të dhënat zyrtare të KSHZ-së në diasporë, për votim janë regjistruar gjithsej 4.848 votues. Kjo do të thotë se edhe nëse Gruevski me forcë dëshiron të mbajë zgjedhje, në diasporë nuk do të organizohet votimi", deklaroi nënkryetari I LSDM-së, Damjan Mançevski.

Ndërkohë, VMRO DPMNE-ja, e cila ka dorëzuar listën për të garuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të pesë qershorit, përgatitet për zgjedhje, meqë zyrtarisht të hënën fillon dhe fushat zgjedhore.

Megjithëse gjatë ditës së premte anëtarët e KSHZ-së kanë theksuar se nga kryetari i Kuvendit i Parlamentit, Trajko Veljanovski, do të kërkojnë ndryshime në Kodin Zgjedhor.

Këto ndryshime kërkohen për shkak se janë shfaqur papajtueshmëri në numrin e votuesve në tri njësi zgjedhore me ç’rast anëtarët e KSHZ-së kanë konstatuar se ka devijime në këto njësi zgjedhore.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e sektorit civil thonë se prioritet për të gjitha institucionet, me theks të veçantë Parlamentin e Maqedonisë si institucion ligjvënës, është të kontribuojnë në krijimin e kushteve për organizimin e zgjedhjeve kredibile, zgjedhje që do të reflektojnë vullnetin e elektoratit, e ku duhet t’u pamundësohet të garojnë në zgjedhjet parlamentare të gjithë atyre që janë të përfshirë në veprime kriminale.

Iniciativa e BDI-së në Gjykatën Kushtetuese vjen pas takimeve të të dërguaritspecial nga Gjermania për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni, Johanes Hajndëll, me liderët e katër partive politike.

Gjatë së enjtes dhe së premtes, Hajndëll edhe nga afër ka monitoruar gjendjen momentale, nëpër të cilën po kalon Maqedonia duke mos dhënë asnjë deklaratë pas këtyre takimeve me krerët politik të Maqedonisë.

Ndërkohë, mësohet se Hajndëll në Maqedoni do të vijë sërish pas një jave, kur edhe pritet, siç thonë njohësit e çështjeve politike, që ardhja e diplomatit gjerman të rezultojë me hapa konkretë që çojnë kah zgjidhja e krizës politike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG