Ndërlidhjet

Kosova nën “ethet” e FIFA-s


Kosova është në pritje të një vendimi për pranimin e federatës së saj të futbollit në Federatën Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA), e cila po mban Konferencën e saj të 66-të në Meksikë.

Shqyrtimi i çështjes së aplikimit të Kosovës për pranim në këtë mekanizëm ndërkombëtar të futbollit dhe votimi për pranimin ose jo të saj, pritet të ndodhë të premten, në ditën e dytë të këtij Kongresi.

Nënkryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, thotë për Radion Evropa e Lirë se sinjalet për pranimin e Kosovës në FIFA janë mjaft pozitive, për faktin se ajo ka plotësuar kushtet për një gjë të tillë.

Sipas tij, me pranimin në Federatën Evropiane të Futbollit (UEFA), që ndodhi me 3 maj, Kosova ka përmbushur kushtin bazik për pranim edhe në FIFA.

Ademi thekson se anëtaret e UEFA-s, me disa përjashtime, parimisht duhet të votojnë për pranimin e Kosovës në FIFA.

“UEFA ka për detyrë ta mbrojë në FIFA anëtaren e vet, tashmë, Kosovën. Duke pasur parasysh edhe kontaktet tona me të gjitha federatat e mundshme, që janë të pranuara tashmë në FIFA, me 209 federata, kemi pasur korrespondencë dhe shkrime letrash dhe shpjegim të situatës së Kosovës. Shpresoj që delegacioni jonë në krye me Fadil Vokrrin dhe anëtarin e Komitetit Ekzekutiv, Flamur Bunjakun, do ta vendosin flamurin në vendin e 210 të FIFA-s, për të qenë anëtare e rregullt dhe me të drejta të plota në FIFA”, tha Ademi.

Për pranim e Kosovës në FIFA, nevojitet shumica e thjeshtë e votave, që nënkupton 105 vota për nga 209 sa janë gjithsej.

Ademi thekson se është mjaft reale e Kosovës, që të merr shumicën e nevojshme të votave.

“Por, shpresoj që do të jetë votimi i hapur, siç është i paraparë dhe udhëheqja e këtij kongresi do të jetë me kryetarin e ri (Gianni) Infantino, i cili është një njohës shumë i mirë i të gjitha proceseve dhe rrugës të cilën e ka kaluar Kosova. Kjo, për faktin sepse, ai ishte më parë sekretarë i UEFA-s dhe përmes tij kanë shkuar të gjitha dokumentacionet, aplikimi dhe të gjitha letrat që është dashur t’i deponojmë atje”, ka theksuar Ademi.

Pritje pozitive për pranimin e Kosovës në FIFA kanë edhe ekspertët e futbollit në Kosovë. Trajneri Arbnor Morina, thotë se barrierën kryesore drejt pranimit në FIFA, Kosova tashmë e ka kaluar.

“Ajo që ka qenë më e vështirë, tashmë është tejkaluar, pra, pranimi në UEFA. Mendoj që Kosova i ka gjasat reale që të pranohet në Kongresin FIFA-s si anëtare e plotfuqishme”, theksoi Morina.

Megjithatë, ai shpreh mendimin se edhe pas pranimit në FIFA, Kosova duhen t’i qaset në mënyrë krejtësisht reale futbollit dhe zhvillimit të deritashëm të tij.

“Nuk duhet të kemi pritje euforike, sie kemi shpesh zakon që na kapë euforia që në start dhe të presim që kemi për të bërë mrekullinë futbollin evropian dhe botëror. Përpos futbollit, janë edhe disa elemente tjerë, të cilat janë shumë të nevojshme për të pasur një sukses".

"E kam fjalën, në radhë të parë për infrastrukturën sportive. Pas luftës, i kemi humbur 15 vjet duke pritur se çfarë po ndodhë, në vend se ta modernizojmë infrastrukturën sportive, në këtë rast, të futbollit”.

Sidoqoftë, në rast se FIFA voton për pranimin e Kosovës në këtë Federatë, pritet që më pas të shqyrtohet edhe përfshirja në kualifikimet për Kampionatin Botëror, i cili do të mbahet në Rusi më 2018, në grupin I, ku bëjnë pjesë edhe Kroacia, Ukraina, Turqia, Finlanda dhe Islanda.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG