Ndërlidhjet

Nuk dihet rrjedha e bisedimeve për dalje nga kriza


Ambasadori i BE-së në Shkup, Aivo Orav, tha të martën se kriza politike në Maqedoni po zgjatë shumë dhe duhet pas parasysh se kohë për të humbur nuk ka më, meqë Maqedoninë si shtet e presin shumë punë për të bërë.

Në një takim tradicional me ambasadorët e vendeve­ anëtare të Bashkimit Evropian dhe zëvendëskryeministrat aktualë dhe të mëparshëm për çështje evropiane, organizuar me rastin e Ditës së Evropës, ambasadori Orav tha se "politikanët e vendit duhet të përballen me realizimin e obligimeve të vështira dhe serioze”.

“Vendi juaj është rast special. BE­-ja tashmë ka rekomanduar gjashtë herë e gjysmë që t’i filloni bisedimet për anëtarësim, por për fat të keq nuk kemi mundësi që ta bëjmë këtë. Tani duhet shumë seriozisht të mendojmë çka të bëjmë me këtë gjysmë rekomandimi dhe si të qasemi. Për fat të keq mbetet shumë punë që të bëhet. Kjo krizë politike zgjati shumë”, ka porositur ambasadori I Bashkimit Evropian në Shkup Aivo Orav.

Por, përfaqësuesit e partive politike, nuk kanë dashur të japin asnjë detaj se deri në cilën pikë kanë arritur bisedimet për një ujdi që Maqedoninë ta nxjerrin nga kriza politike.

Partia maqedonase në opozitë, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, thotë se nuk ka lëvizje nga pika zero dhe se mbeten në kërkesën që presidenti Ivanov të tërheqë vendimin për faljen e politikanëve, të cilët hetohen për mashtrime zgjedhore dhe korrupsion nga Prokuroria Speciale e Maqedonisë, si dhe të shtyhet data e caktuar për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare derisa nuk krijohen kushte për zgjedhje të besueshme.

VMRO DPMNE e kryesuar nga ish kryeministri Nikolla Gruevski i ka thënë Radios Evropa e Lirë se sapo të ketë diçka konkrete për zgjidhjen e kizës politike, atëherë këtë do ta bëjnë publike për opinionin.

Ndryshe, sipas kodit Zgjedhor të Maqedonisë, deri në mesnatën e së mërkurës partitë politike duhet të dorëzojnë listat me kandidatët me të cilët do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare deri tek Komisioni Shtetëror i zgjedhjeve.

Mësohet se asnjëra parti nuk ka mbajtur konsultime rreth hartimit të listave të kandidatëve edhe pse zyrtarisht as VMRO DPMNE dhe as BDI nuk janë prononcuar se do të futen ose jo në garë zgjedhore.

Përkundër kësaj, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë dhe të gjitha partitë shqiptare në opozitë kanë deklauar se nuk do të garojnë në zgjedhjet e 5 qershorit ngase nuk janë plotësuar kushte për organizimin e zgjedhjeve sipas kritereve që kërkohen nga bashkësia ndërkombëtare, me theks të veçantë pastrimi i listës zgjedhore dhe liria e medieve.

Ekspertët thonë se organizimi i zgjedhjeve pa përfshirjen e subjekteve politike Maqedoninë do ta fus edhe në një krizë me të thellë politike.

“Nëse vetëm VMRO DPMNE dorëzon listë për të garuar në zgjedhjet e pesë qershorit dhe këtë nuk e bën asnjë parti tjetër, mendoj se kjo parti politike do të detyrohet që vetë ta tërheq këtë listë, sepse garimi i një partie madje edhe i dy partive nuk krijon kushte për formimin e Parlamentit i cili duhet të zgjedh qeverinë e ardhshme” shpjegon Osman Kadriu, njohës i çështjeve juridike.

Kadriu thekson se tani Parlamenti duhet të mblidhet sa më parë, ngase është koha e fundit që të demonstrohet përgjegjësi politike nga të zgjedhurit e popullit sepse pas vendimit të presidentit Ivanov që të fal politikanët u bë shumë e qartë, se zgjedhje në rrethana të këtilla nuk mund të ketë.

Nga ana tjetër protestat që organizohen nga lëvizja Protestoj për çdo shtojnë intensitetin. Organizatorët e protestave kërkojnë që edhe sektori civil të përfshihet në bisedime si palë, që të ketë një zgjidhje të qëndrueshme të krizës politike në të të cilën është futur tanimë një kohë të gjatë Maqedonia.

“Organizimi i protestave të qytetarëve kundër politikave të qeverisë të cilat duket se po marrin në intensitet, janë tregues i qartë se qytetarët janë të pakënaqur nga të dy blloqet politike të cilat aktualisht janë prezente në skenën politike në Maqedoni".

"Mbase do të jetë shumë e vështirë që të zgjerohet rrethi i bisedimeve që bëhet mes katër partive kryesore politike të përfaqësuara në parlament me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar, por kjo nuk do të thotë se një gjë e tillë nuk është e mundur”, thekson njohësja e çështjeve politike maqedonase Sonja Stojadinoviq.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG